Dështon Samiti i Parisit, akuza Haradinajt edhe për takimin e fshehtë në Berlin

Samiti i Parisit i paraparë që të mbahet më 1 korrik nuk do të mbahet. Në këtë samit ka qenë e paraparë të diskutohet vazhdimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, e i cili ishte paraparë të mbahej në organizim të Francës dhe Gjermanisë.

1224375
Dështon Samiti i Parisit, akuza Haradinajt edhe për takimin e fshehtë në Berlin
Ramush Haradinaj_Angela Merkel_Emmanuel Macron.jpg
Avni Arifi_Marko Gjuriq.jpg
Hashim Thaçi_Berlin-deki gizli görüşmeden haberi yoktu.jpg
Kosova Priştine Belediye Başkanı_Shpend Ahmeti.jpg
Kosova tüketici hakları_ceza.jpg
Kosova_iki madaly_minsk 2019 avrupa oyunları.jpg

Dështon Samiti i Parisit, akuza Haradinajt edhe për takimin e fshehtë në Berlin

Samiti i Parisit ishte paralajmëruar pas mbajtjes së atij të Berlinit më 29 prill, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Por, mbajtja e tij ka dështuar.

Presidenti Hashim Thaçi, i ka fajësuar institucionet shtetërore të Kosovës për dështimin e Samitit të Parisit.

“Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka thënë Thaçi.

Anulimi i samitit të Berlinit, sipas presidentit Thaçi, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë e ndërkombëtarë, pasi sipas tij, shënon një hap prapa për dy vendet në rrugën evropiane.

Por, në lidhje me këto akuza ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj. Po ashtu në Facebook, kryeministri e ka akuzuar presidentin Thaçi që pjesë të dialogut e kishte bërë edhe territorin e Kosovës.

“Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë Pazar me sovranitetin dhe integritetin është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik,” ka shkruar Haradinaj.

*

Kritika Haradinajt edhe për takimin e fshehtë në Berlin

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk i di arsyet e shtyrjes së Samitit të Parisit. E dështimit të samitit duket se I ka paraprirë mos-ujdia gjatë një takimi të fshehtë të zyrtarëve nga Prishtina e Beogradi. Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, ambasadori Avni Arifi dhe këshilltari I presidentit të Serbisë, njëherit shef I zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, janë takuar pa paralajmërim në Berlin. Mos ujdia për çështje të rëndësishme ka bërë që zyrtarët e BE-së të anulojnë Samitin e Parisit, pa dhënë arsye dhe me gjasë për ti ikur dështimit. Arifi, i cili ka kryesuar për disa muaj dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe është pjesë e delegacionit negociues të formuar me rezolutë nga Kuvendi, sipas kryeministrit Haradinaj ka të drejtë të shkojë në takime të tilla. Haradinaj tha se nuk i di arsyet e dështimit të Samitit.

“Arsyeja pse është shtyrë takimi i Parisit nuk e di, mund tëi japin të gjithë të tjerë. Por mund të ju siguroj një gjë, se Kosova është palë serioze. Kosova e di se cka don dhe vazhdon rrugën e vet”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha se takimi ishte formal dhe në të u fol vetëm për zbatimin e marrëveshjeve teknike të arritura mes Kosovës e Serbisë, nga vitit 2013. Ai tha se dialogu me Serbinë nuk është kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Dialogu e ndihmon atmosferën politike, por nuk është kusht për liberalizimin e vizave. Gjermania pa e lidhë me këtë temë ka thënë po dhe po zbatohet pjesa teknike. Kosova ka plot arsye me qenë optimiste për këtë temë. Për shkak se vendet e BE-së do ta nderojnë obligimin që e kanë marrë vet, sepse Kosova i ka kry obligimet e veta, krejt kriteret që i ka pasur Kosova i ka kryer”, tha Haradinaj.

*

Thaçi i pa-informuar për takimin e fshehtë

Zyra e Presidentit të Kosovës përmes një deklarate ka sqaruar për opinionin publik se nuk ka qenë e informuar për takimin e fshehtë që pati një ekip i kryeministrit në Berlin.

“Poashtu nuk kemi marrë ende asnjë informacion zyrtar se çfarë është biseduar në këtë takim. Takime të tilla të paparalajmëruara, të fshehta dhe të pakoordinuara, nuk ndihmojnë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, aq më parë kur tashmë kemi Ekipin Negociator, i cili ka për detyrë negocimin e çfarëdo teme me Serbinë. Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për obligim kushtetues dhe ligjor që të jenë transparente para qytetarëve të Kosovës për një proces kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm siç është dialogu Kosovë-Serbi”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentit.

*

Reagojnë VV dhe LDK për takimin e fshehtë

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar takimin mes Avni Arifit dhe Marko Gjuriq në Berlin si antikombëtar. Ajo ka reaguar ashpër kundër këso takimeve të fshehta.

