Sezoni turistik në Ulqin po jep rezultatet e para pozitive, rritet numri i turistëve

Bregdeti i Ulqinit tashmë ka hyrë në vlugun e sezonit turistik që sjell në këtë qytet turistë nga rajoni dhe Evropa.

1234182
Sezoni turistik në Ulqin po jep rezultatet e para pozitive, rritet numri i turistëve

Vera 2019 – Turistët nga Kosova dhe diaspora kosovare mbajnë gjallë turizmin e Ulqinit

Organizata Turistike e Ulqinit njofton se në hotele janë duke pushuar mbi 6.000 turistë, një rritje për 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në kampe 879, ndërkaq në sektorin privat të regjistruar janë rreth 15.000 turistë, që është 17% më shumë se një vit më parë. Mirëpo gjykuar nga frekuentimi i rrugëve dhe plazheve dhe radhët e gjata të automjeteve, kjo shifër duhet të jetë shumë më e lartë. Andaj strukturat udhëheqëse komunale në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit po marrin  masa shtesë dhe i tërheqin vëmendjen qiradhënësve që të regjistrojnë mysafirët dhe të paguajnë taksën e banimit. Një tjetër risi këtë vit është vendosja e rregullit në parking nga organizata e porsaformuar “Shërbimi i Parkimit Ulqin”. Në njoftimet e lëshuara për banorët dhe turistët thuhet se do të ndëshkohet secili vozitës që shkel këto rregulla dhe që nuk paguan parkimin në zonat e shënuara.  Shërbimi i parkimit ka ditë që ka njoftuar vendasit dhe turistët se  mund të pajisen me kartat përkatëse ditore, mujore ose vjetore. Ky shërbim vendoset për herë të parë në Ulqin dhe duket se po jep rezultatet e para pozitive sa i përket rregullit për parkim.

*****

Presidenti i Mali të Zi, Millo Gjukanvoiq, në Sarajevë: Na brengos ngadalësimi dhe mjegullimi i politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian

Presidenti i  Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, mori  pjesë në Samitin 12. të Vendeve të Ballkanit në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili u mbajt në Sarajevë. “Ne në Mal të Zi fuqishëm besojmë se perspektiva evropiane është garancia e vetme e paqes, sigurisë dhe prosperitetit për vendet e  Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Gjukanoviq duke shprehur dhe brengosje lidhur me ngadalësimin  dhe hedhjen në hije të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Siç bëhet e ditur nga kabineti i Presidentit, Gjukanoviq ka thënë se dy janë përshtypjet e krijuara para këtij samiti.  E para është ngecja e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mesazhet dekurajuese nga adresat e rëndësishme evropiane. Këtë e vërejmë në shtyrjen për në vjeshtë të hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ende nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën, si dhe Mali i Zi ende nuk ka marrë dritën e gjelbër për hapjen e kapitullit të fundit të aderimit. Në takimin e nivelit presidencial në Jahorinë të Bosnjë-Hercegvoinës, Gjukanoviq ka përmendur edhe çështjen e  mesazheve dekurajuese nga adresat më të rëndësishme të politikës evropiane sa i përket aderimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ai ka shkuar edhe më tej. “Ndoshta do të duhet që shumë shpejt të hapim çështjen e perspektivës së zgjerimit dhe a jemi ende partner të privilegjuar apo kthehemi në pozicionet e vjetra të fqinjësisë, të cilët brengosen për perspektivën e kontinentit të përbashkët”, ka thënë Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në Samitin e Sarajevës.

*****

Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve takohen me shefin e delegacionit të BE-së

