Në Mal të Zi u përkujtua 15 Korriku - Dita e Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar të Turqisë

Ambasada e Republikës së Turqisë në Mal të Zi organizoi tubim me rastin e shënimit të trevjetorit të puçit të dështuar në Turqi. Me këtë rast u shfaq dokumentari i ngjarjeve të 15 Korrikut dhe u hap një ekspozitë me fotografi nga grushtshteti i dështuar.

Në Mal të Zi u përkujtua 15 Korriku - Dita e Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar të Turqisë

Ambasada e Turqinë në Mal të Zi shënoi 15 Korrikun - Ditën e Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar

Duke kujtuar 15 Korrikun e vitit 2016, ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan, nënvizoi se ajo çfarë ka ngjarë atë dite nuk ishte  grushtshtet i mirëfilltë. Në  momentet e para - vijoi ajo - kur janë parë avionët luftarakë mbi Ankara dhe Stamboll, kemi kuptuar se diçka e pabesueshme po ngjet. Në orët në vijim, ky përjetim i çuditshëm është  sforcuar me të dhënat që kjo është diçka më shumë se tentativë për një grushtshtet dhe se shkaktarët e kësaj ndodhie janë anëtarët e organizatës terroriste guleniste (FETO), e cila drejtohet nga Fetullah Gulen. Është e pamundur - tha me tej ambasadorja Ozan - që të gjenden fjalë adekuate për të përshkruar brutalitetin dhe tradhtinë që kanë treguar atë mbrëmje pjesëtarët e grushtshtetit.

Ambasadorja Songul Ozan këtë e cilësoi si aktin terrorist më të përgjakshëm në historinë e Republikës së Turqisë. Ata kanë shfrytëzuar armë vdekjeprurëse kundër civileve të pafajshëm, të cilët kanë dalë në rrugë në mbrojtje të demokracisë dhe institucioneve të tyre. Duke iu drejtuar të pranishmeve, ambasadorja Songul Ozan më tej theksoi se puçistët kanë vrarë ushtarakë të pafajshëm dhe komandantë, të cilët kanë refuzuar që të jenë pjesëmarrës në këtë tentativë.

Puçistët - nënvizoi me tej ambasadorja - kanë bombarduar Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë, Presidencën, selinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe qendrën e njësisë speciale. Atë mbrëmje janë vrarë 251 shtetas turq  dhe mbi 2.000 janë plagosur. Sipas saj, 15 Korriku ka qenë provim i mbijetesës dhe forcës për shtetin dhe demokracinë turke. Jemi krenarë - tha ajo - që e kemi tejkaluar këtë provim. Forcat e armatosura dhe qytetarët që nuk kanë qenë pjesëtarë të forcave të policisë, si dhe mediat, të gjithë bashkë janë ngritur kundër  puçistëve. Populli turk, pavarësisht përkatësitë politike, u ngrit dhe doli para tankeve dhe duke kërkuar të drejtat e tija demokratike, ishte shembull i solidaritetit historik.

Ambasadorja Ozan më tej veçoi se tashmë është më se e qartë që pas kësaj tentative gjakatare qëndron Fetullah Gulen dhe ndjekësit e tij. Dëshira e tyre ka qenë që të marrin kontrollin ndaj shtetit  turk. Gulen prej vitesh i ka orientuar  ndjekësit e tij që të infiltrohen në të gjitha organet përgjegjëse shtetërore, siç është policia, organet  gjyqësore dhe forcat e armatosura. Të ashtuquajturit “gulenistë” paraqesin shembull tipik të radikalizimit të kultit personal. Nisur nga të gjitha këto, qeveria turke edhe para 15 Korrikut ka ndërmarrë masa kundër kësaj organizate terroriste dhe burimeve të tyre financiare. Më pas ambasadorja foli për masat konkrete  që janë ndërmarrë ndaj pjesëtarëve të FETO-s duke nënvizuar atë që Turqia ka të drejtë dhe obligim që të ndërmarrë masa të nevojshme kundër atyre që janë të orientuar kundër shtetit dhe popullit. Ne - tha  ambasadorja Songul Ozan - jemi të përkushtuar në forcimin e identitetit demokratik, sepse e dimë që kjo është mënyra e vetme e luftës kundër çdo forme të terrorizmit dhe manifestimeve të tij.

Në tubimin e organizuar në Podgoricë, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë shtetërorë të Malit të Zi, krahas ambasadores Songul Ozan, foli edhe Kadir Kaynar, atashe për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Mal të Zi.

