KFOR: Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mund të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it

Zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Vincenzo Grasso deklaroi se KFOR-i nuk ishte i informuar për operacionin e fundit të Policisë së Kosovës në Kosovë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kosova_Mitroviçe kuzeyinde polis operasyonu.jpg
Prizren Aşk Köprüsü.jpg
Ramush Haradinaj_6.jpg
Kosova Milli Takımı Kosova futbol takımı.jpg

Kosova në fokusin javor (23/2019)

Lidhja e Prizrenit shënon 141-vjetorin

Sot (e hënë) mbushen 141 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Lidhja e Prizrenit, qe një organizim politik i parisë së katër vilajeteve shqiptare në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajrakli të Prizrenit, ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës. Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke, shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare.

Më 10 qershor 1878 përfaqësues nga paria shqiptare e Vilajetit të Kosovës u mblodhën në xhaminë Bajrakli për të ngritur një platformë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra në Traktatin e Shën Stefanit. Në mbledhjen e parisë më 18 qershor u radhitën qëndrimet e mbajtura në një shkresë të vendimeve quajtur Kararnamé, që u firmos nga 47 përfaqësues të kazave të vilajetit, ku në krye janë firmat e Iljaz pashë Dibrës dhe Abdullah pashë Drenit. Po atë ditë paria e Shkodrës i telegrafoi shtabit të Lidhjes se do t'i bashkohej lëvizjes dhe se së shpejti do të dërgonte delegatët. Më 23 qershor do të ishin të pranishëm krejt delegatët e qyteteve shqiptare në Prizren. Më 30 qershor u paraqitën edhe delegatët e Shkodrës me Jusuf agë Sokolin me një delegat të Podgorica dhe 7 krenë prej Malësie.

Delegatët ngritën një organizim, Lidhjen e Prizrenit, që kishte fuqinë të vendoste taksa dhe të mobilizonte një ushtri. Pas një mbledhjeje, Lidhja u organizua në tre komitete, për Punët e Jashtme, për të Brendshmet dhe për Financat.

Komisioni i Punëve të Jashtme përbëhej nga Abdyl bej Frashëri me bashkëpunëtorët Shaban bej Pejën, Galip bej Shkupin dhe Asaf efendi Manastirin. Ky komision merrej me dërgesat e lutjeve dhe protestave ndaj Kongresit dhe me korrespondencën me filoshqiptarët e me shqiptarët jashtë atdheut.

Komisioni i Punëve të Brendshme përbëhej prej Haxhi Shabanit nga Prizreni, myderrizit të Shkupit Abdyl Efendiut, Mahmut Qypërliut dhe Esat pashë Tetovës. Merrej me administrimin e territorit, mbajtjen e qetësisë, mbledhjen e ushtrisë vullnetare dhe kishte fuqi zbatuese.

Komisioni i Financës përbëhej nga Sulejman agë Vokshi, Zija bej Prishtinës, Shefik bej Gjilanit dhe dy të tjerëve, të cilët nuk dihen. Kujdeseshin për mbledhjen e fondeve për armatimin e ushtrisë dhe furnizimin e saj.

Këta komisione funksiononin vetëm në kohë të mbledhjes së përgjithshme. Detyrat e tyre i mbikëqyrte Dega lokale e Prizrenit që kryesohej prej Ymer efendi Prizrenit.

***

KS i OKB-së diskuton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot (e hënë) në Nju Jork do të diskutojë raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut për periudhën nga 16 janari deri më 15 maj të këtij viti. Në këtë takim ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq ka paralajmëruar se do të kërkojë shqyrtimin në vazhdimësi të çështjes së Kosovës në KS të OKB-së dhe nevojën e UNMIK-ut që të mbetet i angazhuar në zbatimin konsekuent të objektivave të përcaktuara, pa ndryshuar mandatin.

Aksioni i policisë së Kosovës kundër krimit dhe korrupsionit në veri, përfshirë arrestimin e një pjesëtari të UNMIK-ut, që kishte dalë në rrugë me makinën e tij për të penguar policinë e Kosovës të kryejë aksionin e saj, do të jetë në fokusin e seancës.

Ndryshe, SHBA dhe Britania e Madhe kanë kërkuar disa herë që seancat e KS të OKB-së të reduktohen, duke marrë parasysh realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që është kërkuar edhe reduktimi i stafit dhe buxhetit për misionin e UNMIK-ut.

