Hahn i bindur në marrjen e vendimit në tetor për fillimin e bisedimeve

"Jam i bindur se në bazë të deklaratës së liderëve të BE-së, ky vendim do të merret në tetor”, tha Komisioneri për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn në Shkup, ku po qëndron për një vizitë zyrtare.

Hahn i bindur në marrjen e vendimit në tetor për fillimin e bisedimeve

Komisioneri për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku ka realizuar një takim dypalësh me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev. Pas takimit të dy kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri Zaev tha se komisioneri Hahn është një mbështetës i sinqertë i rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), duke shtuar se angazhimi i tij në Ballkanin Perëndimor dha rezultate të mëdha.

"Komisioneri Hahn sot është në mesin tonë për ta shënuar fillimin e fazës së fundit para fillimit të bisedimeve, për shkak se sytë tanë janë fokusuar në tetor. Gjatë takimit të mëngjesit me z. Hahn, i porosita se në tetor ne presim që Bashkimi Evropian të mbajë fjalën dhe të shpallë se vendi mund të fillojë bisedimet për kapitujt për anëtarësim në BE", tha Zaev, duke shtuar se në këtë mënyrë do të vërtetohej edhe ajo çfarë është shënuar në raportin e Komisionit Evropian sa i përket Maqedonisë së Veriut.

Komisioneri Hahn shprehu keqardhje që vendet anëtare të BE-së nuk morën vendim për të nisur bisedimet për anëtarësim të vendit në qershor, pasi siç u shpreh ai, Maqedonia e Veriut i ka bërë të gjitha gjërat për të cilat ishin dakorduar paraprakisht.

"Jam i bindur se në bazë të deklaratës së liderëve të BE-së, ky vendim do të merret në tetor, Maqedonia e Veriut ka punuar shumë për të dhe tani është koha kur liderët e BE-së duhet të adresojnë (çështjen). Gjithashtu ka momente kur të tjerët duhet të adresojnë (çështjen), jo gjithmonë vendi juaj", tha Hahn.

Eurokomisioneri gjithashtu tha se është e nevojshme që vendi të vazhdojë të përmbushë reformat e nevojshme, duke u shprehur se me këtë nuk humbet kohë, por lehtësohen negociatat e ardhshme për anëtarësim të vendit në BE.

Gjatë vizitës së tij në Shkup, komisioneri Hahn do të takojë edhe presidentin Stevo Pendarovski, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti dhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski, me të cilët siç u shpreh ai, do të diskutojë për reformat, në veçanti sundimin e ligjit.

Hahn porositi se tani është e rëndësishme që të miratohet ligji për Prokurorinë Publike, sipas të cilit Prokuroria Speciale Publike bëhet pjesë e Prokurorisë së përgjithshme, duke shtuar se është koha që të gjitha partitë politike t'i qasen me përgjegjësi kësaj çështjeje dhe deri në tetor të miratohen reformat e duhura. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme