“Shtetet Schengen” të Europës i përbuzin qytetarët e Kosovës

Shtetet e Shengenit kanë refuzuar ti pajisin me viza qytetarët e Kosovës në shkallë më të lartë se sa qytetarët e shteteve afrikane si Guineja Bisau, Burkina Faso apo Egjipti.

Kosovalı vatandaşları Schengen vize kuyruğunda.jpg
Hashim Thaçi-Kadri Veseli-Ramush Haradinaj  Berlin Zirvesi değerlendirme.jpg
Kosova_1 Mayıs protestosu.jpg
Kosova Merkez Seçim Komisyonu toplantıda.jpg
Kosova_VV_Albin Kurti.jpg

“Shtetet Schengen” të Europës i përbuzin qytetarët e Kosovës

Kosova edhe pse ndodhet në Europë kjo nuk ka rëndësi për shtetet e Bashkimit Europian të cilët ndodhen në zonën Schengen, pasi që vazhdojnë ti përbuzin qytetarët e Kosovës të cilët vlerësohet të jenë më pro-europianët në rajon dhe më gjerë. Bile europianët, më lehtë I hapin dyert për qytetarët nga Afrika e Azia se sa për kosovarë. Shkalla e refuzimit për pajisje me viza Schengen që Europianët i kanë bërë qytetarëve të Kosovës është më e lartë, se sa që u kanë bërë qytetarëve të shteteve afrikane si Guineja Bisau, Burkina-Faso apo Egjipti. Bile edhe Palestina ka pasur shkallë më të ultë të refuzimit të vizave se sa Kosova. Kështu thuhet në një studim të Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), i cili ka paraqitur trendet kryesore të aplikimit dhe miratimit të kërkesave të qytetarëve të Kosovës për vizë Schengen në periudhën 2014-2018.

Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) ka  analizuar më në detaje shkallën e refuzimit të vizave në rastin e Kosovës, pasi që kjo përbën një nga indikatorët më të rëndësishëm që merret parasysh në kuadër të vendimmarrjes për liberalizimin e vizave.

Në periudhën 2014-2018, afro 414 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Schengen. Nga ta afro 282 mijë kanë marrë vizë Schengen, thuhet në studimin e EPIK.

Në vitin 2018, afro 91 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Schengen. Nga ta mbi 63 mijë kanë marrë vizë Schengen. Shkalla e refuzimit të vizave ishte 22%. Në vitin 2018, shkalla e refuzimit të kërkesave të qytetarëve të Kosovës për pajisje me vizë Schengen është përkeqësuar krahasuar me vitin 2017, nga 20% (2017) në 22% (2018).

Në vitin 2018, më së shumti aplikacione për vizë janë bërë në Gjermani me afro 33 mijë, nga cilat u miratuan afro 26 mijë, në Zvicër afro 31 mijë aplikacione, nga cilat u miratuan afro 25 mijë si dhe Greqi me afro 7 mijë aplikacione, nga cilat u miratuan pak mbi 6 mijë.

Në vitin 2018 Kosova ishte në vendin e 39 nga të gjitha vendet e botës për nga shkalla e refuzimit të vizave Schengen. Kështu, Kosova ishte e ranguar më dobët se sa Egjipti, Guineja Bisau, Burkina-Faso apo Palestina të cilët kanë pasur shkallë më të ulët të refuzimit të vizave se Kosova në vitin 2018.

Në veçanti, është me vlerë krahasimi i shkallës së refuzimit të vizave të Kosovës me dy vende të fundit që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave në vitin 2017 – Gjeorgjia dhe Ukraina. Në vitin 2016, Gjeorgjia kishte shkallen e refuzimit të vizave prej 12%, ndërsa Ukraina 3%.

Viza Schengen është vizë e qëndrimit të shkurtër që lejon mbajtësin e saj të qarkullojë në zonën Schengen.

Zona Schengen mbulon 26 vende (“Shtetet Schengen”) pa kontroll kufitar midis tyre. Viza Schengen nuk është vizë e cila jep të drejtë pune apo studimi por është autorizim i lëshuar nga një shtet i Schengenit i cili mundëson:

Transitin apo qëndrimin në territorin e shtetit Schengen në periudhë prej jo më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve (“viza afatshkurtër”) si dhe mundëson transitin përmes aeroporteve të Shteteve Schengen (“viza transit e aeroporteve”), thuhet në studimin e EPIK.

