Mal i Zi – Puçistët e 2016-s dënohen me 69 vite e 3 muaj burg në total

Një gjykatë e shkallës së parë e Malit të Zi shpalli të enjten fajtorë 13 personat që planifikuan të bënin grushtshteti gjatë natës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 në këtë vend, duke i dënuar ata me 69 vite e 3 muaj burg në total.

Mal i Zi – Puçistët e 2016-s dënohen me 69 vite e 3 muaj burg në total

Gjykata e Lartë e Podgoricës dënoi liderët opozitarë të Frontit Demokratik, Andrija Mandiç dhe Milan Knezevip, me nga 5 vite heqje lirie; ndërsa shtetasit rusë, Eduard Sismakov dhe Vladimir Popov, respektivisht me 15 dhe 12 vite burg.

Në fjalën e saj gjatë shqiptimit të vendimit, gjykatësja Suzana Mugosha tha se qëllimi i organizatës kriminale ishte të frikësonte qytetarët duke shkelur strukturën kushtetuese të Malit të Zi për të bllokuar anëtarësimin e vendit në NATO.

Sipas saj, pjesëtarët e organizatës kanë qenë të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për veprimet e tyre, plotësisht të ndërgjegjshëm për paligjshmërinë e asaj që po bënin.

Të gjithë të akuzuarit e procesit në fjalë janë shpallur fajtorë me vendim të Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi.

Rrjedhimisht, krahas rusëve Eduard Sismakov dhe Vladimir Popov, Gjykata e Lartë e Podgoricës dënoi me 8 vite burg Bratislav Dikiç, një ish komandant i xhandarmërisë në Serbi, si dhe Predrag Bogiçeviç e Nemanja Ristiç me nga 7 vjet burg secilin.

Qytetarët serbë Srboljub Djordjeviç dhe Milan Dushiç u dënuan me nga 1 vit e 6 muaj burg; Branka Miliç, e strehuar në Ambasadën e Serbisë në Podgoricë, u dënua me 3 vite burg, ndërsa Dragan Maksiç me 1 vit e 9 muaj burg.

Shoferi i Frontit Demokratik, Mihailo Çadjenoviç, u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa Kristina Hristiç është dënuar me 1 vit heqje lirie.

Meqenëse aktgjykimi në fjalë ka dalë nga një gjykatë e shkallës së parë, të dënuarit gëzojnë të drejtë për të apeluar vendimin.



Lajme të ngjashme