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, me bashkëpunëtorë zhvilluan një takim pune në zyrën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë, në të cilin u mirëpritën nga ambasadori Aivo Orav. Në këtë takim, kryetari i Këshillit prezantoi gjendjen aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi, sfidat me të cilat shqiptarët ballafaqohen dita-ditës dhe përcolli qëndrimet e Këshillit për të ardhmen. Ai shprehu shqetësimin për rënien e vazhdueshme të numrit të shqiptarëve në Malin e Zi, si shkak i natalitetit të ulët dhe emigrimit të vazhdueshëm. Po ashtu shqetësime u shprehën edhe për  integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore publike në të gjitha nivelet, sipas proporcionit, për gjendjen  e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, problemet me planet e punës në lëndët që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, problemet me përkthimet e kurrikulës mësimore, toponimet dhe emrat e personazheve në ilustrime dhe shembuj të dhënë. Po ashtu diplomatit të lartë evropian iu prezantua edhe situata e vështirë sa i përket  përdorimit të gjuhës shqipe dhe toponimeve në gjuhën shqipe, çështja e përdorimit të simboleve kombëtare dhe problemet me mospërputhjen e ligjeve,  nevoja për t'u konsultuar përfaqësuesit shqiptarë në proceset e vendimmarrjes kur bëhet fjalë për planifikimin hapësinor, përdorimin e burimeve natyrore të zonave ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, kujdesi për kulturën, trashëgiminë kulturore, vendet arkeologjike në zonat e banuara nga shqiptarët në Mal të Zi, situata e mediave dhe informimit në gjuhën shqipe, situata socio-ekonomike dhe infrastruktura. Kryetari i Këshillit, Faik Nika, po ashtu përmendi rëndësinë e mundësive për bashkëpunim brenda institucioneve dhe vendosjen e një komunikimi të rregullt për shprehjen e shqetësimeve dhe çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi. Ambasadori Aivo Orav falënderoi Këshillin për vizitën që i bëri Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe për prezantimin e çështjeve dhe gjithashtu shtoi rolin konstruktiv dhe rëndësinë e pakicave për integrimin e Malit të Zi në BE.

*****

Partitë e pakicave në Kuvendin e Malit të Zi kërkojnë përsëri ndalimin e dënimeve për përdorimin  e simboleve kombëtare

Përfaqësuesit e partive të pakicave në Kuvendin e Malit të Zi kërkuan përsëri ndalimin e dënimeve për simbolet kombëtare. Deputetët e Koalicionit të Shqiptarëve, Genci Nimanbegu, Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq dhe Iniciativës Qytetare Kroate, Adrijan Vuksanoviq, i kanë dorëzuar Kuvendit të Malit të Zi propozimin për ndryshimin e ligjit për rregullin dhe qetësinë publike, në mënyrë që të mos ketë dënime për shkak të përdorimit të simboleve kombëtare. Propozimin në fjalë e kishin dorëzuar edhe në dhjetor të vitit të kaluar, por për të nuk pati shumicë, pasi nuk u përkrah nga deputeti i Partisë Liberale, Andrija Popoviq. Me ligjin aktual, shpallja publike e simboleve të shteteve të tjera mund të cilësohet si provokim dhe tërheq dënime prej 100 deri në 500 euro. Ndërkaq, deri me tani raste të shënuara të gjobitjes kishte vetëm kur është në fjalë flamuri shqiptar.

*****

Edhe në Mal të Zi do të shënohet tre vjetori i puçit të dështuar në Turqi

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) organizon nesër panel diskutimi dhe ekspozitë me rastin e shënimit të trevjetorit të puçit të dështuar në Turqi, ndërmarrë më 15 Korrik 2016 nga ana e organizatës terroriste guleniste (FETO). Në panel, i cili këtë vit është planifikuar të organizohet në Rozhajë, do te flasin ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan, përfaqësuesi i Meshihatit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi,  Sadmir Haxhliq, deputeti në Parlamentin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Salmir Kaplan dhe publicisti Avdi Salkoviq.

*****

Kuarteti nga Turqia prezantohet në festivalin e muzikës në Herceg-Novi

Grupi i muzikës klasike nga Turqia "Crisantem Quartet" merr pjesë në Festivalin  36. Ndërkombëtar të Muzikës në Herceg-Novi. Ky aktivitetet mbahet nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi dhe komunës së Herceg-Novit. Falë angazhimit të Institutit “Yunus Emre”, në Podgoricë për të parën herë në këtë festival merr pjesë dhe kuarteti nga Turqia, në përbërjen e të cilit është dhe pedagogia e Konservatorit Shtetëror të Universitetit të Trakisë, Lejla Osmanzade Erkin. Koncerti i kuartetit turk do të shfaqet të shtunën, me 13 korrik.  

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme