Turqia mbështet shëndetësinë në Shqipëri

Qeveria turke nëpërmjet Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për shëndetësinë në Shqipëri, ndërsa projekti i fundit është ai i dhurimit të autoambulancave.

Alsar Ramazan Arnavutluk 1.jpg
Alsar Ramazan Arnavutluk 2.jpg
Alsar Ramazan Arnavutluk 3.jpg
Alsar Ramazan Arnavutluk 4.jpg
Alsar Ramazan Arnavutluk 5.jpg
Alsar Ramazan Arnavutluk 6.jpg

Turqia mbështet shëndetësinë në Shqipëri

TIKA ka dhuruar për sektorin shëndetësor në Shqipëri, konkretisht për shërbimin e urgjencës pesë autoambulanca me pajisje moderne të shërbimit.

Në ceremoninë e dorëzimit të tyre ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, nënkryetari i TIKA-s, Prof. Dr. Birol Çetin, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore të Shqipërisë. 

Ministrja Manastirliu gjatë fjalës në aktivitet tha se mbështetja e TIKA-s në Shqipëri ka qenë shumë dimensionale dhe në shumë sektorë. 

"Shëndeti është kryesori dhe ne jemi shumë falënderues kur bëhet fjalë për mbështetje direkte që Qeveria e Turqisë dhe TIKA kanë ofruar për shëndetësinë në Shqipëri. Fokusi i Qeverisë shqiptare ka qenë fuqizimi dhe modernizmi i këtij shërbimi. Janë 32 autoambulanca të reja të cilat i janë shtuar flotës së autoambulancave në të gjithë Shqipërinë. Edhe këto pesë autoambulanca të dhuruara nga TIKA do të jenë pjesë e flotës së autoambulancave në strukturën e urgjencës kombëtare të cilat do t’i shtohen këtij shërbimi në ato zona rurale të vendit ku ka nevojë për një shërbim shumë më të shpejt për sa i përket urgjencës", theksoi ajo. 

Manastirliu shtoi se "Do të doja të vlerësoja kontributin e TIKA-s, kontributin e Qeverisë së Turqisë për gjithë mbështetjen që na ka ofruar dhe do të vazhdojë jam e bindur të na ofrojë, duke shpresuar që projekte të tjera të mbështetjes në shëndetësi do të vazhdojnë". 

"Kemi realizuar mbi 500 projekte në Shqipëri” 

Nënkryetari i TIKA-s, Prof. Dr. Birol Çetin, gjatë fjalës në aktivitet theksoi se kanë realizuar shumë projekte në fushën e shëndetësisë në Shqipëri. 

"Ne realizojmë gjithsej 2000 projekte në vit në më tepër se 100 shtete të botës, por Shqipëria ka një vend të veçantë sepse është një vend mik i jonë. Ne si popull turk, si shtet i Turqisë jemi gjithmonë të gatshëm për nevojat tuaja dhe do të vazhdojmë edhe më tutje. Sot fatkeqësisht në botë shumë probleme mundohen të zgjidhen me armë, ose luftëra, ndërkohë ne si Turqi mendojmë se zgjidhja është duke ndarë diçka me njëri-tjetrin dhe këtë duhet ua japim edhe brezave të rinj, kulturën e të ndarit me njerëzit e tjerë. Miqtë janë shumë të rëndësishëm për ne", tha Çetin. 

Ambasadori turk në Tiranë,  Yörük theksoi më tej se "Uroj që këto pesë autoambulanca që janë siguruar nga TIKA të shërbejnë për shërimin e pacienteve, miqve tanë shqiptarë. Këto janë një dhuratë që vijnë direkt nga populli turk". 

***

-Në Tiranë u mbajt Samiti i Brdo Brijunit

Presidentët e Rajonit të enjten u mblodhën në Tiranë në kuadër të samitit të Brdo Brijunit.

Pritës të këtij samiti ishin Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Ky samit solli në Tiranë edhe Presidentin Serb, Aleksandër Vuçiç dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në samit që u mbajt në Ditën e Evropës  mori pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në nisje të Samitit, Presidenti Meta ju uroi mirëseardhjen në Tiranë në Ditën e Europës, për fillimin e festimeve të kësaj dite që është për të gjithë ne dhe për të gjithë popujt tanë dhe filimin e Samitit të Brdo-Brijunit...

