PS e Edi Ramës do të fillojë procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta

Pas vendimit për anulimin e zgjedhjeve vendore, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ka vendosur të fillojë procedurat për shkarkimin e Presidentit të vendit, Ilir Meta.

PS e Edi Ramës do të fillojë procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta

Pas vendimit për anulimin e zgjedhjeve vendore, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ka vendosur të fillojë procedurat për shkarkimin e Presidentit të vendit, Ilir Meta, post të cilin e mban që prej korrikut të vitit 2017.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PS-së dhe ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në postin e presidentit. 

Ajo tha se Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që të enjten, në seancën plenare, të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentet, sipas saj “se si Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë, të quajtur ç’dekretim”. 

“Ky debat do t’i përmbledhë të gjithë argumentet tona. Në fund do t’i takojë Kolegjit Zgjedhor apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike. Ne si Kryesi e Partisë Socialiste mendojmë se Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe Parlamenti i Shqipërisë do fillojë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës”, ka deklaruar Spiropali. 

Ajo shtoi se “Më 30 qershor do të kemi zgjedhje në Republikën e Shqipërisë”. 

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti i vendit mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, ndërsa propozimi për shkarkimin e tij në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. 

Kushtetuta përcakton se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të vendit deklaron shkarkimin e tij nga detyra. 

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aktualisht nuk është funksionale për shkak të procesit të reformës në drejtësi dhe përgatitjeve për zgjedhjen e anëtareve të rinj të saj. 

Kujtojmë se Presidenti Meta deklaroi më 8 qershor se ka vendosur të shfuqizojë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019, ndërsa sot ka zyrtarizuar dekretin për anulimin e zgjedhjeve, por pa dekretuar një datë të re. 

Partitë opozitare të Shqipërisë, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt insistojnë në krijimin e qeverisë tranzitore dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. 

Opozita në muajt e fundit ka organizuar disa protesta antiqeveritare në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit, ndërsa nuk u përfshi zyrtarisht në procesin për zgjedhjet vendore. 

Nga ana tjetër, Kryeministri i vendit, Edi Rama, kundërshton kërkesën për qeveri tranzitore, ndërsa partia në pushtet, Partia Socialiste, prej disa javësh ka filluar përgatitjet për zgjedhjet vendore. (AA) 



Lajme të ngjashme