Me rastin e muajit të Ramazanit në Tiranë u organizua "Panairi turk i bamirësisë"

Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë me mbështetjen e disa institucioneve dhe kompanive organizoi panairin turk të bamirësisë me qëllim sigurimin e mbështetjes për disa shkolla në Shqipëri.

Me rastin e muajit të Ramazanit në Tiranë u organizua "Panairi turk i bamirësisë"

Nën kujdesin e veçantë të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë dhe me mbështetjen e disa institucioneve dhe kompanive është organizuar panairi turk i bamirësisë, i cili pati si qëllim mbështetjen për shkollat në Shqipëri.

 

Panairi u vizitua edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili së bashku me ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe bashkëshorten e ambasadorit Ayşegül Erdal Yörük, vizituan stendat e panairit.

Presidenti Meta pas kësaj vizite tha se “Me shumë dëshirë vizitova "Panairin turk të bamirësisë" në Tiranë, një aktivitet i rëndësishëm, jo vetëm kulturor, por edhe humanitar, me qëllim mbledhjen e të ardhurave për rinovimin dhe përmirësimin e kushteve të disa shkollave shqiptare. Ju ftoj ta vizitoni për të zbuluar dhe shumëllojshmërinë e punimeve të dorës, prodhimeve të artizanatit dhe kuzhinës turke, si një mundësi që frymëzon forcimin e marrëdhënieve tradicionale mes dy popujve tanë”.

Ndërsa ambasadori turk, Yörük, në një prononcim për mediat tha se ka dy muaj që kanë bërë përgatitje për këtë aktivitet. "Qëllimi i këtij aktiviteti është për bamirësi dhe të gjithë të ardhurat që do të mblidhen do të shkojnë për shkollat “Mustafa Kemal Ataturk” në Zall-Herr dhe Sauk për restaurimin dhe pse jo për materialet bazë që mungojnë. Përveç bamirësisë ne donin të sillnim diçka ndryshe në Tiranë, një fundjave ndryshe me plot gjallëri", u shpreh ambasadori turk.

Duke vlerësuar diplomacinë kulturore si një element që bashkon vendet, ambasadori Yörük theksoi se "Një ndër elementet më të rëndësishme të politikës turke të jashtme është një politikë e jashtme që në qendër e merr njeriun, një politikë e jashtme sipërmarrëse. Përveç punimeve artizanale ne kemi gjithashtu edhe kuzhinën turke duke e ditur që shqiptarët janë të pasionuar pas kuzhinës turke. Përpara muajt të Ramazanit ne menduam të bëjmë një bamirësi të tillë dhe këtë do ta vazhdojmë, normalisht duke marrë edhe mbështetjen e TIKA-s (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim). Përveç qytetarëve shqiptarë ne kemi të ftuar shumë pjesëtarë të korit diplomatik që gjenden në Tiranë, si dhe personalitete të rëndësishëm të Tiranës, mes tyre edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta".

Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, gjatë prononcimit për mediat theksoi se gjithmonë do të organizohen aktivitete të tilla edhe në të ardhmen dhe shtoi se mendojnë që një panair i tillë të organizohet çdo vit. "Ne jemi gjithmonë pranë atyre që do të kenë nevojë. Nga Turqia vijnë 15 kompani me gra sipërmarrëse për të mbështetur fëmijët dhe shkollat në këtë aktivitet", tha Ayşegül Erdal Yörük.

Dritan Kllojka, drejtori i shkollës 9-vjeçare "Mustafa Kemal Ataturk" në Tiranë tha se kjo shkollë ka nevojë për rinovim dhe sipas tij çdo ndihmë do të ishte e vlefshme: "Nuk është hera e parë që institucionet turke, në veçanti ambasada dhe institucione të tjera kanë mbështetur shkollën tonë. I falënderoj në emrin tim dhe gjithë nxënësve të shkollës institutin turk Yunus Emre, ambasaden turke në veçanti dhe TIKA-n dhe të gjithë institucionet turke për bashkëpunimin dhe ndihmesën e ofruar", theksoi ai.

Ndërsa, drejtoresha e Shkollës së Mesme të Bashkuar "Mustafa Kemal Ataturk" në Qarkun Tiranë, Liri Neziri, duke vlerësuar bashkëpunim e deritanishëm me institucionet turke, ndër të tha: "Bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer, investimi ka qenë me vlerë të konsiderueshme. Unë garantoj bashkëpunim maksimal dhe garantoj mirëmbajte të çdo vlere që do të investohet në shkollën tonë. Jam e kënaqur dyfish që shkolla jonë ka emrin e të madhit Mustafa Kemal Ataturk dhe për bashkëpunim e shkëlqyer me Ambasadën e Turqisë".

Shefqet Kanani, mësues i lëndëve të artit në Shkollën e Mesme të Bashkuar "Mustafa Kemal Ataturk", duke i vlerësuar punimet e panairit, tha se ai viziton shpesh panairet turke.

Të pranishëm ishin mësues të këtyre dy shkollave, nxënës dhe qytetarë të shumtë që vizituan stendat e panairit.

Në aktivitetin njëditor u ekspozuan shumëllojshmëri e prodhimeve të dorës dhe kuzhinës turke, por edhe edhe punime artizanale shqiptare, ndërsa të gjitha të ardhurat do të përdoren për rinovimin e Shkollës së Mesme të Bashkuar "Mustafa Kemal Ataturk" i cili është themeluesi i Turqisë moderne dhe Shkollës 9-vjeçare "Mustafa Kemal Ataturk” që ndodhen në Sauk dhe Zall Herr, pranë Qarkut të Tiranës.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme