Shqipëri – Tensione gjatë protestës antiqeveritare të opozitës, lëndohen policë dhe demonstrues

Partitë opozitare të Shqipërisë kanë mbajtur të shtunën në Tiranë protestën e radhës antiqeveritare, e cila është përfshirë nga tensionet dhe përdorimi i gazit lotsjellës nga policia që në fillimin e saj.

arnavutluk.jpg
Arnavutluk hükümet karşıtı protesto.jpg

Demonstruesit opozitarë të tubuar në Tiranë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë kanë hedhur tymuese, bomba molotov, kapsolla, bojë dhe sende të tjera në oborrin e selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë duke shkaktuar edhe zjarr në hyrjen e saj.

Ndërkohë mbështetësit e opozitës kanë protestuar edhe para selisë së Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa tentuan të kapërcejnë edhe koordinon policor. Në protestë janë lënduar disa protestues dhe punonjës të policisë gjatë përplasjeve dhe incidenteve.

Protesta u organizua nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në fjalën e tij gjatë protestës, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, tha se protesta vazhdon dhe do të vazhdojë.

“Beteja do të vazhdojë deri në fitore. E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa. Shqipëria si gjithë Evropa. Me këtë ëndërr jemi mbledhur dhe kemi bërë hapa përpara. Forca jonë është pjesëmarrja, forca jonë është bashkimi. Forca jonë është qëndresa”, u shpreh Basha.

Lidhur me protestën e opozitës ka reaguar Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili u ka bërë thirrje protestuesve të evitojnë aktet e dhunës.

“Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Zyra e Shtypit të Presidencës së Shqipërisë.

Ndërkohë qindra forca policore u angazhuan pranë selisë Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera për të shmangur incidentet gjatë protestës.

Që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt të këtij viti, partitë opozitare kanë organizuar disa protesta me këmbënguljen për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.



Lajme të ngjashme