Krerët e shtetit kërkohet të intervistohen për çështjen e Telekomit të Kosovës

Presioni i opinionit dhe i punëtorëve të Telekomit është të mos vazhdohet me kontratën e re, e në anën tjetër Devollët kanë rritur presionin duke kërkuar afro 26 milionë euro dëmshpërblim, në bazë të një vendimi të Arbitrazhit ndërkombëtar

Kosova Telekom binası_özelleştirme süreci.jpg
Kosova_Telekom Sendikası_toplantı.jpg
Kosova Savcılar Kurulu.jpg
Demokracia ne Veprim_Kosova yerel seçimler_gözlemciler.jpg
Kosova Telekomu_Devolli şirketi.jpg
Kosova_VV_Albin Kurti3.jpg

Krerët e shtetit kërkohet të intervistohen për Telekomit të Kosovës

Krerët e shtetit kërkohet të intervistohen për çështjen e Telekomit të Kosovës

Komisioni Hetimor parlamentar për Telekomin ka miratuar listën e re të dëshmitarëve të cilët kërkohet të intervistohen nga anëtarët e Komisionit në lidhje me atë se si ka ardhur Telekomi i Kosovës në prag të falimentimit. Një listë e gjatë ku bëjnë pjesë edhe krerët e shtetit, kryeministri Haradinaj, e presidenti Thaçi, por edhe ish kryeministri Isa Mustafa, kërkohet të raportojnë para deputetëve, anëtarë në Komision nga partitë e ndryshme, lidhur me kontratën e Telekomit me Z-Mobile. Në listë figurojnë edhe ish ministrat, kurse u propozua të intervistohen edhe ish kryetarë të bordit si dhe ish-kryeshefat, që nga Adnan Merovci, Shyqyri Haxha, e deri te aktuali, Bedri Istrefi.
Kryetari i Komisionin Visar Ymeri, por edhe disa anëtarë tjerë të Komisionit shprehën dyshimin se shefat ekzekutivë nuk kanë vendosur vet për kontratat e dëmshme, por këtu mund të ketë pasur përfshirje edhe të politikës.
“Siç kemi propozu në grup punues, do të fillojmë prej menaxhmentit, bordit, kompanive për çështjet të cilat i hetojmë dhe pastaj kalojmë tek ekzekutivi edhe jo prej këtij menaxhmenti aktual por prej fillimit. A kanë pasur këta mbështetje politike mbetet të shihet. Gjatë intervistimit të menaxhmentit të bordit e kuptojmë cila ka qenë përfshirja politike dhe nëse ka pasur”, tha Ymeri.
Kurse Milaim Zeka propozoi edhe Nuredin Krasniqin, tashmë pensionist, por që sipas tij ka qenë i kyçur që nga fillimi në strukturat më të larta të Telekomit.

Ndërkohë, prokuroria e shtetit duket të jetë pasive në hetimin e keqpërdorimeve të dyshuara në Telekom.

Prokuroria speciale në vend se ta hetojë këtë kontratë për cka edhe ka kompetenca, ai lëndën e ka transferuar tek prokuroria themelore e Prishtinës, që sipas ekspertëve të fushës nuk ka kapacitete të hetojë.

E gjithë kjo bën që të shtrihen dyshimet se edhe prokuroria me dashje apo pa dashje është pjesë e krimit të organizuar, thotë Visar Ymeri.

“Po, mund të ketë elemente brenda gjyqësorit në prokurori e gjyqësi të cilët pa qëllim, por ka shumë mundësi të kenë bërë me qëllim, që ta neglizhojnë këtë çështje dhe të përligjin disa vendime të cilat qartazi nuk do të duhej të ishin as legjitime, e aq më pak të pranueshme për interesin publik të Republikës së Kosovës”, tha Ymeri.

Kompania Devolli edhe pse ka fituar qindra milionë euro nga kontrata, pas skadimit të saj, ka kërcënuar Telekomin se do t’ia merë edhe 26 milionë euro me përmbarues, gjë që sipas ekspertëve, do të falimentonte Telekomin.
***

Devollët i japin kohë Telekomit, deri më 15 qershor

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se në takimin e Komitetit Ndërministror për Ndërmarrje Publike është rënë dakord që t’i jepet kohë Bordit të Telekomit deri më datën 15 qershor që të përgatisë një plan për pagesën e borxhit ndaj kompanisë “Dardafon”, përkatësisht “Z-Mobile”.