***

Vlerësohet pozitivisht Samiti i Berlinit 

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka organizuar takimin me drejtuesit e institucioneve të vendit, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit si dhe Samiti i Berlinit. Pas takimit me presidentin, kryeministrin dhe ekipin për dialog, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Samiti i Berlinit është konsideruar nga të gjithë si i dobishëm. Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ishte nikoqir i takimit, paraqiti qëndrimin e përbashkët të institucioneve të vendit

“Samiti i Berlinit është konstatuar nga të gjithë ne se është një lajm i mirë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për procesin historik që po kalon Kosova jonë drejt OKB-së.”

Ai falënderoi përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në çështjen e Kosovës, duke shtuar se pret angazhim edhe më të madh të SHBA-së në këtë drejtim:

“Inkurajojmë dhe falënderojmë BE-në për fillimin e involvimit serioz në këtë proces historik. Por në mënyrë të vecantë e falënderojmë, inkurajojmë domosdoshmërinë e angazhimit të  vazhdueshëm të SHBA-ve. Edhe me këtë rast besojmë që në të ardhmen do të ketë një involvim edhe më direkt të SHBA-ve”, theksoi Veseli.

E për taksën, Veseli tha se nuk ka ndërmend të marrin vendim që vendos në pozitë të palakmueshme asnjë udhëheqës të Kosovës, duke shtuar se kurrë nuk do të nënshtrohen ndaj Serbisë e as ndaj Vuçiç. Veseli po ashtu dha përkrahje për rezolutën ndaj krimeve serbe në Kosovë si platformë e Tribunalit për trajtimin e krimeve serbe në Kosovë.

***

Jepet fund korrigjimit të kufijve, thotë Musafa

Kryetari I LDK-së Isa Mustafa ka thënë se Samiti i Berlinit i ka dhënë fund korrigjimit të kufijve, sepse sipas tij, ndryshimi i kufijve është ndryshim i deklaratës së pavarësisë dhe hap çështjen e shtetësisë. Pas mbledhjes me kryetarë të degëve të LDK-së, ai tha se me deklaratën e Pavarësisë, Kosova ka përcaktuar që kufijtë e Kosovës janë ata me marrëveshjen e Vjenës, që është bazë me planin e Ahtisarit. Prandaj, Mustafa tha se Kosova nuk guxon ta rrezikojë shtetësinë e saj.

Kreu I LDK-së ka mohuar të kenë LDK dhe VV bisedime për ndonjë koalicion parazgjedhor. Ai tha se me VV-në kanë vetëm bashkëpunim opozitar.

***

Organet e sigurisë të gatshme për zgjedhjet në veri 

Në  koordinim me Policinë e Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KQZ ka mbajtur Programin Orientues të Sigurisë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok që do të mbahen më 19 maj.

Përgatitjet e fundit janë duke u kryer për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, ka thënë në takim Afrim Ahmeti, drejtor i Departamentit për operacione në Policinë e Kosovës.

Laura Pula, koordinatore nacionale nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, tha se janë të angazhuar në mbrojtjen e votës së qytetarit.

E Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, tha se ky takim do të mundësojë të shprehet bashkëpunimi me secilin aktor që ka hise në këtë proces zgjedhor, i cili është aksioni më i madh civil.

***

Kurti prezanton kandidatët për zgjedhjet në Veri

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se kjo qeveri dhe koalicion duhet të hiqet sa më parë në mënyrë që të shpëtohet Republika e Kosovës. Në Këshillin e 37 të partisë, Kurti i prezantoi kandidatët për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës që pritet të mbahen më 19 maj. Qëllim i kandidatëve sipas Kurtit, është bashkimi i Mitrovicës Veriore. Kreu i Vetëvendosjes po ashtu ka thënë se do të vazhdon tubimet me qytetarë dhe se nuk do të hesht derisa të ndalet korrupsioni në Kosovë. Kurti tha se edhe qytetarët e veriut e dinë që PDK ka përgjegjësi për kontrabandën atje, ndarjen e veriut e mosvendosjen e sundimit të ligjit dhe mungesën e investimeve në Trepçë.

Ai tha se si shkak i nepotizmit dhe korrupsionit, rinia në Kosovë janë të papunë.

I pari i Vetëvendosjes shtoi se derisa Serbia shpenzon më së shumti buxhet në Ballkan për ushtri, Kosova këtë të fundit e ka lënë në fund të prioriteteve kurse buxhetin më të madh po e shpenzon në rrugë.

Ai e kritikoi kryeministrin Ramush Haradinaj për të cilin tha se taksën kundër mallrave të Serbisë po e mban për ta ruajtur pushtetin.

***

Ministri Lluka ballafaqohet me kundërshtim për privatizimin e Telekomit 

Në Komisionin Hetimor Parlamentar për Telekomin e Kosovës, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka thënë se Telekomi duhet të privatizohet. Mirëpo ka hasur në kundërshtim të anëtarit të Vetëvendosjes në Komision Liburn Aliu.

