Sot mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Sot në ora 7 të mëngjesit janë hapur vendvotimet në mbarë vendin me çka filloi raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, i cili pritet të jep emrin e presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut.

Sot mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Sot në ora 7 të mëngjesit janë hapur vendvotimet në mbarë vendin me çka filloi raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, i cili pritet të jep emrin e presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut.

Vendvotimet do të qëndrojnë të hapura deri në ora 19:00.

Në zgjedhjet presidenciale votohet në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe kryeqytetin e Shkupit, si dhe në 32 vendvotime jashtë vendit.

Të drejtë vote kanë 1.808.131 qytetarë, prej të cilëve mund të votojnë 1.726.696 qytetarë, ndërsa pjesa tjetër (të burgosurit, të zhvendosurit dhe të sëmurët) që janë në listë të veçantë zgjedhore, të drejtën e votës kishin mundësi ta shfrytëzonin gjatë ditës së djeshme.

Në rrethin e dytë zgjedhor marrin pjesë kandidatët Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni qeveritar (LSDM, BDI, Alternativa dhe 28 parti tjera) dhe Gordana Siljanovska-Davkova e mbështetur nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

Rikujtojmë se pas raundit të parë zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) informoi se Stevo Pendarovski fitoi 323.892 vota, Gordana Siljanovska-Davkova 319.364 vota, ndërsa kandidati Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, kishte marrë 79.921 vota.

Në raundin e dytë, garojnë dy kandidatët që morën më shumë vota në raundin e parë, që janë Stevo Penadrovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa i treti, sipas numrit të votave të fituara, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

KSHZ informoi se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të drejtën e tyre për të votuar e shfrytëzuan 755.816 votues nga gjithsej 1.808.131 sa janë në regjistrin zgjedhor ose 41,85 për qind e votuesve.

Sipas ligjit, kandidati për president mund të fitoj në raundin e parë nëse siguron mbi 50 për qind të të gjithë votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Në të kundërtën mbahet raundi i dytë në të cilin garojnë dy kandidatët e parë të raundit të parë. Që votimi të konsiderohet i vlefshëm, jehona e daljes në zgjedhje duhet të jetë minimum 40 për qind prej numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.

Sipas kushtetutës, kandidati presidencial duhet të ketë mbi 40 vjet dhe të jetë shtetas së paku 10 prej 15 viteve të fundit. Mandat i presidentit zgjat 5 vite.

Nga pavarësia e shtetit, këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale.

Së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sot zhvillohet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme lokale për kryetarë të komunave të Ohrit dhe Novo Sellës.

Sipas listës së votimit të KSHZ-së, 52.303 qytetarë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Ohër, ndërsa 11.365 në Novo Sellë.

Zgjedhjet u thirrën edhe në Dibër, po aty u zgjodh kryetari i komunës në raundin e parë, kur fitoi Hekuran Duka nga BDI. (AA)



Lajme të ngjashme