“Pas një diskutimi nga të gjithë të pranishmit, palët u pajtuan që deri më 15 qershor të bëjnë një plan të pagesave ndaj këtij borxhi. Në këtë formë, grupet negociuese nuk do të vendosin temën e pagesës në diskutime”, ka shkruar ministri Lluka në Facebook.

Komiteti Ndërministror për ndërmarrje publike, që drejtohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, kishte ftuar në takim pune bordin dhe ekzekutivin e Telekomit të Kosovës së bashku me përfaqësuesit e kompanisë Dardafon.net, përkatësisht Z mobile, që është pjesë e vëllezërve Devolli.

Ministri Lluka ka thënë se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të largohet presioni për inkasimin e mjeteve të vendosura nga Arbitrazhi ndërkombëtar me vlerë prej afro 26 milionë euro përmes përmbaruesve.

***

Thaçi fton Pendarovskin për vizitë në Kosovë 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë të dielën në ceremoninë e inaugurimit të Stevo Pendarovski, si President i Maqedonisë Veriore. Thaçi tha se e mirëpret bashkëpunimin e dy shteteve për integrimin euroatlantik.

“Në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, i cili sot mori detyrën e re. E mirëpres bashkëpunimin për integrimin euroatlantik të vendeve tona dhe për thellimin e bashkëpunimit rajonal. Presidentin e ri të Maqedonisë Veriore, po ashtu, e ftova edhe për vizitë zyrtare në Kosovë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

***

Bëhen gati vëzhguesit për zgjedhjet në veri të Kosovës

Demokracia në Veprim, DnV, do të ketë vëzhgues në secilin prej 87 vendvotimeve që pritet të hapen në territorin e katër komunave të veriut të Kosovës. Për më shumë, DnV do të angazhojë edhe ekipe mobile, të cilat do të përcjellin në përgjithësi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që pritet të mbahet më 19 maj. Në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, ku do të mbahen zgjedhjet, nuk është raportuar për parregullsi, ka bërë të ditur drejtuesi i KDI-së, Ismet Kryeziu.

“Tani nuk kemi ndonjë indikacion që mund të ketë parregullsi ose presion në proces, tani është gara shumë më e qartë sepse është vetëm për kandidat për kryetar të komunave e nuk janë të përfshirë në zgjedhje edhe kandidatët për asamble komunale”, tha ai.

Kryeziu theksoi se në zgjedhjet e 19 majit, të drejtë vote kanë 58 mijë votues. Ndërkaq, nga Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike, në Mitrovicën Veriore ka folur Serxhan Millojeviq. Ai ka treguar për angazhimin e kësaj organizate që do ta ketë në procesin zgjedhor.

“Do të kemi monitorimin e fushatës zgjedhore në Mitrovicën Veriore dhe gjatë kësaj periudhe deri para ditës së zgjedhjeve do të mbahen dy konferenca për shtyp të cilat do të mbahen në zyrat e ACDC-së, në Mitrovicën Veriore, për gjithë procesin ku do të jenë të angazhuar monitoruesit tanë afatgjatë për monitorimin e fushatës zgjedhore”, tha Millojevic.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, DnV do të përgatisë edhe një raport të detajuar vlerësues të zgjedhjeve, bazuar në të dhënat e vëzhguesve, në linjë me kornizën ligjore të Kosovës dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve.

***

Tribunalin ndërkombëtar për krime serbe mund ta themelojë OKB, thotë Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të LDK-së ka folur për iniciativën e krye-parlamentarit Kadri Veseli, për themelimin e Tribunalit për krime serbe në Kosovë. 

“Në qoftë së është Tribunal ndërkombëtar si Tribunal i tillë dihet se mund ta themelojnë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit, edhe atë në bashkëpunim edhe me institicionet e BE-së sepse ne jemi në Europë. Këso iniciativa është dashur të nxitën më herët, të iniciohen edhe nga kryetari i Kuvendit, edhe nga PDK edhe nga të tjerët. Mua me duken më tepër si iniciativa politike në mënyrë që të krijohet një lloj mbulese pqë këtë periudhë që spo funksionon asgjë.”

Sipas liderit të LDK-së Isa Mustafa, Kuvendi i Kosovës nuk është funksional dhe janë në përpjekje për të arritur votat për rrëzimin e qeverisë.

