Azerbajxhani një ndër investitorët më të mëdhenj në Mal të Zi

Vizita e Kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq në Baku, konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve.

1225950
Azerbajxhani një ndër investitorët më të mëdhenj në Mal të Zi
Duhsko Markovic_Novruz Mamadov_2.jpg
Duhsko Markovic_Azerbaycan ziyareti3.jpg
Duhsko Markovic_Azerbaycan ziyareti2.jpg
Damir Shehoviq_Tuz_kreş.jpeg
Karadağ_Helal Gıda Fuarı.jpg
Color of Albania sergisi_Tuz_Karadağ2.jpg

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq qëndroi për një vizitë pune në Azerbajxhan

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq qëndroi për vizitë zyrtare në Azerbajxhan. Ai u prit nga zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe mori pjesë në forumin e afaristëve të dy vendeve. Në takimin që pati me homologun e tij, Novruz Mamadov, u pajtuan se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë tradicionalisht miqësore, që i karakterizon dialogu intensiv politik dhe një shkallë e lartë mirëkuptimi dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri Markoviq ka thënë se Mali i Zi me potencialin e tij modest është i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe përkrah sovranitetin dhe pavarësinë e vendeve partnere, ndër të cilat është dhe Azerbajxhani. Të dy kryeministrat kanë vlerësuar se të dyja shtetet gëzojnë frytet e pavarësisë të fituar me shumë sakrifica. Fjala është për vende multietinke dhe multikonfesionale, të cilat në mënyrën e vet japin ndihmesë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Kryeministri i Malit të Zi, Markoviq është shprehur i kënaqur me investimet e Azerbajxhanit në Mal të Zi, të cilat në kompleksin turistik “Porto Novi” kalojnë mbi 100 milion euro duke e radhitur Azerbajxhanin si një ndër investitorët më të mëdhenj në vend. Ai i bëri ftesë homologut të tij Mamadov që vitin e ardhshëm të vizitojë Malin e Zi dhe të marrë pjesë në hapjen solemne të këtij kompleksi të madh turistik. Sipas numrit Një të qeverisë malazeze, investimet nga Azerbajxhani i kontribuojnë perspektivës së dinamikës ekonomike të Malit të Zi. Ai tha se ky bashkëpunim i suksesshëm duhet të zgjerohet dhe të vazhdojë dhe në fusha të tjera. Në ditën e dytë të qëndrimit në Baku, Markoviq mori pjesë dhe në Forumin e Afaristëve të dy vendeve, ku u shpreh se Mali i Zi është vendi më stabil në Ballkanin Perëndimor, vend me rritje të lartë ekonomike dhe investime në infrastrukturë, të cilat kanë shënuar rritje pas anëtarësimit të vendit në NATO. Sipas tij stabiliteti është parakusht i zhvillimit ekonomik e krahas saj me rëndësi edhe për politikën. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte sinjal për investitorët që Mali i Zi është destinacion me siguri të lartë që u garanton standarde partnerëve të huaj dhe me të krijohet një ambient i përshtatshëm i investimeve. Markoviq tha se tani prioritet për vendin është zhvillimi i veriut dhe me këtë rast u bëri ftesë investitorëve nga Azerbajxhani që të investojnë në bujqësi. Për këtë investitorëve të interesuar do t’u ofrohen dhe lehtësira, ka premtuar ai.

Miratohet vendimi për shpalljen e kripores Park Natyror

Kuvendi i Ulqinit në seancën e fundit miratoi njëzëri vendimin që kriporja e këtij qyteti të shpallet Park Natyror. Kjo gjë ndodh pas shumë vitesh dhe pas rekomandimeve të Komisioni Evropian, i cili në dhe në raportin e fundit të progresit e ftoi Komunën e Ulqinit dhe Qeverinë e Malit të Zi që të miratojë dokumentin për mbrojtjen e Kripores dhe shndërrimin e saj në Park Natyror. Propozimvendimin për shpalljen e parkut të natyrës “Kriporja e Ulqinit” zgjoi mjaft interesim si nga ana e këshilltareve ashtu edhe nga ana e organizatave të shoqërive civile, te cilat kanë shfrytëzuar karrigen e lirë. Pas disa orë debate të gjithanshme, u miratua një propozim konkret për ish-gjigantin, Kriporen e Ulqinit, e cila në vitin 2011 falimentoi për 13 mijë euro, kurse qe nga viti 2013 nuk ka prodhuar kripë. Vendimi i miratuar do të hyjë në fuqi në shtator të vitit 2020, kurse deri atëherë atë do ta menaxhoje Ndërmarrja Publike për Parqet Nacionale. Përveç vendimit në fjale, këshilltarët kanë votuar edhe një vendim shtesë, i cili parasheh që gjuetarëve t’u mundësohet një zonë për gjueti.

Thellohet bashkëpunimi kulturor midis Ulqinit dhe Maqedonisë së Veriut

Në Ulqin qëndroi për vizitë pune Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Valmir Azizi. Ai u takua me kryetarin e Ulqinit, Loro Nrekiq dhe nënkryetaren, Hadixhe Gjoni. 

