Maqedoni e Veriut – Pendarovski dhe Siljanovska në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Kryetari i ri i shtetit të Maqedonisë së Veriut do të përcaktohet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Maqedoni e Veriut – Pendarovski dhe Siljanovska në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, kandidatët Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova do të garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 5 maj.

Pas hapjes së 99,69 për qind të kutive të votimit, kandidati i mbështetur nga koalicioni qeveritar i kryesuar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Stevo Pendarovski, udhëheq ngushtë me 42,84 për qind të votave ndaj kandidates së mbështetur nga opozita e formuar nga Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase - Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE), Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka siguruar 42,24 për qind të votave.

Ndërsa Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, i cili arriti të marrë 10,58 për qind të votave, nuk do të ketë të drejtë të garojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të së dielës, gjithnjë sipas KSHZ-së, ishte 42 për qind; ndërkohë që 4,34 për qind e votave rezultuan të pavlefshme.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 5 maj.

Sipas legjislacionit maqedonas, pjesëmarrja e votuesve në raundin e dytë zgjedhor duhet të jetë jo më pak se 40 për qind në mënyrë që votimi të jetë i vlefshëm.

Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia e tij në vitin 1991, ndërkohë që kandidati fitues i raundit të dytë do të jetë presidenti i pestë në historinë e vendit.



Lajme të ngjashme