“Këto vota akoma nuk kemi arritë që ti bëjmë. Çdo javë jemi në përpjekje që atë ta bëjmë. Na nevojitet edhe dikush nga pozita të na bashkëngjitet. Ka pasur rezerva edhe në LDK ka rezerva edhe te disa parti opozitare që kjo të bëhet me Listën serbe, sepse me Listën serbe është rrëzuar edhe qeveria ime dhe kanë qenë një faktor shumë i rëndësishëm për rrëzimin e qeverisë”, tha ai.

Mustafa u shpreh i bindur se partia që ai drejton është e vetmja që ka potencial për t’i zgjidhur problemet në Kosovë.

***

Ndalohen përsëri serbët e Kosovës, reagon Haradinaj

Autoritetet e sigurisë së Serbisë kanë ndaluar përsëri të shtunën disa zyrtarë serbë të qeverisë së Kosovës në pikë-kalimin kufitar me Kosovën. Sërdgjan Jovanoviq, këshilltar i kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj dhe Srecko Spasiq, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, janë ndaluar nga organet e sigurisë së Serbisë në vendkalimin Dheu i Bardhë. Ndaj këtij veprimi të Serbisë, ka reaguar përsëri kryeministri Haradinaj, i cili edhe ka njoftuar për këtë rast përmes Facebookut. Gjatë një postimi në rrjetin social, kryeministri Haradinaj i ka cilësuar të padrejta veprimet e tilla të shtetit serb.

“Keqtrajtimi i vazhdueshëm i zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës nga autoritetet serbe është i papranueshëm. Keqtrajtimet e vazhdueshme janë provokim i Serbisë ndaj Kosovës”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

***

Zgjidhen anëtarët e Taskforcës për krimet e luftës 

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka përzgjedhur anëtarët e Taskforcës për krimet e luftës. Nga KPK-ja përfaqësues do të jetë zëvendës-kryetari Arben Ismaili; nga zyra e Krye-prokurorit të Shtetit Drita Hajdari, nga Policia e Kosovës Fadil Gashi. Kurse anëtarë të grupit monitorues për zbatimin e Strategjisë për krimet e luftës do të jenë: kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, kryesuesi i KPK-së Bahri Hyseni, nga Policia e Kosovës Riza Shillova, nga Ministria e Drejtësisë Afrim Kasolli, si dhe një përfaqësues i BE-së që mbetet të caktohet.

“Formimi i mekanizmave për zbatimin në praktikë të Taskforcës dhe Trupit monitorues të Strategjisë për krimet e luftës është shumë e rëndësishme në mënyrë që akuzohen të gjithë ata që kanë kryer krime në Kosovë”, u tha pas takimit që patën drejtuesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

***

VV: Nuk do të lejojmë që Kosovën ta humbim me borxhe e kamata

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Qeveria skajshmërisht e korruptuar, merr para borxh në emër të Kosovës, dhe i keqpërdor ato.

Kjo parti ka shtuar se një borxh i cili nuk përdoret për ta zhvilluar ekonominë, rrezikon ta shkatërrojë atë.

“PAN qeveria po merr borxh për të paguar borxhe të tjera, po merr borxh për asfalt sepse aty mund të vjedhë shpejt e shumë, dhe po merr borxh për të paguar pagat e atyre që janë punësuar me nepotizëm dhe pa meritë në sektorin publik”.

“Ka ardhur koha që PANqeveria të largohet dhe PANhajnia të ndalet. Kosovën e fituam me luftë e sakrifica, nuk do të lejojmë ta humbim me borxhe e kamata”.

***

Angli-Kosovë, dalin në treg biletat

Kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese Angli – Kosovë, të vlefshme për kualifikime në Kampionatin evropian që mbahet vitin e ardhshëm në disa shtete. Ndeshja zhvillohet me 10 shtator të këtij viti në Southampton.

Biletat të cilat ndahen në tre kategori të ndryshme, do të mund të rezervohen në Web-faqe.

Kategoria 1 – 63 euro
Kategoria 2 – 52 euro
Kategoria 3 – 40 euro

Momentalisht biletat janë në shitje vetëm për anëtarët e regjistruar ndërsa për publikun e gjerë do të dalin në shitje të premten duke filluar nga ora 13:00.



Lajme të ngjashme