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor  miratuan një deklaratë të përbashkët drejtuar Komisionit Evropian, duke kërkuar që anëtarësimi i rajonit të mbetet në rendin e ditës së BE-së, pasi perspektiva evropiane e tij konsiderohet e rëndësishme jo vetëm për stabilitetin e rajonit por dhe të vetë Bashkimit Evropian.

***

-Presidenti Meta uron besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit

“Nga zemra u uroj ju dhe mbarë popullit, Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit, muajin e sakrificës e të reflektimit, por edhe të dhënies së provave të pafundme të forcës së besimit në Zot!

Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, mbarësi dhe begati në familjet tuaja dhe Zoti ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri!

Ky Muaj i madhërishëm, jo vetëm lartëson shpirtin dhe e pastron atë nga veset, por kthjellon mendjen e rikthen gëzimin. Ramazani është sfida që njeriu i bën vetes në raport me përmbushjen e përgjegjësive të tij para Zotit, por edhe para familjes, shoqërisë e kombit. Më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet, janë mesazhet që përcjellim këtë Muaj”.

Ndër të tjera presidenti shqiptar në urimin e tij citon: “Kemi nevojë, dhe agjerimi e jep këtë mundësi, të pendohemi për gabimet tona e t’i kërkojmë falje Zotit për gjithçka, duke u përmirësuar në funksion të përqafimit të vlerave më të mira hyjnore e humane që na mundësojnë një të ardhme më të begatë, në familjen evropiane”.

***

-Kryeministri Rama: Dhimbje dhe respekt i thellë për efektiven e FA-së që humbi jetën në Letoni

Kryeministri i Shqipërisë ka shprehur  dhimbjen dhe respektin e thellë për efektiven e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë.

Kryeministri i shprehu ngushëllimet familjes, të afërmve e miqve të Zafires. “Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”, tha Rama.

Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën nëntetare Zafire Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj.

***

-“Aulona Inter Folk”, ngjyrat e tingujt nga gjithë Evropa, në mes tyre edhe Turqia ‘zbresin’ në Lungomare

Vlora do të sundohet nga ritmi i traditës kulturore, me këngë dhe valle popullore nga më shumë se 300 artistë nga vende të ndryshme të botës nga 11-13 maj në edicionin e 11 të Festivalit “Aulona Inter Folk”.

Ky festival është një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut vendas, evropian dhe botëror dhe një promovim fantastik i sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Gjatë tre ditëve të festivalit, artistët do të performojnë në sheshin “Lungomare”, në Vlorë.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli shprehet se “ky aktivitet promovon jo vetëm kulturën dhe folkun, por mbi të gjitha edhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Aulona Folk Festival, merr përsipër të shkëmbejë e integrojë përmes këngëve e valleve kulturën tradicionale që vjen nga popuj e kombe të ndryshme, kuptohet edhe në formë spektakolare.”

“Mjafton të them se vetëm për shkak të këtij aktiviteti kanë ardhur në Vlorë mbi 85 ansamble folklorike, me rreth 3500 pjesëmarrës, nga 25 vende të Ballkanit, Evropës e Azisë, mes të cilave nga Italia, Sllovakia, Polonia, Kroacia, Bjellorusia, Letonia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Greqia, Turqia, Kina”, shprehet ai.

Aulona Festival bëhet edhe i pari festival i këtij lloji në Shqipëri, i cili synon të përfshijë spektatorin në skenë e të kthehet në një atraksion turistik më vete.

***

-Fondacioni “Alsar” me partnerët turq dhuron ndihma gjatë muajit të Ramazanit për familjet në nevojë

Fondacioni ”Alsar” në vijimësi të zhvillimit të projekteve të bamirësisë me rastin e muajit të Madhëruar të Ramazanit” realizoi në bashkëpunim me institucionet humanitare turke procesin e dhurimit te ndihmave në pako ushqimore për 500 fëmijet jetime që banojnë në zonat qendrore dhe veriore të Shqipërisë, respektivisht në qytetet Krujë, Mamurras, Lezhë, Shkodër dhe Koplik duke u përpjekur kështu për të trokitur në derën e shtëpisë se çdonjërit prej tyre, qoftë edhe në një distancë të largët gjeografike, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.

Gjithashtu, Fondacioni ”Alsar” në kuadër të zhvillimit të projekteve të bamirësisë me rastin e muajit të Madhëruar të Ramazanit ka vijuar më pas në qytetet Elbasan, Librazhd, Përrenjas, Pogradec dhe Korçë duke mundësuar dhurimin e pakove ushqimore për 600 familje të fëmijëve jetimë.