“Tendencat e vazhdueshme që me privatizuar sa më shpejt nuk po e shoh si çështje ideologjie këtu. Më duket më shumë si një përmbyllje, me e vënë kapakun diqysh e me mbyll krejt çka ka ndodhë aty sa më shpejt ta shesim e që mos të bëhet më ky muhabet”, tha Aliu.

E ministri Lluka tha se Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit për shkak të operimit me humbje. Ai shtoi se 2016-ta ishte viti kur Telekomi kishte shënuar një humbje të madhe prej 53 milionë eurosh, për ta pasuar pastaj vitin 2017 me 15 milionë euro humbje.

“Viti 2016 karakterizohet me humbje kaq të mëdha po ashtu për shkak se është dedikuar shuma për shkak të vendimit të arbitrazhit rreth 33 milionë euro, pra janë ndarë, janë futur në gjendje financiare si humbje. Ka qenë shqetësuese edhe për faktin se në vazhdimësi është mbipopulluar Telekomi, pra që nga dita e parë kemi qenë edhe kritik që në Telekom ka pasur rreth 2300 punëtorë të cilët me një rrogë mesatare rreth 980 euro e kanë rënduar shumë gjendjen financiare të Telekomit”, tha Lluka.

E anëtarët e komisionit thanë që e dinë se Telekomi ndodhet buzë falimentimit por kanë pritur nga ministri të tregojë pse ndodhet në këtë fazë dhe cilat janë opsionet e shpëtimit përveç privatizimit. 

***

Në plan, heqja e TVSH për automjete elektrike

Në Prishtinë gjatë javës është hapur Panairi i automjeteve “Prishtina International Autoshow”. Në Ceremoninë e hapjes, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka  ka thënë se kjo Ministri është e fokusuar që të heq TVSH-në për makinat e reja elektrike, pasi me këtë ruhet mjedisi.

“Ne gjithashtu si ministri jemi duke punuar me komunën e Prishtinës dhe donatorë për të bërë edhe mbushës tjerë në secilën komunë, duke filluar me Prishtinën, në mënyrë që Kosova të vendoset në hartat europiane të makinave elektrike”, tha Lluka.

Panairi I automjeteve të reja në Prishtinë nuk po arrin të jetë tradicional dhe po ka ndërprerje të organizimeve, siç ishte rasti me vitin e kaluar.

***

Protestë e zbehtë për 1 Maj

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, përmes një proteste në Prishtinë më 1 Maj, kërkoi respektimin e të drejtave të punëtorëve përmes kontratës së punës, sigurimit shëndetësor, rritjen e pagës minimale, etj. Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, kërkoi nga institucionet përgjegjëse që ta përmirësojnë pozitën e punëtorëve dhe që ta zbatojnë Ligjin e punës. Pjesë e protestës ishin edhe Sindikata e Re e KEK-ut dhe disa Organizata joqeveritare.

Nënkryetari i Sindikatës ë Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, e përsëriti kërkesën e punonjësve të kësaj korporate që të largohen nga ligji i pagave pasi sipas tij puna në miniera është specifike dhe nuk mund të përmbyllet me orar tetorësh.

Protesta e BSPK-së e cila nuk mblodhi shumë punëtorë përfundoj e qetë.

***

Nis linja Prishtinë-Aeroport 

Nga 1 Maji ka filluar linja e re e Transportit Publik nga Prishtina në drejtim të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe anasjelltas. Nisja bëhet nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë çdo ditë që nga ora 03.00 e mëngjesit deri në orën 22.00, çdo orë. Autobusi nga stacioni vazhdon drejt rrethit të spitalit, pastaj drejt Ulpianës, Radio Kosovës, Pallatit të Rinisë, për të vazhduar drejt aeroportit. Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj tha se kjo linjë e munguar në kryeqytet po bëhet realitet. “Linja fillon pas marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës e Transportit dhe Komunës së Prishtinës, përmes së cilës Ministria subvencionon këtë linjë”, kishte shkruar Lekaj në “Facebook”. Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka njoftuar për nisjen e kësaj linje. Ndryshe, çmimi i biletës për linjën Prishtinë-aeroport është 3 euro. Qytetarët në përgjithësi kanë shprehur kritika ndaj kryetarit Ahmeti për çmimin e biletës duke e konsideruar shumë të shtrenjtë. Ata krahasonin me çmimet e linjave shumë më të largëta siç është Prishtinë-Prizren që I ka 80 kilometra dhe kushton 3 euro për studentë dhe 4 euro për të tjerë.



Lajme të ngjashme