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e bashkëpunimit që Komuna e Ulqinit ka me Tetovën, Çairin, Shkupin dhe nevoja e thellimit të bashkëpunimit, veçmas në fushën e kulturës. Palët ranë dakord që ky bashkëpunim të thellohet në fushën e trashëgimisë, artit aplikativ skenik, nëpërmes takimeve me krijues dhe botues etj. Po ashtu u tha se gjatë kësaj vere në Skenën e Festivalit veror dhe në aktivitete të tjera që zhvillohen në Ulqin, do të jenë të pranishëm dhe artistë nga Maqedonia e Veriut dhe anasjelltas.

Përfunduan punimet në ndërtimin e Kopshtit për Fëmijë në Tuz  

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj me bashkëpunëtorë pritën në një takim ministrin e Arsimit të Malit të Zi, Damir Shehoviq, bashkë me drejtorin e përgjithshëm për arsimin e pakicave, Marash Dukaj. Ata vizituan kopshtin e fëmijëve në Tuz, punimet e të cilit përfunduan dhe që kapin shumën prej 1,7 milion euro. Ministri Shehoviq theksoi se kopshti në Tuz është ndërtuar në kuadër të projektit me Bankën për zhvillim të Këshillit të Evropës (CED) dhe njëkohësisht paralajmëroi edhe disa projekte të tjera me këtë bankë. Ndërsa, Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj potencoi marrëdhëniet e mira me Ministrinë e Arsimit, dhe theksoi kontributin e Komunës, e cila mundësoi ndërtimin e kopshtit në pronën e saj me vlerë prej 400 mijë euro si dhe lirimin nga taksat komunale lokale. Gjithashtu Komuna do të përfundojë të gjitha punimet në aksin rrugor përreth kopshtit. “U jemi mirënjohës Ministrisë së arsimit dhe Qeverisë së Malit të Zi për partneritet kur është fjala për projekte të tilla, në Komunën tonë”, deklaroi Gjeloshaj. Kopshti i fëmijëve në Tuz është i ndërtuar me të gjitha standardet dhe do të ketë vend për afro 200 vogëlushë, përmban 11 dhoma pune, hapësirë multifunksionale, kuzhinën, ambiente për punonjësit si dhe përmbajtje të tjera të nevojshme.

Në Tuz hapet ekspozita e fotografive “Color of Albania” 

Në organizimin e Ambasadës së Shqipërisë në Malin e Zi, dhe të QKI “Malësia”, në Tuz, u hap ekspozita e fotografive “Color of Albania”. Ekspozitën e shpalli të hapur Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi. Në hapje përpos zyrtarëve nga Ambasada e Shqipërisë në MZ, mori pjesë edhe zv.Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, z. Enver Buçaj, si dhe dhjetëra qytetarë nga Malësia, ndër ta edhe përfaqësues të Komunës së Tuzit, në krye me Kryetarin e Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, Kryetarin e Parlamentit Fadil Kajoshaj, si dhe zyrtarë të tjerë. Në fjalën e rastit Ambasadori Kurtezi tha se kjo është një ekspozitë, e cila përmes fotografive pasqyron copëza nga Shqipëria jonë, që tregojnë se ne kemi vlera, tradita, natyrë e gjeografi, të cilat ja vlen t’ia rrëfesh tjetrit. Fotografitë janë në vetvete rrëfenja të ngrira në kohë dhe një kujtesë nga kapja e një çasti të ikur përgjithmonë, diçka që kurrë nuk mund të përsëritet dhe kjo është pikërisht ajo çka e bën fotografinë, një formë unike arti. Veçantia e kësaj ekspozite qëndron te dëshira për të arritur jo vetëm një audiencë të gjerë, por për të treguar edhe një anë tjetër të atdheut tonë – Shqipërinë mikpritëse me natyrën e saj të mrekullueshme”, theksoi Kurtezi. Në fjalën e tij ambasadori Kurtezi tha se lidhjet e shqiptarëve jashtë kufirit me Shqipërinë janë lidhje që nuk mund të shkëputen kurrë, por ato kanë njëkohësisht nevojë të ushqehen. Fotografitë e ekspozuara, janë punime spontane nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe paraqesin viset e ndryshme nga bukuritë e trojeve shqiptare. Z. Kurtezi në fund i ftoi të gjithë ata që merren me fotografi, e veçanërisht të rinjtë që të bëhen pjesë e edicioneve të ardhshme të “Color of Albania”. Të shtojmë që po e njëjta ekspozitë është hapur edhe në Ulqin në Mars të këtij viti.

Për herë të parë në Mal të Zi organizohet panairi i prodhimeve të Industrisë Hallall

Në një organizim të Shoqatës për Promovimin dhe Zhvillimin e Ekonomisë Islame, sot në Podgoricë u hap panairi “Montenegro Hallall Fair”, i cili ka tubuar mbi 30 prodhues nga vendi dhe rajoni. Përndryshe sektori i ekonomisë islame nga dita në ditë është në zhvillim e sipër e këtë e dëshmojnë dhe përfaqësuesit e këtij panairi nga Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia etj. Në kuadër të Panairit, i pari i këtij lloji që organizohet në Mal të Zi, në Dhomën Ekonomike është paralajmëruar dhe tryeza e rrumbullakët ku eksperti kroat i kësaj fushe Aldin Dugonjiq do të flasë për industrinë hallall dhe për zhvillimin gjithnjë e më të madh të kësaj industrie, veçmas në fushën e turizmit.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme