NATO: Shqipëria po jep shembullin e saj për promovimin e paqes në Ballkanin Perëndimor

Stoltenberg ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me drejtuesit e lartë të vendit, ndërsa në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, u fokusuan në kontributin e Shqipërisë në misionet e NATO-s dhe çështje të tjera.

ARN YTB 2.jpg
ARN Ramazan 3.jpg
ARN Ramazan 2.jpg
ARN NATO 3.jpg
Alsar Korca deprem 2.jpg
Alsar Korca deprem 4.jpg

NATO: Shqipëria po jep shembullin e saj për promovimin e paqes në Ballkanin Perëndimor

Jens Stoltenberg ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me drejtuesit e lartë shqiptar, ndërsa në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, u fokusuan në kontributin e Shqipërisë në misionet e NATO-s, zhvillimet politike dhe çështje të tjera.

Stoltenberg u shpreh gjatë konferencës se Shqipëria që nga momenti i anëtarësimit ka qenë e angazhuar dhe një anëtare shumë e vyer e NATO-s dhe se Shqipëria po jep shembullin e saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

"Forcat e Shqipërisë kanë shërbyer në misionin tonë në Letoni dhe dua të shpreh mirënjohjen për dy ushtarakët trima shqiptarë që humbën jetën në një aksident tragjik muajin që shkoi. Trupat tuaja kanë kontribuar për stabilitetin në Kosovë dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar në misionin tonë në Afganistan. NATO është e angazhuar për sigurinë e Shqipërisë. Përmes punës së madhe, Shqipëria po jep shembullin e saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor", tha Stoltenberg.

Kreu i NATO-s, duke folur për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri theksoi se “Ajo që nuk është e pranueshme është përdorimi i çdo lloj dhune dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut politik dhe përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. Zgjedhjet janë pa dyshim një pjesë themelore e procesit demokratik në shtete tona anëtare”.

Në fund, Stoltenberg theksoi se NATO do të vazhdojë me programin e investimeve në Bazën Ajrore të Kuçovës në Shqipëri siç është planifikuar, pavarësisht zhvillimeve politike.

Kryeministri Rama theksoi se vizita e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që përkon edhe me 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë është një afirmim i vëmendjes dhe kujdesit ndaj Shqipërisë dhe ndaj rajonit.

"Kemi diskutuar për aspektet e bashkëpunimit dhe kontributeve tona brenda NATO-s. Më vjen mirë se kemi ndarë përshtypjen se forcat tona të armatosura kudo ku kanë kontribuar kanë shfaqur cilësi të spikatura profesionale. Nga ana tjetër kemi diskutuar edhe për ecurinë e procesit të plotësimit të një kushti themelor për të gjithë vendet anëtare të NATO-s, për kontributin buxhetor për mbrojtjen. Nuk është sekret që qasja e Rusisë ndaj NATO-s,ndaj BE, ndaj proceseve integruese nuk është një qasje miqësore", u shpreh Rama.

Rama në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri tha: "Kemi diskutuar edhe për këtë moment të veçantë politik dhe shoqëror që po kalon vendi ynë, qoftë në aspektin e marrjes së rekomandimit të fuqishëm pozitiv pa kushte nga Komisioni për çeljen e negociatave, qoftë në aspektin e konfliktit politik që nuk i shërben vendit dhe nuk i shërben procesit të mëtejshëm të vlerësimit të Shqipërisë në raport me rekomandimin pozitiv. Dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çfarë po ndodh këtu. Patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat dhe parimet as të NATO-s dhe as të BE-së", tha Rama.

Stoltenberg është takuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

***

-YTB në përfundim të Ramazanit organizoi iftar në Tiranë

Kryesia e Turqve  Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) në bashkëpunim me Shoqatën e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) si dhe nën kujdesin e Ambasadës Turke në Shqipëri shtruan iftar në Tiranë.

Në iftar morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të YTB-së, etj.

Në fjalën e tij ambasadori Yörük tha se Turqia është shndërruar tashmë në një vend tërheqës dhe admirues në fushën e arsimit jo vetëm në aspektin rajonal, por edhe më gjerë.

“Pasi erdha në Shqipëri, pashë se ka shumë shqiptarë që janë diplomuar në Turqi dhe këta të diplomuar kanë ardhur tashmë nëpër pozicione të rëndësishme në vend. Shumë nga këta të diplomuar nuk kanë informacion për një shoqatë ekzistuese të të diplomuarve në Turqi. Ftoj të gjithë të diplomuarit shqiptarë në Turqi të vijnë e të bëhen anëtarë të kësaj shoqate”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i YTB-së, Emrullah Bülbül tha: “Ju sjell përshëndetjet e përzemërta të kryetarit të YTB-së Abdullah Eren”.

Bülbül shtoi se vetëm këtë vit YTB ka pasur 145 mijë aplikime për studime me bursë nga 160 vende të botës.

“Lutem që punët e Shoqatës së të diplomuarve të ecin me ritme të kënaqshme”, përfundoi ai.
Shteti turk çdo vit ofron bursa studimi të plota në të gjitha nivelet dhe pothuajse në të gjitha lëmitë për studentët shqiptarë. Deri tani mbi tre mijë shqiptarë janë diplomuar në një nga institucionet arsimore turke si dhe janë me qindra studentë që aktualisht ndjekin studimet e tyre në Turqi. 

***

-Në Shqipëri kremtohet me madhështi festa e Fitër Bajramit

Besimtarët myslimanë festuan në sheshe dhe xhami të ndryshme të Shqipërisë Fitër Bajramin dhe në këtë ditë të shënuar për ta, liderët politikë kanë uruar të gjithë me mesazhe paqeje e mbarësie.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dhënë një mesazh urimi për besimtarët myslimanë shqiptarë.

Në përfundim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Meta ka uruar besimtarët myslimanë, duke apeluar gjithashtu për përqafimin e vlerave hyjnore, sociale dhe kombëtare.

Kryeministri Edi Ramaka uruar besimtarët myslimanë për Bajramin, me një foto nga Xhamia e Namazgjasë, e cila po ndërtohet në kryeqytetin shqiptar nga qeveria turke.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uron besimtarët myslimanë me rastin e Bajramit të Madh. “Kjo ditë festohet pas një muaj agjërimi e sakrificash, lutjesh e dëshirash, shkëmbimi urimesh e dhuratash, solidariteti e përgjegjësie. Si një ndër pesë kolonat e besimit Islam, muaji i Ramazanit i bën të gjithë besimtarët më të mirë, më të duruar, më të virtytshëm dhe më të gjendur për njeri-tjetrin. Agjërimi nuk është thjesht një vetëkufizim në stilin e jetesës së përditshme, por edhe vetëpërmbajtje nga mëritë, grindjet, veset dhe pasionet njerëzore”, shprehet Ruçi.

Edhe kreu i PD, Lulzim Basha uron të gjithë besimtarët myslimanë. Veçanërisht, ai uron ata që kanë agjëruar në muajin e shenjtë të Ramazanit. “Zoti e pranoftë sakrificën dhe lutjet tuaja, sjelltë mbarësi për ju e familjet tuaja dhe e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë”, shprehet ai.

Një urim i veçantë ka ardhur edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili para medias ka thënë:

“Faleminderit të gjithë vëllezërve dhe motrave myslimanë që muajin e bekuar të Ramazanit e kanë kthyer në një muaj të jashtëzakonshme solidariteti. Nuk ka pasur qendër sociale, njerëz në ndihmë ekonomike që nuk kanë marrë një paketë solidariteti nga Bashkia e Tiranës... Kjo është një ditë e mirë për besimtarët, por nuk është një ditë e mirë për politikanët. Tek kjo derë keni parë politikanë që predikojnë pafundësisht për harmoni fetare, për vëllazëri. Komunitetet fetare kanë pasur vëllazëri prej qindra vitesh. Ne nuk kemi pasur asnjë problem. Njerëzit që janë më sherrxhinj, më të përçarë, më helmaxhinj japin mend komuniteteve që kanë harmoni perfektë. Pasi japin mend kalojë rrugën me molotov, me gurë, me zjarr, me tulla kokës, vëllezërve të tjerë shqiptarë që janë të veshur me uniforma. Pra sot një ditë e mirë për besimtarët, por shumë e trishto për politikët, ku besoj se duhet të reflektojnë...”, tha Veliaj.

***

-ALSAR ndihma për familjet e prekura nga tërmeti në Korçë

Fondacioni ALSAR në bashkëpunim më partnerët e saj turq, duke shprehur shqetësimin e thellë lidhur me pasojat e rënda të tërmetit në zonën e Korçës dhe dëmet e shumta materiale të shkaktuara zhvilloi shpërndarjen e kontingjentit te I-rë të ndihmave në pako ushqimore, në shenjë të solidaritetit njerëzor për t’u ardhur në ndihmë familjeve në Qarkun e Korçës, të cilat janë prekur nga lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit që kanë prekur juglindjen.

Gjithashtu u koordinua marrëdhënia e bashkëpunimit me shtabin e emergjencës dhe autoritetet qendrore dhe lokale, që në ditët në vijim të ofrojë kontingjentet e ndihmave humanitare, duke kontribuar sadopak në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

 



Lajme të ngjashme