Shtohet interesimi për investime Kosovë-Turqi

Pas dekretimit nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë mes Kosovës e Turqisë është rritur interesimi për bashkëpunim ekonomik dhe investime mes Kosovës e Turqisë.

Türkiye heyeti Kosova temasları_yeni yatırımlar.jpg
kosova-turkiye-900x450-ekonomik-iliskiler.jpg
Kosova Başbakanı Ramush Haradinaj_Sırbistanla görüşmeler hakkında açıklama.jpg
Kosova PDK lideri Kadri Veseli_yolsuzlukla mücade.jpg
Anton Berisha_Vodaphone hk. suçlamalara cevap verdi.jpg
Fehmi Mehmeti_IMF Gen.Müd.Yrd._Tao Zhang.jpg

Shtohet interesimi për investime Kosovë-Turqi

Një delegacion i sipërmarrësve nga Turqia, kanë qëndruar në Kosovë ku janë takuar me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Mundësia e investimeve turke në Kosovë, dhe tregtia e lirë, ishin në fokus të këtij takimi.

Ministri Shala tha se që nga vitit 2007 deri më sot në Kosovë nga kompanitë turke janë investuar 331 milionë euro. Ai ka shtuar se Turqia është partneri i parë me vendet e rajonit si dhe është partneri i tretë me vendet e Bashkimit Evropian për nga Investimet dhe Tregtia.

Kosova ka lehtësuar dhe me tutje procesin e investimeve të huaja në raport me Turqinë, duke nënshkruar marrëveshje të rëndësishme që shërbejnë për investitorët. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, përmendi këtu, ratifikimin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e cila lehtëson në mase të madhe investimet e dy anshme dhe nxitjen e tregtisë ne mes të dy vendeve. Duke folur për mundësitë që Kosova u ofron investitorëve të huaj, Shala përmendi tatimet më të ulta në Europë.

“Republika e Kosovës ofron tatime më të ulta në Europë, duke ofruar investitorëve të huaj vetëm 10% në profit të Korporatave, vetëm 5% kontributit të detyruar të pensioneve dhe një ndër benefitet kryesore që ka Republika e Kosovës për investitorët e huaj është që taksa në Dividendë e cila është 0%”, ka thënë ministri Shala.

E kryetari i organizatës ekonomike, DEIK-DTIK, Nail Olpak, derisa ka treguar për punën që bën organizata që ai udhëheqë, tha se nuk do të ketë vetëm import dhe eksport mes Kosovës dhe Turqisë, por do të ketë edhe rritje të investimeve në Kosovë.

“Mos e shihni DEIK si një marrëveshje Kosovë-Turqi por si një organizatë që ka marrëveshje me pothuajse të gjitha shtetet e botës. Në aspektin e  investimeve do të bëjmë më shumë punë, po ashtu edhe në kuadër të këtij takimi. Nëse kemi kërkesa nga Këshilli jonë, ne do të bëjmë punë vullnetare. Me 5-6 shtator në Izmir kemi një konferencë, ku edhe Kosova është e ftuar”

Sipas të dhënave nga Dhoma Tregtare Kosovaro-Turke, Kosova importonte mallra në vlerë prej mbi 128 milionë eurosh nga Turqia në vitin 2008, ndërsa kjo shifër është rritur në mbi 334 milionë euro në vitin 2018. Në të njëjtën mënyrë, Kosova realizonte eksporte në vlerë prej 3 milionë eurosh në vitin 2008 ndërsa në vitin 2018 eksportet arritën vlerën prej 8,4 milionë eurosh.

*

Kryeministri Haradinaj nuk pranon të bisedojë me Serbinë pa temën e njohjes

Kryeministri Ramush Haradinaj përsëriti qëndrimin e tij për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se Kosova që 20 vjet është në proces të dialogut dhe se të njëjtit nuk po i shihet fundi. Prandaj, sipas tij, Kosova duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve vetëm kur definohen dy tema – ajo e njohjes reciproke Kosovë-Serbi dhe ajo e tregtisë së lirë.

“Kur të ulemi, të ulemi për atë që është kryesore e që është njohja. Nëse pranojmë me u ulë më herët edhe për më pak do të mbetemi prapë në proces me vitë të tëra si jemi realisht. Nëse durojmë, qëndrojmë e nuk dorëzohemi, se ka përpjekje me u ulë e me u dorëzu, ka përpjekje me na ftua vetëm për proces, e jo për për qëllimin final, që është njohja reciproke, ajo që na ka mbetë, e unë jam kundër që Kosova me u dorëzu në këtë etapë”, tha kryeministri.