Po ashtu partia e dytë më e madhe në Kuvendin e Kosovës ka thënë se presidenti Thaçi po mundohet të ngjallë projektin e “Zajednicës” me takime të shumta të fshehta të cilat po ashtu i cilëson antikushtetuese.

E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se është takim i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm.

“Për takime të fshehta, është përmendur më parë Presidenti i vendit, ndërsa tani po dëshmohet se në të njëjtën rrugë është edhe Qeveria. Mos të habitemi, në qoftë se pas disa dite do të dëgjojmë edhe për një takim të fshehtë në Beograd ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive, që është shkelje absolute e principeve të dialogut. LDK është e bindur se dialogun nuk mundet dhe nuk duhet ta udhëheqë ky koalicion qeverisës dhe as Presidenti i vendit. Që të kemi dialog përmbajtjesor dhe të përgjegjshëm duhet të mbahen zgjedhjet, të dal një qeveri me besim të qytetarëve dhe të arrihet pajtueshmëri e gjerë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

*

Ahmeti i zemëruar për takimin e fshehtë në Berlin

Kryetari i Komunës së Prishtinës, dhe njëherit lideri i Partisë Social Demokrate, ka reaguar për takimin e fshehtë mes Avni Arifit dhe Marko Gjuriqit në Berlin.

Në një postim të tij në Facebook, Shpend Ahmeti thotë se vendimmarrja rreth dialogut i takon Kuvendit të Kosovës, dhe se kjo sipas tij ishte sanksionuar përmes Rezolutës për Dialogun që themeloi Delegacionin Shtetëror. Po ashtu Ahmeti ka shtuar se ky mekanizëm kishte sjellë transparencë sa i përket dialogut me Serbinë dhe se kjo tani më është shkelur.

“Takimet e tilla të fshehta bien ndesh me të gjitha parimet fundamentale që përfaqëson Delegacioni: pra është jo-transparent, larg syve të deputetëve e publikut, pa kurrfarë legjitimiteti”, ka shkruar Ahmeti.

*

Departamenti amerikan: Kosova dhe Serbia të shmangin provokimet, t’i kthehen dialogut 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të përkrahin dialogun, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Europian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit, në një deklaratë për Zërin e Amerikës, me rastin e anulimit të takimit të liderëve nga Kosova dhe Serbia, i cili ishte paraparë të mbahet më 1 korrik në Paris.

Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti i Shtetit, theksohet që “Beogradi dhe Prishtina duhet të largojnë pengesat.

“Ne jemi të gatshëm që t’i dëgjojmë dhe ndihmojmë të dyja palët dhe BE-në, si ndërmjetësues, që të gjejnë zgjidhje, për të cilën do të pajtohen të gjithë”, kanë thënë nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Senatori Ron Johnson, kryesues i nën-këshillit për Europë dhe bashkëpunim për siguri rajonale, në Këshillin e Senatit për Punë të Jashtme, ka thënë se është “dëshpëruar që takimi në Paris nuk do të mbahet”.

“Arritja sa më parë e marrëveshjes, do t’i kontribuonte stabilitetit të Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit. Shpresoj që liderët në Beograd dhe Prishtinë të takohen së shpejti, të vazhdojnë bisedimet dhe të vazhdojnë të punojnë për arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Johnson.

*

Kundërshtohet fshehja e financuesve të Partive Politike 

Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se Projektligji për financim të subjekteve politike është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës. Për këtë arsye, ata nuk morën pjesë në takimin e komisionit ad hock për përmirësimin e procesit zgjedhor, ani pse ishin të ftuar. Arbresha Loxha, drejtoreshë e  GLPS-së, tha se do të kthehen në Komision vetëm atëherë kur të pranohen edhe rekomandimet e shoqërisë civile për Ligjin për financimin e partive politike.

“Jemi të gatshëm të kthehemi në këto dy mekanizma nëse sigurohemi që do të kemi një ligj në frymën kushtetuese në përputhshmëri me rekomandimet e Këshillit të Ministrave dhe me standarde më të mira”, tha ajo.

E Valmir Ismajli, nga Organizata “Demokraci Plus”, tha se iniciativa e tyre përkrahet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në rast se projektligji kalon siç është aktualisht, Ismajli tregon për alternativat.

“Na mbesin disa alternativa të tjera: një është përmes Avokatit të Popullit, ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Por, do të kërkonim edhe nga Presidenti, i cili ka mundësi të mos e dekretojë nëse e sheh që projektligji është në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Shoqëria civile ka marshuar ditë më parë në shenjë pakënaqësie për Projektligjin për financimin e partive politike, projektligj ky që ka kaluar në lexim të parë. 