***

KFOR: Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mund të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it

Zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Vincenzo Grasso deklaroi se KFOR-i nuk ishte i informuar për operacionin e fundit të Policisë së Kosovës në Kosovë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ky ishte një operacion policor, dhe në asnjë vend, policia nuk e informon publikun për operacionet e policisë, kështu që ne nuk ishim të informuar për këtë. Dhe asnjëherë nuk kemi thënë që ne jemi të informuar, as nuk kemi njoftuar asnjeri për këtë”, tha Grasso për “Slobodno srpski”.

Duke komentuar pretendimet e disa mediave, “se të gjithë ishin informuar paraprakisht për veprimin e policisë në veri të Kosovës”, Grasso tha se bëhet fjalë për keqinterpretim.

“Ajo që thashë dhe çka nxiti të gjithë diskutimin, në një intervistë me TV Prva, mëngjesin e ardhshëm, pas operacionit, ishte ‘se të gjithë ishin të informuar’. Kjo u përkthye dhe u interpretua sikur KFOR-i u informua nga dikush, por ajo që thashë ishte se “të gjithë ishin të informuar” në kuptimin që informacioni ishte i njohur, sepse e lexonim këtë lajm dhe më 17 maj kishte shumë lajme që po njoftonin këtë lloj operacioni, dhe për këtë arsye thashë se nuk kishte surpriza”, tha ai.

Arrestimet e të dyshuarve për krime më 28 maj në veri të Kosovës, Grasso i sheh si një operacion të ligjshëm të policisë kundër krimit.

Duke komentuar për akuzat e shpeshta të disa politikanëve në Beograd se njësitë speciale të Policisë së Kosovës, me marrëveshje në NATO, nuk mund të shkojnë në veri pa lejen e KFOR-it dhe pëlqimin e komunitetit lokal, zëdhënësi Grasso tha se një marrëveshje e tillë nuk ekziston.

***

20 vjet nga ndalja e bombardimeve të NATO-s

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havijer Sollana më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit, kurse, Këshilli i Sigurisë së OKB-së, po në të njëjtën ditë, kishte miratuar rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

***

Stoltenberg: Bombardimet e NATO-së ishin të ligjshme dhe të nevojshme

Në 20-vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-së kundër forcave serbe, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, ka thënë se këto bombardime ishin të nevojshme dhe të ligjshme.

Stoltenberg për “Politika”, ka thënë se historia ka treguar se bombardimet kundër Serbisë në vitin 1999 ishin të domosdoshme dhe të ligjshme, sipas tij ato bombardime ndaluan dhunën dhe mundësuan kthimin e refugjatëve në vend, ndërsa KFOR-i ka ndihmuar në Kosovë që të krijohet një mjedis i sigurt për të gjithë.

“E di se NATO-ja ende po shkakton polemika në Serbi. Shumë prej tyre janë ende të sëmurë nga fushata ajrore në vitin 1999. Është edhe më e vështirë për ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Çdo jetë e humbur e pafajshme është një tragjedi. Ne ndiejmë keqardhje për këtë”, është shprehur ai, përcjell Telegrafi.

I pari i NATO-së, në këtë intervistë tha se Aleanca kishte për qëllim ndaljen e veprimeve të regjimit të Millosheviqit.

 “Përkundrazi, qëllimi ishte mbrojtja e civilëve në rajonin e gjerë duke ndaluar veprimet e regjimit të Millosheviqit, të cilin bashkësia ndërkombëtare e dënoi. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, por ne duhet të mësojmë prej saj dhe ta lëmë pas”, theksoi ai.

Sekretari Stoltenberg ka vënë në dukje se bota po përballet me situatën më të paparashikuar të sigurisë në botë gjatë viteve të fundit, por që siç theksoi ai, NATO-ja është një forcë pozitive në krijimin e një rendi të qëndrueshëm ndërkombëtar

***

Rënia e investimeve të huaja kërkon reforma urgjente

Kryetari i Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Berat Rukiqi në konferencën e rregullt me gazetarë diskutoi për raportin e progresit për Kosovën, duke vlerësuar nevojën për rritje të konkurrueshmësisë dhe përkrahje të sektorit privat në vend.