Haradinaj po ashtu tha se shkëmbimi i territoreve apo lëvizja e kufirit Kosovë-Serbi është temë e cila e shqetëson edhe rajonin. Prandaj, qëndrimi i kryeministrit të Maqedonisë Veriore, për këtë çështje nuk ishte risi. Ai ka shpjeguar po ashtu se marrëdhëniet ndërmjet AAK-së dhe Nismës nuk rrezikojnë prishjen e koalicionit qeverisës.

“Marrëdhëniet e AAK-së me Nismën datojnë me vite, pra që nga koha e VLAN-it, pra që atëherë ne kemi ndërtuar partneritet së bashku atëherë kemi hyrë në koalicion me PDK-në. Në raste të tilla ka përplasje të zyrtarëve. Kam respekt për Nismën dhe Limajn sikurse edhe ata që kanë respekt për ne”, tha Haradinaj.

Kryemisnitri foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, i cili tha se është premtues.

Komentet Haradinaj i bëri pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilën u morën disa vendime për shpronësim të pronave dhe u miratuan disa rregullore siç ishte ajo për integrimin e të huajve. Kryeministri Haradinaj ndër të tjera ka kërkuar mirëkuptimin e diasporës për kartonin e gjelbër, duke thënë se janë duke punuar që taksa e kartonit të gjelbër të hiqet.

*

Haradinaj nis sezonin e korrje-shirjeve 

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar rajonin e Kamenicës, ku bashkë me bujqit e Kamenicës, e nisi të premten sezonin e ri të korrje–shirjeve në fshatin Kopernicë. Haradinaj ka shkruar se rajoni i Kamenicës është vend i përshtatshëm për investitorë dhe zgjerimin e kapaciteteve të atyre që tashmë kanë investuar si dhe përkrahja e Qeverisë për këta prodhues, do të jetë gjithmonë e pa-rezervë!

“Investimi milionësh, në Kopernicë të Kamenicës, në kultivimin e arrave në një hapësirë prej 50 hektarësh dhe me mijëra fidanë të mbjellë, përveç që dëshmon për guximin e ndërmarrësve vendorë, është edhe veprim i duhur dhe me interes demografik e ekonomik për vendin. Rastet si ky, që kanë përfituar nga mbështetja për bujqësi e Qeverisë dhe popullit të Kosovës, e kthejnë vendin në një ekonomi të qëndrueshme, hapin vende të reja të punës dhe përmbushin nevojat e tregut tonë”, ka potencuar Haradinaj.

*

PDK thotë se do ta luftojë korrupsionin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur përsëri për luftën kundër korrupsionit, duke thënë se kjo si dhe promovimi i mundësive të barabarta për rininë janë potencialet themelore të PDK-së. Veseli shtoi se krijimi i kushteve dhe mundësive të barabarta për rininë, do t’i ndalë ata në Kosovë dhe nuk do t’i lejoj që të vazhdojnë ta lëshojnë vendin.

“Nuk mund të na ndalojë asgjë dhe askush në këtë rrugëtim. Ne do ta luftojmë korrupsionin dhe nepotizmin deri në fund. Dhe do të krijojmë mjedis të përshtatshëm për ndërmarrësin dhe  inovacionin dhe do të fuqizojmë rolin dhe përgjegjësinë e inovatorëve të rinj dhe ndërmarrës në këtë drejtim”, tha Veseli.

Ai këto komente i bëri gjatë prezantimit të ministrit të ri të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Myzafer Shala, i cili tha se Kosova ka një potencial shumë të madh në fushën e Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Do të jem i përkushtuar me nder dhe moral që me i shty përpara të gjitha këto gjërat dhe në një formë Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ta krijojë si një derë të hapur, ku të rinjtë mund të vinë dhe ti transformojnë idetë e tyre si gjëra dhe shërbimet më të mirë të Kosovës, të rajonit por edhe më gjerë”, tha ministri i ri.

Javë më parë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i kishte shkarkuar nga pozita të gjithë zyrtarët e partisë së tij që kishin aktakuza ose dyshime për vepra penale, ndër të cilët edhe ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj.

