Mogherini: Të çelen sa më parë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ritheksoi të hënën nevojën e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Mogherini: Të çelen sa më parë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Mogherini organizoi një konferencë shtypi përpara takimit të rregullt të ministrave të Jashtëm të shteteve të BE-së në Luksemburg të martën.

“Unë dëshiroj të filloj me një koment pozitiv, pasi sot (17 qershor) është përvjetori i parë i nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mendoj se duhet ta kujtojmë fuqinë e lidershipit, guximit dhe hapat e rëndësishme që janë ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor.

Vendet anëtare duhet ta kujtojnë këtë dhe të vlerësojnë hapat e bëra përpara, sidomos kur në ditët në vazhdim do të merret një vendim i rëndësishëm për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjë që mendoj se duhet të bëhet sa më shpejt. Dështimi i hapjes së negociatave jo vetëm që ndikon në motivimin e vendeve, por edhe minon besueshmërinë e procesit të zgjerimit”, deklaroi shefja e diplomacisë evropiane.

Duke tërhequr vëmendjen gjithashtu se një proces i dështuar mund të dëmtojë njëkohësisht paqen dhe stabilitetin e rajonit, Mogherini u bëri thirrje shteteve anëtare të BE-së që të miratojnë pa humbur kohë fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën.

Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg të martën, shtetet anëtare pritet që të merren shkurt edhe me Ballkanin. Disa prej tyre kanë kërkuar që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit.



Lajme të ngjashme