*****

Përfundojnë punimet në aksin rrugor  që lidh Malin e Zi me Shqipërinë   

Në Ulqin qëndroi për vizitë Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i cili me këtë rast bëri edhe përurimin e përfundimeve të punimeve në rrugën Ulqin-Krythë, që lidh Malin e Zi me Shqipërinë. Ai u prit nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq,me bashkëpunëtorë, ministri për të Drejtat e Popujve Pakicë, Mehmet Zenka, përfaqësues të partive politike dhe banorë të zonës. Kryeministri vlerësoi lart punimet e kryera në këtë segment rrugor, i cili ka një rëndësi të madhe për popullatën e kësaj zone, por edhe gjithë Komunën e Ulqinit, pasi krijon një lidhje më të mirë me Shqipërinë. Ai shtoi se qeveria është duke punuar me përkushtim që të investojë në infrastrukturën e vendit, në mënyrë që zhvillimi i Malit të Zi të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kryetari Nrekiq, në fjalën e tij falënderoi qeverinë për përkrahjen dhe shprehu besimin se kjo do të vazhdojë edhe me projekte të tjera me rëndësi për Komunën e Ulqinit dhe shprehu kënaqësinë që pas shumë vitesh u realizua ky projekt i rëndësishëm, i cili Ulqinin e lidh me zonën e Anës së Malit dhe më tej me Republikën e Shqipërisë.

*****

Në Ankara nënshkruhet protokoll bashkëpunimi në fushën e tregtisë midis Malit të Zi dhe Turqisë

Në Mal të Zi i kushtohet vëmendje vizitës së ministres së Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliq, në Ankara dhe nënshkrimit të protokollit për tregti të lirë ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë. Thuhet se nënshkrimi i këtij protokolli do të sjell përparësi shtesë në tregtinë midis dy vendeve e veçmas për prodhuesit bujqësorë. Ky protokoll bashkëpunimi s’ka dyshim se do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe do të ketë impakt pozitiv në rritjen e investimeve të Turqisë në Mal të Zi. Po ashtu më këtë bashkëpunim hapen mundësi të reja për forcimin e tregtisë së përbashkët, prodhimeve bujqësore e kjo prodhuesve do t’u sigurojë qasje të arsyeshme në tregun turk.

*****

Më 26 korrik në Ulqin do të hapet panairi i Librit “Ulqini 2019”

Për 19 vite me radhë në Ulqin organizohet Panairi i Librit. Botues nga hapësira mbarë shqiptare do të jenë të pranishëm gjatë 5 ditëve të panairit, nga data 26 deri në 31 korrik. Organizatorja e këtij aktiviteti, drejtoresha e përgjithshme Shtëpisë Botuese “Toena”,  Irena Toçi, thotë se si risi këtë vit do të jetë ndarja e dy çmimeve “Liburnia” dhe “Dega e Ullirit”. “Këto dy çmime letrare që kemi themeluar sivjet, janë risi. Njërin e kemi pagëzuar ‘Liburnia’ dhe do të shkojë për prozatorin më të mirë. Liburnia është anija që ndodhet edhe në siglën e qytetit të Ulqinit, ndërsa çmimin që do të jepet për letërsinë për fëmijë e kemi pagëzuar me emrin ‘Dega e Ullirit’. Edhe dega e ullirit ndodhet në siglën e qytetit të Ulqinit dhe të dyja krijojnë një simbolikë të rëndësishme që e lidhin me Panairin e Librit të Ulqinit, me Ulqinin vetë, me botën e fëmijëve dhe me letërsinë”, tha znj. Toçi. Duke e konsideruar si aktivitetin më të rëndësishëm kulturor gjatë verës në Ulqin, Toçi tha se panairi merr rëndësi rajonale. “Përveç botuesve nga Shqipëria, ka edhe shumë botues që vijnë nga Maqedonia e Veriut, kryesisht shqiptarë. Ka nga Bosnja që prezantojnë librin e tyre në gjuhën e tyre, botues nga Kosova dhe Mali i Zi. Hapësira është një element i rëndësishëm, pasi panairi bëhet një panair i rëndësishëm rajonal. Krahas prezantimit të titujve të rinj të letërsisë shqipe dhe asaj të përkthyer, e cila dominon stendat, nuk do të mungojnë edhe takimet me autorë. I ftuar special do të jetë shkrimtari Fatos Kongoli për të prezantuar romanin e tij të fundit “Gënjeshtarë të vegjël”, si dhe për të komunikuar me publikun.

*****

Në Ulqin fillon Festivali tradicional “Skena Verore Ulqini 2018”

Gjatë stinës së verës qytete bregdetare në Mal të Zi organizojnë aktivitete të shumta kulturore. Kështu ndodh edhe me qytetin e Ulqinit, ku Kalaja shekullore bëhet pikë takimi e artistëve dhe krijuesve jo vetëm nga Mali i Zi, por edhe nga rajoni dhe më gjerë. Në Kala po ashtu të premten do të ngrohet sipari i Festivalit tradicional veror “ Skena Verore Ulqini 2019”, që këtë vit shënon 31-vjetorin e themelimit. Festivali është aktiviteti më i larmishëm në kalendarin kulturor të Ulqinit, i cili përcjell vlerat tek spektatorët dhe turistët. Në skenën e Festivalit bëhet shkëmbimi në mes kulturave dhe traditave e kjo është fytyra e vërtetë e qytetit multikulturor. Në hapjen solemne që këtë vit është pagëzuar me emrin “Nata Evropiane”, do të interpretojnë tenori i njohur nga Shqipëria. Kastriot Tusha,Egnatia Ensemble, si dhe sopranoja nga Ulqini, Gjylije Pelingu.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme