Maqedoni e Veriut – Mbi 1,8 milionë qytetarë votojnë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit

Blerim Reka i mbështetur nga opozita shqiptare, Stevo Pendarovski i LSDM-së dhe BDI-së në pushtet, si dhe Gordana Siljanovska e opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, pretendojnë të marrin timonin e shtetit dhe të zëvendësojnë kryetarin aktual Gjorge Ivanov.

Maqedoni e Veriut – Mbi 1,8 milionë qytetarë votojnë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit

Maqedoni e Veriut – Mbi 1,8 milionë qytetarë votojnë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit

Mbi 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote në 3.480 vendvotime brenda vendit dhe në 32 jashtë tij do të vendosin se cilit nga tre kandidatët për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut do t`ia japin besimin për ta drejtuar shtetin në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.

Në garë për president janë Blerim Reka i mbështetur nga opozita shqiptare, Stevo Pendarovski i LSDM-së dhe BDI-së në pushtet, si dhe Gordana Siljanovska e opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE.

Një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e  votës e kanë realizuar 1.640 persona në burgjet e vendit dhe persona që janë në arrest dhe të shpërngulur brenda vendit, si dhe 3.583 persona të sëmurë dhe të moshuar, të cilët këtë e kanë kërkuar nga komisionet komunale zgjedhore.

Kandidatët për president gjatë gjithë fushatës kanë demonstruar një kulturë të lartë komunikimi, si gjatë debateve televizive ashtu edhe në takimet e drejtpërdrejta me elektoratin.

Analistët vlerësojnë se gjuha unifikuese mund të jetë vendimtare që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të motivohen për të dalë në votime në raundin e dytë zgjedhor, në të kundërtën do të jetë shumë problematike arritja e pragut prej 40 për qind, i nevojshëm që zgjedhjet të jenë të suksesshme.

Godrana Siljanovka, gjatë fushatës 20-ditëshe, është shprehur se nuk i dëshiron votat e shqiptareve të arritura në bazë të marrëveshjeve mes partive politike, edhe pse është e vetëdijshme se pa votat e shqiptarëve nuk mund të zgjidhet presidente e shtetit.

Stevo Pendarovski, kandidat konsensual mes socialdemokratëve të Kryeministrit Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në fushatë është zotuar se do të angazhohet për implementimin e plotë të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në të gjitha poret e shoqërisë, ashtu siç e parasheh ligji.

Nga ana tjetër, kandidati i pavarur, Blerim Reka, i cili mbështetet nga dy partitë politike shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, thotë se ligji i gjuhëve nuk ka nevojë për një shtrirje më të gjerë, por nevojitet një ligj i cili nuk do t’i përcaktojë shqiptarët si përkatësi e 20 përqindëshit.

Të dielën (21 prill) në orën 7 të mëngjesit janë hapur vendvotimet në mbarë Maqedoninë e Veriut, me çka filloi raundi i parë i votimit për zgjedhje të presidentit të këtij shteti.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

Sipas ligjeve të vendit, kandidati për president mund të fitoj në raundin e parë zgjedhor nëse merr më shumë se 50 për qind të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar në listën zgjedhore. Në të kundërtën mbahet rrethi i dytë zgjedhor, në të cilin garojnë dy kandidatët që radhiten të parët në rrethin e parë zgjedhor. Dalja e votuesve në rrethin e dytë zgjedhor duhet të jetë jo më pak 40 për qind, në mënyrë që votimi të jetë i vlefshëm.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 5 maj.

Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia e tij në vitin 1991.

Zgjedhjet e gjashta presidenciale

Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në të cilat do të zgjidhet presidenti i pestë i vendit.

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë më 25 janar të vitit 1991, Kiro Gligorov, dy ditë më vonë, më 27 janar, u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Maqedonisë së pavarur dhe sovrane nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në zgjedhjet e para presidenciale në vitin 1994 ai përsëri u zgjodh për president të vendit.

Në vitin 1999, në zgjedhjet e dyta presidenciale, në vend të Gligorovit erdhi Boris Trajkovski, ndërsa në zgjedhjet e treta që ishin të parakohshme, president u zgjodh Branko Crvenkovski. Në zgjedhjet presidenciale në vitet 2009 dhe 2014 fitues ishte Gjorgje Ivanov, i cili është presidenti aktual i vendit.

Ivanov nuk ka të drejtë të kandidojë sërish për shkak të kufizimit kushtetues prej më së shumti dy mandateve të presidentit.

-Përgatiti për TRT Shqip, Nazmie Pacolli, Shkup

 


Lajme të ngjashme