Pas anëtarësimit në NATO rritet numri i investitorëve turq në Mal të Zi

Për momentin në Mal të Zi janë të regjistruara mbi 2000 kompani turke, të cilat janë të interesuara për investime në të gjitha fushat, e veçmas në ndërtimtari.

Pas anëtarësimit në NATO rritet numri i investitorëve turq në Mal të Zi
Asaf Ademi_Aleksandar Bogdanoviq.jpg
Karadağ Türkiye B.Elçisi_Songül Özan.jpg
23 Nisan_Karadağ.jpg
Arnavutluk-Karadağ_Muriqan_Sukobin sınır kapısı.jpg
Karadağ_ALSAR_kitap tanıtımı_Vassa Efendi.jpg

Mali i Zi gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e investitorëve nga Turqia

Investimet turke në Mal të Zi nga viti në vit po shënojnë rritje e në favor të kësaj shkon dhe fakti që gjithnjë e më shumë biznesmenë nga Turqia shumë aktivitete i kanë nisur pikërisht në Mal të Zi. Për momentin më shumë se 2000 sipërmarrje veprojnë këtu, ku themelues janë shtetas turq. Kryetari i asociacionit të investitorëve turq në Mal të Zi, Ertaç Gungor thotë se interesimi është gjithnjë e në rritje e posaçërisht pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Pas anëtarësimit janë krijuar kushte shtesë për sa i përket sigurisë për investime e numrin më të madh e shënon fusha e ndërtimtarisë. Sipas tij investitorët turq po ashtu janë tejet të interesuar të investojnë edhe në turizëm duke mos lënë anash edhe fushat e tjera.  Kryetari i asociacionit të investitorëve turq në Mal të Zi, z.Gungor thotë po ashtu se “qëllimi i tyre është që të hapim edhe fabrika të mëdha dhe me këtë të zbutet sado pak edhe pa punësia”. Nga investimet turke në Mal të Zi ai veçon “Toshçelikun” e cila administron uzinën e metalurgjikut në Nikshiq, si dhe kompaninë “Global Ports”e cila administron terminalin e portit të Tivarit. Po ashtu brenda një afati të shkurtër kohorë në Podgoricë janë hapur objektet me markat turke "Dogtash" dhe "LC Waikiki".   

***

Aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit do të administrohen nga kompania turke TAV 

Kompanie turke TAV sipas të gjitha gjasave do të jetë kompania e cila do të marrë në administrim aeroportin e Podgoricës dhe atë të Tivatit. Sipas mediave në Mal të Zi, TAV i Turqisë ka treguar interesimin më të madh për marrjen e aeroporteve. E njëjta administron edhe aeroportin e Shkupit, Ohrit dhe Zagrebit. Përndryshe shumë aeroporte në rajonin e Ballkanit administrohen nga kompani të huaja.

***

Edhe në Mal të Zi u kremtua 23 Prilli - Dita e Sovranitetit Kombëtar e Turqisë dhe Festa e Fëmijëve.

Me iniciativë të Asociacionit turk të biznesmenëve dhe investitorëve në Mal të Zi, u kremtua Dita e fëmijëve festa nacionale e Turqisë. Ne ceremoninë e kremtes në shkollën fillore “Oktoih” në Podgoricë ishte e pranishme edhe ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan dhe përfaqësuesit e institucioneve tjera turke që veprojnë në këtë republikë. Me këtë rast u organizua një program i pasur kulturo artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës, ndërkohë nxënësit më të suksesshëm u shpërblyen me dhurata simbolike. Njëkohësisht përfaqësuesit e institucioneve turke që veprojnë në Mal të Zi vizituan edhe jetimoren “Mladost” nga Bijela në Herceg Novi.

***

Nënkryetari i kuvendit të Malit të Zi takohet me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës 

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu u takua me ambasadoren e ShBA-ve në Mal të Zi, Judy Rising Reinke. Në takim u  shkëmbyen mendime dhe informata mbi situatën politike në Mal të Zi, në shtetet e rajonit, si dhe mbi përparimin e Malit të Zi në negociatat për integrimin në BE. Nënkryetari Nimanbegu e njoftoi ambasadoren me aktivitetet e Kuvendit në grupin për reformën zgjedhore, me qëllim të përmirësimit të klimës zgjedhore në Malin e Zi, që momentalisht është e bllokuar. Gjithashtu, e njoftoi edhe me zgjidhjet ligjore dhe kërkesat e partive të popujve pakicë, në veçanti të atyre shqiptare, që do të sillte deri te përfaqësimi autentik i pakicave në Kuvend. Nimanbegu e njoftoi znj. Reinke me çështjet e rëndësishme lidhur me avancimin e pozitës së komunave me shumicë shqiptare, para së gjithash në fushën e zhvillimit ekonomik, ekologjisë dhe mjedisit jetësor (çështja e Kripores), privatizimit (çështja e hoteleve të Ulqinit) dhe restitucionit (kthimit të pronave të nacionalizuara pronarëve të vërtetë). Gjithashtu, ambasadorja e vlerësoi diasporën shqiptare nga Mali i Zi në SHBA si dhe kontributin e saj në çështjet kyçe për zhvillimin e shoqërisë demokratike si në Malin e Zi, ashtu edhe në ShBA. Fokus i posaçëm interesimi i znj. Reinke ishte edhe mbrojtja e mjedisit jetësor, me theks të veçantë në zgjidhjen e çështjes së Kripores së Ulqinit, si oazë unike jo vetëm e Ulqinit dhe Malit të Zi, por edhe më gjerë. Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm i ShBA-ve dhe Malit të Zi të vazhdojë edhe më tutje në dobi të interesit të përgjithshëm të demokratizimit të shoqërisë dhe qytetarëve të të dy shteteve dhe administratave, duke theksuar se Ambasada do të ketë në fokus të posaçëm të rinjtë dhe edukimin e tyre, si bartës të zhvillimit të ardhshëm të shoqërisë.

***

Ministritë e Kulturës së Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan program për bashkëpunim kulturor në periudhën 2019-2022.

Ministritë e Kulturës së Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut , nënshkruan program për bashkëpunim kulturor në periudhën 2019-2022. Ministri i Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Asaf Ademi tha se këto dy vende kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në planin e jashtëm politik. Ai tha se edhe gjatë viteve të kaluara janë realizuar shumë projekte dhe iniciativa mes të dyja vendeve, dhe u shpreh i bindur se ky program i ri do të ndikojë që këto lidhje të thellohen edhe më tepër në të gjitha veprimtaritë në fushën e kulturës. “Ky dokument bilateral ndërlidhet edhe me marrëveshjen që e kemi nënshkruar dhe ratifikuar ndërmjet të dyja qeverive dhe programin e parë për bashkëpunim në fushën e kulturës, i cili kishte vlefshmëri deri në vitin 2019 dhe është një reflektim i angazhimeve tona për kultivimin dhe thellimin e relacioneve kulturore ndërmjet dy vendeve”, tha Ademi. Ndërkaq, ministri i Kulturës i Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviq, tha se ka potencial të madh për bashkëpunim mes institucioneve kulturore të të dy vendeve. Ai nënvizoi se në takimin bilateral janë dakorduar që në periudhën e ardhshme të bëhet afirmimi i lokacioneve arkeologjike, që në periudhën e kaluar nuk kanë qenë të mbrojtura mjaftueshëm. Të dy ministrat marrin pjesë edhe në hapjen e ekspozitës së veshjes solemne nga fondi i Muzeut Kombëtar të Malit të Zi “Moda evropiane e oborrit malazez- reflektime” në Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi.

***

Masa shtesë në pikat e kalimit kufitar për evitimin e radhëve 

Me afrimin e sezonit turistik pothuajse çdo vit hapet debati për lehtësira në vendkalimin e përbashkët kufitar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë – Sukobinë – Muriqan. Kjo është pika e vetme e përbashkët kufitare, por ajo është planifikuar për kalimin e rreth 500 mijë udhëtarëve me automjete, ndërkohë shifra çdo vit sa vjen e rritet. Veçmas gjatë sezonit turistik, ku mysafirët janë të detyruar të presin në kufi me orë të tëra për të hyrë në Ulqin. Në takime ndërmjet dy qeverive dhe zyrtarëve të lartë të Malit të Zi dhe Shqipërisë çdo herë janë konstatuar marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe operacionet e përbashkëta mes dy policive. Po ashtu janë çështje që lidhen me projekte të përbashkëta ndërkufitare për të siguruar mbështetje financiare dhe asistencë nga Bashkimi Evropian (BE). Zyrtarë malazez po ashtu flasin mbi masat shtesë për lehtësimin e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në muajt e sezonit turistik ka numri i kalimeve katërfishohet në vendkalimin Sukobinë–Muriqan. Për këtë vit është dhënë propozimi i procedurës vetëm një kontroll në hyrje dhe dalje të kufirit.

***

Në Ulqin do të bëhet përurimi dy librave të ideologut dhe veprimtarit shquar të Rilindjes Kombëtare Pashko Vasa

Të shtunën në Ulqin , do të mbahen promovimi i dy librave me tituj: “Skicë historike mbi Malin e Zi” si dhe “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët” me autor ideologun dhe veprimtarin e shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasa. Në këtë tubim do të flasin studiues të njohur të veprës së autorit. Aktiviteti organizohet nga Instituti “IDEA” në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR nga Tirana.

Për Zërin e Turisë nga Mali i Zi përgatiti Vera Alibegu Katana



Lajme të ngjashme