Nënvizimi i kryetarit Rukiqi tek ky raport ishte tek përmbajtja e tij, raport ky i cili shqyrton edhe aspekte sociale, jo vetëm politike.

Tutje, “Luftimi i informalitetit mbetet objektivë kryesore”, tha ndër të tjera kryetari Rukiqi, duke ju referuar takimit me Kryeministrin Haradinaj që Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë zhvilluar javën e shkuar.

Ndër të tjera, Rukiqi përmendi edhe trendin në rënie të investimeve të huaja direkte në Kosovë, duke ju referuar ambientit jo shumë të favorshëm biznesor, me theks të veçantë pasigurisë juridike/mos funksionimit të gjykatave dhe jo-stabilitetit politik në vend si rezultat i ndryshimit të qeverive të vendit.

Shqetësuese mbetet ende zhvillimi i sektorit privat i cili po ndikohet nga rritja e pagave ne sektorin publik, duke theksuar nevojën dhe rekomandimin e OEK-ut që përcaktimi i pagës minimale duhet të bëhet në pajtim me tre aktorët kryesorë: përfaqësuesit e punëdhënësve, përfaqësuesit e punëtorëve dhe qeveria.

Tutje, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka realizuar një studim mbi potencialet për eksport të kompanive kosovare. Znj. Olivera Ceni Bardiqi, Drejtoreshë e Departamentit për Analiza Ekonomike dhe Politika në OEK, gjatë prezantimit të të gjeturave vuri theks tek potencialet e kompanive të cilat aktualisht nuk eksportojnë, por që plotësojnë kushtet konform kërkesave specifike për eksport në tregjet rajonale dhe tregun e Bashkimit Evropian.

“Rreth 46% e kompanive kanë deklaruar që tregu i Kosovës është shumë i vogël për shitjen e volumit të prodhimeve të tyre, përqindje po aq njëjtë kanë deklaruar që kushtet e pagesës janë problem kryesor për tregti brenda vendit”, theksoi Ceni Bardiqi.

***

ASK: Qeveria për tre muaj shpenzoi 401 milionë euro

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda tremujorit të parë të këtij viti ku thuhet se shuma e të hyrave ishte 464.8 milionë euro, ndërsa, shpenzimet 401.0 milionë euro.

Sipas, ASK-së, shuma e përgjithshme e të hyrave të Qeverisë për Tremujorin e parë (TM1) 2019 ishte 465 milionë euro, ku pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 62% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

“Në TM1 2019, totali i përgjithshëm i shpenzimeve të Qeverisë ishte 401.0 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë kompensimi i punëtorëve me pjesëmarrje (37%); kontributet sociale dhe përfitimet (30%)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

***

Veseli në Bullgari, takon homologen

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli të hënën zhvillon vizitë zyrtare në Bullgari, ku do të pritet nga homologia e tij, Tsveta Karayancheva, kryetare e Parlamentit bullgar.

Gjatë takimit me kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Kryeparlamentari Veseli do të diskutoj për marrëdhëniet ndërmjet dy Parlamenteve dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.

Gjatë vizitës në Sofje, Kryeparlamentari Veseli do të merr pjesë edhe në Koncertin Festiv, të cilin e ka organizuar Ambasada e Kosovës në Bullgari me rastin e 10-vjetorit te marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë̈ si dhe do të përcjell lojën e kombëtares kosovare përballë asaj bullgare.

***

Rashica: Ndaj Bullgarisë synojmë vetëm tri pikë

Milot Rashica është deklaruar para ndeshjes me Bullgarinë që zhvillohet sot (10 qershor) nga ora 20:45.

“Si çdo ndeshje, edhe këtë ndeshje do të tentojmë ti fitojmë tri pikë. Atmosfera është e mirë, do të ishte edhe më e mirë nëse do të kishim fituar ndeshjen e fundit”, ka thënë fillimisht Rashica.

“Por, prapë se prapë jemi të përqendruar te ndeshja me Bullgarinë dhe e dimë se nuk do të jetë lehtë, por besoj se do të japim maksimumin dhe do të mundohemi t’i fitojmë tri pikë”, ka thënë ai.

Kombëtarja e Kosovës të shtunën në Podgoricë ka barazuar me Malin e Zi 1:1.



Lajme të ngjashme