*

Berisha e quan përrallë aplikimin e Vodaphone 

Ish-kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikimit (ART), Anton Berisha, u intervistua nga Komisioni Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala. Berisha u pyet për licencat që janë lëshuar gjatë mandatit të tij 5-vjeçar, nga 2003 deri ne 2008, duke u përgjigjur se licencat u janë dhënë operatorëve, por menaxhimi nuk është përgjegjësi e tyre. Deputetja Blerta Deliu tha se kompania Vodafon është tërhequr nga aplikimi për shkak të parregullsive. Ndërkaq Berisha këtë gjë e quajti përrallë.

“Nuk kanë mund të fitojnë të gjithë. Krejt palët e pakënaqura për 100 mijë arsye i kanë sajuar këto tema. Ajo me Vodafon është përallë, ata kur s’kanë apliku, kanë apliku në gazeta”, tha Berisha.

Edhe anëtarët tjerë të Komisionit patën shumë kritika për punën që është bërë sa i përket dhënies së licencave.

*

Për Telekomin ka folur edhe Albin Kurti

Për Telekomin është shprehur edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Përmes rrjetit social, ai ka thënë se asnjë fjalë nuk ka thënë qeveria për njëvjetorin e Rezolutës së Kuvendit për Telekomin e Kosovës.

“Më 12 korrik 2018 u mor vendimi edhe që duhet të mbrohet Telekomi, edhe si duhet të nxjerret nga kriza ai. Asnjë fjalë asnjë zyrtar. Aty në 12 pika përshkruhen hapa të cilët nëse ishin ndërmarrë me kohë nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse, sot Telekomi do të kishte marrë frymë lirisht. Por PANQeveria zgjodhi të eksperimentojë me persona joprofesionistë e të kompromentuar nga radhët e tyre, në krye të Telekomit”, ka shkruar ai.

Aktualisht qeveria dhe drejtuesit e Telekomit po hamendësohen a do t’ia shkëpusin apo jo kontratën Z-Mobile dhe kur do t’ia paguajnë gjobën arbitrare, në vend se prerazi të merrnin vendim për ndërprerjen e saj dhe ta dërgonin në organet e sigurisë e drejtësisë këtë rast të krimit të organizuar, ka potencuar më tej Kurti.

“Në ekonominë e vendit tonë, Z-Mobile nuk është krijuese e vlerës dhe pasurisë, por rrëmbyese e tyre. E ky rast nuk është i izoluar. Ai përshkruan sferën e tyre të veprimit: grabit, grabit, grabit. Një herë nga e mira publike, një herë si kompani në kurriz të publikes dhe një herë si gjobë ndaj publikes.”

“Telekomi do t'u mbijetojë grabitësve. Padyshim. Por si në çdo fushë nevojitet organizim i profesionistëve të ndershëm, i punëtorëve të devotshëm dhe i sindikatës aktive. Mbështetja jonë nuk ka për të munguar”, ka përfunduar Kurti.

*

Delegacioni i BQK-së takon zv. drejtorin e FMN-së

Delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës, BQK-së i udhëhequr nga Guvernatori Fehmi Mehmeti, po merr pjesë në Konferencën e organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore e Kroacisë, me titull “Demografia, punësimi dhe rritja: në drejtim të së ardhmes së Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, e cila po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë.

Gjatë kësaj Konference, delegacioni i BQK-së, i udhëhequr nga Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takim me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti shfrytëzoi rastin për të falënderuar Zhang për miratimin e misionit të Shqyrtimit të Stabilitetit të Sistemit Financiar (anglisht: Financial System Stability Revieë-FSSR), i cili shqyrtim ka qenë jashtëzakonisht i dobishëm për BQK-në për diagnostifikimin e gjendjes së sistemit financiar të Republikës së Kosovës.

Gjatë konferencës, Guvernatori prezanton pikëpamjet e Kosovës lidhur me faktorët demografik dhe ndikimi i tyre në tregun e punës, si në Kosovë ashtu edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast Guvernatori Mehmeti tërhoqi vëmendjen te nevoja e orientimit të fokusit, jo vetëm në aspektet pozitive, por në nevojën për hulumtime më të detajuara për të kuptuar drejtë edhe efektet negative të emigracionit për vendet tona.

Ai gjithashtu theksoi nevojën e adresimit të kësaj çështje me një qasje shumë-dimensionale për Ballkanin Perëndimor, në veçanti përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, fuqizimin e institucioneve dhe politikave ekonomike për të krijuar një ambient që inkurajon jo vetëm qëndrimin, por edhe kthimin e diasporës në vendet tona, përfshirë kapitalin për investimin në vendet e origjinës.



Lajme të ngjashme