Greqi – Kyriakos Mitsotakis betohet dhe fillon mandatin e kryeministrit

Lideri i Partisë Demokracia e Re (ND), Kyriakos Mitsotakis, fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të zhvilluara më 7 korrik në Greqi, mori të hënën postin e kryeministrit të vendit.

Kiriakos Micotakis2.jpg
Kiriakos Micotakis1.jpg

Ai u betua duke vendosur dorën mbi Bibël gjatë një ceremonie fetare në Pallatin Presidencial.

Ceremonia fetare u realizua në prani të Presidentit grek, Prokopios Pavlopulos dhe u drejtua nga Kryepeshkopi Jeronim i Athinës.

Pas betimit, të parët që e uruan Kryeministrin Mitsotakis ishin bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

“Dje populli grek na dha një mandat të fuqishëm që të ndryshojmë Greqinë dhe këtë mandat do ta nderojmë deri në fund. Prej sot përveshim mëngët dhe kam besim të plotë tek mundësitë tona për tu treguar të denjë”, tha kryeministri i ri grek në një dalje publike pas ceremonisë së betimit.

Në vijim, Mitsotakis iu drejtua Zyrës Kryeministrore për të marrë detyrën në dorëzim nga kryeministri në largim, Alexis Tsipras, i cili e priti atë në hyrje dhe e uroi për detyrën e tij të re.

Pasi mori detyrën e kryeministrit në dorëzim, Mitsotakisi ndoqi largimin e Tsiprasit nga porta e ndërtesës së qeverisë.

Lindur në Athinë më 4 mars 1968, kryeministri i ri i Greqisë është i martuar me sipërmarrësen me origjinë polake, Mareva Grabowski, me të cilën ka 3 fëmijë.

Fakti që Kyriakos Mitsotakis është djali i ish-kryeministrit Konstantinos Mitsotakis, një prej figurave kryesore të politikës greke në vitet ’90, vëllai i ish-kryebashkiakes së Athinës dhe ish-ministres së Jashtme, Dora Bakoyannis, si dhe daja i kreut aktual të Bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis, ka ngjallur kritika që e quajnë këtë familje një “dinasti”.

Ndërkaq 6 forca politike hynë në Parlamentin e ri grek, sipas rezultateve të pjesshme të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku bie në sy fitorja historike e ND-së dhe mungesa e partisë së të djathtës ekstreme, Agimi i Artë.

Ndarja e votave dhe posteve të secilës parti në Parlament është si më poshtë:

Demokracia e Re – 39,78 për qind me 158 vende në Parlament

SYRIZA – 31,56 për qind me 86 vende

ΚΙΝΑL – 7,97 për qind me 22 vende

Partia Komuniste e Greqisë (ΚΚΕ) – 5,34 për qind me 15 vende

Eltiniki Lysi (Zgjidhja Greke) – 3,74 për qind me 10 vende

MeRA25 – 3,47 për qind me 9 vende.



Lajme të ngjashme