*

Mirëpritet vendimi i Veselit

Zyra e BE-së në Prishtinë, e ka mirëpritur vendimin e kreut t ë PDK-së, Kadri Veseli, për largimin nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarëve të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë në Kosovë. Në një reagim të shefes së zyrës së BE-së, Natalia Apostollova, thuhet se ky shembull duhet të ndiqet edhe nga e gjithë klasa politike në vend. 

“E mirëpres vendimin e lidershipit të PDK’së për të larguar nga postet publike të gjithë anëtarët e partisë që janë të akuzuar. Presim që ky standard të aplikohet në gjithë spektrin politik, nga të gjitha partitë”, ka shkruar Apostolova.

*

Punëtorët e Telekomit paralajmërojnë bojkot të punës 

Punëtorët e Telekomit kanë paralajmëruar bojkot nëse nënshkruhet marrëveshja e re me operatorin virtual të telefonisë mobile, Z-Mobile. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lami Balaj, në një konferencë për media, ka theksuar se si punëtorë kërkojnë ndalimin e kësaj kontrate të dëmshme.

“Z-Mobile po tenton që të fshihet nga drejtësia, duke tentuar që të shitet te Kujtesa”, ka thënë ai.

Balaj ka shtuar se nëse vazhdohet me kontratën, do të ketë pasoja të mëdha.

“Ne do ta bojkotojmë punën, në rast se nënshkruhet kjo kontratë”, ka thënë Balaj.

Ai ka potencuar se nga data 30 korrik punëtorët e Telekomit do ta bojkotojnë punën.

*

27 gjoba për shkelje të të drejtave të konsumatorëve

Në diskutimin e zyrës së BE-së “Të drejtat e konsumatorit, një vit  pas miratimit të ligjit për “Mbrojtën e Konsumatorit”, Sherif Fejzullahu, kryesues i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Kosovë, tha se ndonëse ligji për konsumatorin mund të konsiderohet i kompletuar, ai mund të ketë edhe mangësi.

“Nuk do të thotë se në shoqërinë tinë dhe tregun tonë nuk ka abuzime dhe tendenca për abuzim në lidhje me shumë profile në tregun në ushqim në cilësi dhe produkte tjera”.

E Tika Bosch këshilltare e lartë e OJQ spanjolle “Le konsumo”, tha se Kosova duhet të përdorë të gjitha instrumentet që i ka në dispozicion për të mbrojtur konsumatorin.

Ndërkaq, zyrtari ligjor nga BIRN, Arbër Kadriu, tha se prej bërjes së Ligjit për Konsumatorin, ata kanë ftuar qytetarët të raportojnë shkeljet e të  drejtave të konsumatorëve, ku edhe është pranuar një numër i madh i raportimeve:

 “Në mesin e ankesave të cilat i kemi përcjellë, rreth 27 prej tyre kanë rezultuar me gjetje ku ka pasur shkelje dhe janë shqiptuar gjoba, duke përfshire nga inspektoratet komunale në komuna të ndryshme pastaj në inspektoratin e nivelit qendror brenda ministrisë së Tregtisë dhe atyre që funksionojnë brenda Agjencive të pavarura”, tha ai.

*

Kosova fiton dy medalje në Lojërat Olimpike 

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi është shpallur kampione në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë në Lojërat Evropiane Minsk 2019, që po zhvillohen në Bjellorusi. Majlinda Kelmendi ia siguroi Kosovës medaljen e parë të artë në Lojërat Evropiane të këtij viti, pas fitores në finale kundër xhudistes ruse, Natalia Kuziutina.

Kurse xhudistja tjetër kosovare Nora Gjakova është shpallur nën-kampione në kategorinë e peshave deri në 57 kilogramë. Nora Gjakova ia siguroi Kosovës medaljen e dytë në Lojërat Evropiane të këtij viti. Ajo e fitoi medaljen e argjendtë, pasi në finale u mposht nga rusja Daria Mezhetskaia.

Kosova e vogël në ditën e dytë të Lojërave Olimpike ka lënë prapa shtete të mëdha si Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjën, Italinë, Gjermaninë, etj.

*

Trajneri Kuka i krahason Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën me minierën Trepça

Trajneri Driton Kuka i krahasoi dy xhudistet kosovare – Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën – me Trepçën, pasi ato të dyja ia fituan Kosovës nga një medalje në Lojërat Evropiane Minsk 2019.

Majlinda Kelmendi me medaljen e artë dhe Nora Gjakova me medaljen e argjendtë bëjnë që Kosova ta zë vendin e shtatë në listën e shteteve më të suksesshme në Lojërat Evropiane Minsk 2019.

Kjo arritje e ka bërë shumë krenar trajnerin e tyre, Driton Kukën, i cili postoi në llogarinë e tij në Facebook pas arritjes së dy kosovareve.

“Trepça prodhon ari edhe argjend! Majlinda e artë, Nora e argjendtë. Lojërat Olimpike Evropiane. Kosova mbi të gjitha …”, shkroi Kuka në Facebook.



Lajme të ngjashme