Shqipëri – Presidenti Ilir Meta pret homologun Hashim Thaçi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është takuar me homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçi, i cili viziton Shqipërinë në kuadër të samitit të liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit.

Shqipëri – Presidenti Ilir Meta pret homologun Hashim Thaçi

“Vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe nënvizuam nevojën e rritjes së bashkëpunimit rajonal, si domosdoshmëri për integrimin evropian. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, më se i merituar”, ka shkruar Presidenti Meta në rrjetet sociale.

Kujtojmë se më 9 maj do të mbahet në Tiranë samiti i radhës i liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili synon të përçojë një mesazh politik lidhur me aspiratën e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Në këtë samit, përveç presidentit të Kosovës, me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, është paralajmëruar pjesëmarrja e Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe anëtarëve të Kryesisë së Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, Shefik Xhaferoviç dhe Zheljko Komshiç.

Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale themeluar në vitin 2010. Në mbyllje të samitit në Tiranë, liderët pjesëmarrës do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit. / AA



Lajme të ngjashme