Ky program mundësohet falë kontributit të ofruar nga  Fondacioni Ndërkombëtar i Ndihmave HASENE – ADEV me qendër në Gjermani.

***

-Në Tiranë u zhvillua  Panairi i Punës dhe Studimit, mori pjesë edhe Fondacioni Turk “Maarif”

Në Tiranë është mbajtur  edicioni i dhjetë i Panairit të Punës dhe Studimit, ndërsa mori pjesë edhe Fondacioni Turk Maarif.

Ky panair që u organizua për disa ditë me radhë pati për qëllim që të nxjerrë në pah ofertën e bizneseve dhe universiteteve rreth kërkesave për punë dhe studime për të gjithë të interesuarit.

Fondacioni Turk Maarif prezantoi ofertat e programeve të studimeve dhe të punësimit në universitetin “New York Tirana”, ndërsa që ditën e parë panairi ka tërhequr interesin e vizitorëve.

I pranishëm në hapjen e panairit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se praktikat që ofrohen në Bashkinë e Tiranës janë me një pagë minimale, por ai shtoi se është një mënyrë për të siguruar disa të ardhura për studentët.

"Dua t’i ftoj të gjitha kompanitë që janë prezente këtu, duke qenë se karta e studentit ofron 44 shërbime publike, do të donim shumë që të na bashkoheshin. Bankat mund të na ofrojnë një diskaunt për llogaritë e studentëve apo kredit kartat e studentëve për shpenzimet bazë me një normë limiti të përcaktuar. Gjithashtu dhe kompanitë celulare që janë këtu mund të na ofrojnë një ofertë më të mirë për ata që janë studentë dhe qe paraqesin kartën e studentit", u shpreh ai.

"Disa nga kompanitë që ofrojnë shërbime, qofshin ato restorante, librari, kancelari, pajisje elektronike mund të na ofrojnë një diskaunt”, tha më tej Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj, u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në panair, që nëse disa nga ato shërbimet që ata ofrojnë t’i bashkohen kartës së studentit. "Si kompani private është në nderin tonë të jeni pjesë e kësaj lëvizjeje për ta bërë kartën e studentit sa më të pranueshme dhe të aksesueshme", u shpreh Veliaj.

Ndërsa, zv.ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lorena Haxhiu, tha se në këtë panair ministria që ajo përfaqëson është një partner që nuk e ka kursyer mbështetjen, pasi sipas saj prioritet i Qeverisë së Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet integrimi i studentëve në tregun e punës.

Në këtë panair përveç ekspozimeve të institucioneve dhe kompanive më të mëdha punëdhënësish dhe ato të edukimit kombëtar dhe ndërkombëtar, u organizuan edhe aktivitete informuese dhe trajnuese.

***

-Banorët e Shtëpisë së të Moshuarëve në Shkodër u njohën me artin Ebru

Instituti turk “Yunus Emre” në Shkodër në bashkëpunim me Shtëpinë e të Moshuarve, Shkodër  organizuan një  aktivitet, ku në fokus kishte punimet e artit të Ebrusë të sjellura me mjeshtëri nga Bekim Ndrukaj.

Banorëve të shtëpisë së të moshuarëve, të cilët u takuan për herë të parë me artin Ebru, fillimisht iu dha informacion mbi këtë art. Më pas të moshuarit përjetuan çaste argëtuese duke bërë Ebru, të cilat iu dhuruan në fund të aktivitetit.

Mjeshtri Bekim Ndrukaj tha se ky aktivitet vjen edhe me rastin e muajit të madhërueshëm të Ramazanit për t’ju gjendur sa më pranë shtresave që kanë më shumë nevojë për ngrohtësi dhe dashurinë e gjithsecilit prej nesh...

Vlen të përmendet, se Arti i Ebrusë që erdhi për rezidentët tek Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër njihet ndryshe si “vallja e bojërave mbi ujë”. Ebruja është një art me origjinë lindore, të cilin turqit e kanë përsosur, zbukuruar dhe më pas e kanë prezantuar kudo në botë.

Aktiviteti, ku nuk mungoi edhe vëmendja e përfaqësuesve të medias do të prezantohet përmes një ekspozite për kënaqësinë e artdashësve.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme