Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të mos ketë dykuptimësi

Në kohën kur po flitet për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dalë me rekomandim që ajo duhet të jetë e plotë dhe të mos ketë dykuptimësi.

Kosova_Sırbistan anlaşma_Mogherini.jpg
Kosova_Atlantik Taburu_yıldönümü.jpg
Kosova_PSD_Shqipe Pantina.jpg
Kosova_VV_Edison Jakurti.jpg
Paskalya genel.jpg

Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të mos ketë dykuptimësi

Në gjashtëvjetorin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 19 prill Instituti Demokratik i Kosovës ka dalë me një vlerësim se kjo marrëveshje nuk i ka përmbushur pritshmëritë. KDI-ja përmes një komunikate ka nxjerrë disa problematika, të cilat e kanë shoqëruar zbatimin e kësaj marrëveshje, por edhe shumicën e marrëveshjeve pasuese.
Sipas KDI-së, marrëveshja përmban dykuptimësi që krijon hapësirë për interpretimin të ndryshëm mbi aspekte të caktuara të obligimeve të parapara mes palëve. 

“Në mungesë të një interpretimi objektiv të marrëveshjes nga ana e BE-së, palët kanë shfrytëzuar hapësirën e interpretimit të njëanshëm të marrëveshjes, duke zgjedhur mënyrën e zbatimit ose moszbatimit të saj”, thekson KDI.
Aty përmendet mungesa  e mekanizmave garantues dhe mbikëqyrës, ndërsa theksohet edhe mungesa e vullnetit politik dhe mungesa e transparencës.
Duke pasur parasysh këto probleme, KDI-ja ka dhënë disa rekomandime, ku përfshihet edhe kërkesa që marrëveshja përfundimtare të mos ketë dykuptimësi.

“Duhet që në mënyrë të qartë të përcaktojë ruajtjen e shtetësisë së Kosovës, përfshirë çështjet që ndërlidhen me integritetin territorial, funksionimin unitar kushtetues të Kosovës, si dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës”, rekomandon KDI.
Po ashtu, theksohet nevoja e konsensusit të gjerë politik, transparenca në këtë proces, roli i BE-së dhe SHBA-së në garantimin e zbatimit të marrëveshjes, afatet e zbatimit të saj, si dhe rekomandohet që marrëveshja të regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së, duke evituar interpretimet e ndryshme të palëve mbi natyrën e saj.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, e cila u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013 si marrëveshje ndërkombëtare.

***

“Atlantiku”, një batalion ku u refuzua mirëqenia amerikane, pa lirinë e Kosovës

Në 20-vjetorin e themelimit të Batalionit “Atlantiku”, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi çmoi lartë vendimin e shqiptarëve që të lënë Amerikën për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së në Kosovë. Ai këtë e ka thënë në Akademinë përkujtimore për ‘Batalionin Atlantiku’.

Ndërkaq, Kryeministri Ramush Haradinaj, theksoi se ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës është ushtruar gjenocid i tmerrshëm. Serbia po provon të ndryshojë historinë duke thurur mite e duke mohuar krimet që kanë kryer në Kosovë, ka thënë Haradinaj.

E asamblisti shqiptar në Nju-Jork, Mark Gjoni, tha se dëshira e madhe e djemve dhe vajzave shqiptare nga Amerika për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon vlerën e atdhedashurisë së tyre për vendin. Në këtë akademi përkujtimore ka folur edhe komandanti i batalionit të “Atlantiku” Gani Shehu. Ai  theksoi se lufta për liri e ka edhe çmimin e vet, që u pagua me gjak, prandaj tha Shehu “askush nuk mund të shtrembëroj historinë e popullit Kosovës”.

***

Ligj për sanksionimin e mohuesve të krimeve në Kosovë

Zëvendës-kryeministri Enver Hoxhaj dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për medie ku kanë folur në lidhje  me iniciativën për hartimin e ligjit që i sanksionon mohimin e krimeve te luftës në Kosovë. Hoxhaj tha se në draftimin e këtij ligji do merren për bazë përvojat më të mira evropiane. Ai tha se edhe në vendet evropiane janë të ndaluara rastet e tilla të mohimit të krimeve.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se ky ligj nuk është kundër pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

“Kjo nuk ka të bëj ndaj një komuniteti të caktuar, jemi të përkushtuar të kemi shoqëri multietnike, ndërsa tani shënojmë 20-vjetorin e masakrave dhe ne nuk kemi pa që ka shkuar drejtësia në vend të krimeve që kanë ndodh ndaj popullatës së viteve ‘99”, tha ai.

Përveç iniciativës për një ligj të ri që do të trajtoj mohimin  e krimeve nga Serbia edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nëpërmjet një letre dërguar të gjitha vendeve mike të Kosovës ka kërkuar nga to miratimin e një rezolute, që në mënyrë zyrtare të njohin rolin e shtetit serb si shkaktar të krimeve kundër njerëzimit. Gjatë kësaj konference u fol edhe për samitin e Berlinit. Me këtë rast zv.kryeministri Hoxhaj tha se nuk duhet të pritet të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk është temë kyçe dialogu ndërmjet të dy shteteve.

***

Kryeministri Haradinaj nuk pret vendim final në Berlin

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Samiti i Berlinit më 29 prill, nuk do të sjellë diçka finale sa i përket marrëveshjes së mundshme përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se deklarimet nga palët e ndryshme nëpër media me renome botërore, Haradinaj i quajti energji e re në prag të këtij samiti, por jo si diçka finale.
Haradinaj foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Ai tha se kurdo që dikush nga partnerët e koalicionit e kërkon këtë, AAK-ja është e gatshme.
Kreu i Qeveri foli po ashtu për pagën minimale, për të cilën brenda mbledhjes pati përplasje mes ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i cili kërkoi ngritjen e pagës minimale, dhe zyrtarëve të PDK-së në Qeveri.
Ndërkohë, Qeveria në mbledhjen e saj ka ndarë 20 mijë euro për rindërtimin e katedrales Notre Dame të Parisit, që u shkatërrua nga zjarri të hënën pasdite. Po ashtu 471 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

***

U promovua libri “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”, i autorit Islam Lauka

Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, u promovua libri “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë” i autorit Islam Lauka, i cili është diplomat i karrierës dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë. Në këtë promovim ai tha se duhet të përmbyset kjo elitë politike si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke i quajtur pushtetarët debila.

Në libër, trajtohen teza që kanë të bëjnë me korrigjimin e kufijve të Kosovës dhe aktualitetin politik shqiptar. Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese “Faik Konica”, tha se libri i Laukës tregon qartë se nga i vjen kërcënimi Kosovës dhe se një marrëveshje me Serbinë me kushtet për shkëmbim territoresh, nuk është jetike për Kosovën.

Ndërkohë, autori i librit, Islam Lauka, tha se për të shkruar këtë libër e ka ndjerë si detyrë qytetare ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Ai shprehu shqetësimin e tij për ikjen e elitës intelektuale nga hapësirat shqiptare, duke fajësuar pushtetin aktual në të dyja vendet.

***

Vetëvendosje thotë se ka krizë ekonomike në Kosovë

Raporti financiar për vitin 2018 i publikuar këtë muaj nga ministria e financave, për lëvizjen Vetëvendosje zbulon krizën ekonomike dhe krizën e qeverisjes që e ka vendi. Edison Jakurti në konferencën për gazetarë, ka thënë se deklarimi i qeverisë për rritjen ekonomike më të madhe në rajon, nuk nënkupton mirëqenie ekonomike për qytetarë.

“Ekziston një dallim i madh në mes të rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik. Rritja ekonomike është dallimi në përqindje në mes të vlerës së Bruto Produktit Vendor në kohë të ndryshme. Zhvillimi ekonomik është procesi përmes të cilit një shoqërie mund ti përmirësohet mirëqenia ekonomike, sociale e politike”, ka thënë Jakurti. 

Kosova po ashtu ka pasur normën më të lartë të papunësisë dhe normën më të ultë të krijimit të vendeve të reja të punës në rajon, ka shtuar më tej Jakurti. Prandaj, rritja ekonomike më e lartë në rajon është vetëm një fitore e Pirros, tha ai. Gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe inflacion, theksoi ky zyrtar i Vetëvendosjes.

“Çmimi i bukës dhe drithërave është rritur për rreth 12%, çmimi i mishit është rritur për rreth 4%, ai I qumështit, djathit dhe vezëve për 4%, i perimeve për 33%, e kostoja e përdorimit të pajisjeve për transport personal për 6.4%”, tha ai.

E deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbëria Nagavci tha se gjatë qeverisjes aktuale nuk janë krijuar vende pune për qytetarë, por vetëm për anëtarë të partisë në pushtet, kryesisht të AAK-së dhe Nisma-s. Ajo tha se zgjidhja e vetme në këtë situatë janë zgjedhjet e reja.

***

PSD kërkon largimin e gjyqtarëve të korruptuar 

Korrupsioni dhe nepotizmi janë shakatarët kryesorë të ngecjes ekonomike dhe mungesës së investimeve të huaja, tha Shqipe Pantina nga PSD. Në një konferencë për media, ajo ka prezantuar masat për luftimin e korrupsionit.

Organizmi i “Vetingut”, të reformohen organet e drejtësisë duke larguar gjyqtarë të korruptuar dhe që janë pjesë të partive. Transparencë radikale në procese gjyqësore, përmes kësaj vihet në pah puna e secilit prokuror dhe gjykatës, aty mundë të kuptoni se pse po vonohen lëndët dhe nga kush”, tha Pantina.

Korrupsioni është një ndër faktorët që shtyn qytetarët të largohen nga vendi thonë në PSD.

***

Në Kosovë të krishterët festuan Pashkët, duke kërkuar mposhtjen e ateizmit

Besimtarët e krishterë në Kosovë, kremtuan Pashkët, festë kjo që përkujton ringjalljen e Krishtit. Mesha qendrore e Pashkëve në Kosovë u mbajt në katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, si dhe udhëheqësit politikë, në përgëzimet e rastit, kanë vënë theksin në përpjekjet për ruajtjen e paqes, tolerancës dhe pajtimit mes njerëzve.
Vikari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, ka ftuar njerëzit që gjithmonë të jenë në kërkim të së mirës, duke i ngjarë shëmbëllesës së njeriut, në mënyrë që të gjejnë Zotin.

”Munde në vetvete egoizmin, egocentrizmin, materializmin, i cili po na helmon dhe po na robëron të gjithëve, ateizmin praktik, indiferentizmin, relativizmin, këto sëmundje të shekullit dhe të kohës tonë. Kush mund të na jep përgjigje në të gjitha pyetje, nëse jo Krishti i ngjallur, nëse jo siguria se nëse jetojmë me Krishtin sot, do të ngadhënjejmë jo vetëm sot e nesër, por edhe në amshimin e lumtur ", ka thënë ai.

Ndërkohë, ipeshkvi tregoi se çfarë duhet të bëjë njeriu të mund të gjejë Zotin.

“Duhet ta kërkojmë njeriun, njeriun në shëmbëllesë të tij, njeriun vëlla apo motër, njeriun që është parafytyrimi i asaj që është Krishti, i cili thotë: ‘çka do që i keni bërë njërit prej më të vegjëlve, ma keni bërë mua”, tha ai.



Lajme të ngjashme