Maqedoni e Veriut – Stevo Pendarovski fillon mandatin pesëvjeçar të presidentit

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është zhvilluar të dielën seanca solemne e inaugurimit të Presidentit të ri të shtetit, Stevo Pendarovski, e cila shënon edhe fillimin e mandatit të tij pesëvjeçar.

Maqedoni e Veriut – Stevo Pendarovski fillon mandatin pesëvjeçar të presidentit

Pendarovski bëri betimin solemn dhe mbajti një fjalim, gjatë të cilit u zotua se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh nëse e kanë votuar ose jo në zgjedhjet presidenciale.

“Është koha që t’i shërojmë plagët e hapura prej të kaluarës sonë të afërt dhe realisht të fillojmë pajtimin qytetar, pasi nuk kemi një atdhe tjetër rezervë të cilin mund ta quajmë shtëpia jonë. Në këtë rrugë duhet të angazhohem pa rezervë duke mos bërë llogari për rejtingun tim politik”, tha Pendarovski.

Ai shtoi se puna e parë që do të bëjë si president i Maqedonisë së Veriut, është t’i zgjasë dorën e pajtimit opozitës, ndërsa theksoi se do të angazhohet maksimalisht për integrimet euroatlantike.

Në inaugurimin e Pendarovskit ishin prezentë liderë të vendeve të rajonit dhe përfaqësues të lartë shtetërorë duke përfshirë Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zv/ministrin e Jashtëm të Turqisë, Faruk Kaymakci, ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Katrougalos, ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç; zv/ministrin e Jashtëm të Polonisë, Maciej Lang, përfaqësuesin e kabinetit të Presidentit të Sllovenisë, si dhe diplomatë e përfaqësues të shumtë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Pas betimit solemn dhe fjalimit të Pendarovskit, u organizua edhe një pritje-koktej në hapësirat e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kurse në vijim, në rezidencës presidenciale “Vila Vodno”, u mbajt ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të funksionit me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore.

Stevo Pendarovski është fituesi në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 5 maj, ku si kandidat i koalicionit qeveritar (LSDM, BDI, Alternativa dhe 28 parti tjera), siguroi 436.212 vota (51,66%); ndërsa rivalja e tij në zgjedhje, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila mbështetej nga partia opozitare e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit të saj, fitoi 377.713 mori (48,34%).

Pendarovski do të jetë presidenti i pestë që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut. Para tij, funksionin e presidentit e kanë kryer Kiro Gligorov, Boris Trajkovski, Branko Crvenkovski dhe Gjorge Ivanov.



Lajme të ngjashme