Kosovë – Me prokurorë të rinj kërkohet kthimi i besimit në drejtësi

Mes qytetarëve të Kosovës ka kohë që shprehet në mënyrë të hapur mosbesimi në sistemin gjyqësor e prokurorial të vendit. Edhe pse zyrtarët e mohonin këtë me vite, tani edhe ata vetë kanë filluar ta pranojnë duke kërkuar të gjejnë mënyra për kthimin e tij.

Kosovë – Me prokurorë të rinj kërkohet kthimi i besimit në drejtësi

Me prokurorë të rinj kërkohet kthimi i besimit në drejtësi në Kosovë

Sistemi gjyqësor në Kosovë me vendime të çuditshme të gjyqtarëve e prokurorëve, shpesh ka qenë cak i kritikave nga qytetarët por edhe Organizatat e shoqërisë civile. Humbja e besimit të qytetarëve në drejtësi është evidente, sa që edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi në takimin më të fundit të Këshillit Prokurorial ka kërkuar edhe ndihmën e mediave për t’ia kthyer besimin sistemit të drejtësisë. E pas pak ditësh, kthimi i besimit është përmendur edhe nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni si dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connel. Në një konferencë të përbashkët me gazetarë, u adresua bashkëpunimi në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Projektit britanik që përmes ekspertëve britanik të bëhet rekrutimi i prokurorëve të rinj. Ambasadori O’Conel u shpreh se Kosova është duke u sfiduar nga krimi i organizuar, ndërkaq prokurorët e rinj janë ata që do ta kthejnë besimin e qytetarëve në sistemin prokurorial.

“Prokurorët e Kosovës mund të bëhen heronj të ri të Kosovës. Kosova sfidohet me krim të organizuar dhe korrupsionin. Krimi që prek Kosovën prek edhe Britaninë. Pra ne kemi një ide të përbashkët të bashkëpunojmë në këtë drejtim. Ky projekt mund të jetë një fillim i mirë për rikthimin e besimit të qytetarëve”, tha ambasadori.

Kemi ofruar mbështetje në rekrutim dhe përzgjedhjen e prokurorëve të rinj. Është shumë e rëndësishme për qytetarët të besojnë që prokurorët e tyre që kanë një përgjegjësi shumë të rëndësishme, të zgjidhen në bazë të meritës. Të kemi njerëz shumë të kualifikuar duke mos pasur ndikim politik nga jashtë”, ka thënë O’Connell.

E kreu i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni bëri të ditur se është votuar lista e re e prokurorëve.

“Të mërkurën ne kemi votuar listën prej 12 prokurorëve për dekretim tek presidenti i vendit, një proces i cili që nga fillimi ka qenë i përkrahur dhe i mbështetur pikërisht nga ekspertët britanikë”, tha Hyseni.

Në përzgjedhjen e prokurorëve të rinj ekspertët britanik do të kenë qasje në të gjitha proceset si dhe në përzgjedhjen e zyrtarëve të lartë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Është thënë se zgjedhja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore do të bëhet sipas meritës dhe kualifikimit.

Thaçi: Beteja e Koshares ka hapur një kapitull të ri

Presidenti Thaçi ka thënë se Beteja e Koshares ka hapur një kapitull të ri në atë kohë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Kreu i vendi ka thënë se tash 20 vite pas kësaj beteje, janë 20 vite të përpjekjeve tona për shtetndërtim, 20 vite të krenarisë, të dinjitetit dhe të forcimit të identitetit shtetëror, për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës euroatlantike, Kosovës që gjithmonë do të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe gjithë partnerët tjerë që na ndihmuan për liri dhe pavarësi.

Presidenti Thaçi ka uruar edhe njëherë të gjithë për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila, sipas tij, do të funksionojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Ushtri kjo e re, moderne, e standardeve të NATO-s që do të funksionojë jo parcialisht në territorin e Kosovës, por në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, për kontributin patriotik dhe atdhetar të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, presidenti Thaçi e ka dekoruar këtë brigadë me “Urdhrin e Lirisë” dhe nga 9 prilli, të gjithë dëshmorët e kësaj brigade i ka shpallur heronj të Kosovës. 

Kryeministri Haradinaj e ofron postin për ata që mund t’i ndalin ikjet

Çështja e migrimit të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian ka vazhduar të preokupojë të gjithë. Për këtë është mbajtuar edhe një debat në Parlament, përderisa kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se nuk ka zgjidhje për këtë problem. Ai thotë se një gjë e tillë është shqetësuese, por sipas tij kjo gjendje e njëjtë është qe 10 vite.

“Me kapacitetet tona është e pamundur ta zgjidhim papunësinë menjëherë. Këto para ambasadave më duket se janë kështu që 10 vjet. Ai që e gjen një vend pune në Gjermani gëzohet. Vërtet ata që shkojnë fitojnë dhe e ndihmojnë familjen, por është një person më pak në ekonominë e vendit. Nëse dikush mund të zgjidhë këtë çështje le të urdhërojë ta marrë vendin tim”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas Haradinaj nuk mund të bëhet asgjë për momentin për ta ndaluar largimin e qytetarëve.

“Sot s’mund të bëjmë asgjë. Është e pashmangshme kur i ofrohet një vendi integrimi në Evropë. Oferta më e mirë në treg fiton, e është e vështirë të ndalësh njerëzit. Bullgarisë i kanë ikur 1 milion njerëz për shkak të kësaj”, ka thënë ai.

Në Berlin takohen drejtuesit e shteteve të Ballkanit

Dy shtetet më të fuqishme të BE –së, pritet t’i takojnë udhëheqësit shtetëror ballkanas më 29 prill, në Berlin. Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi.

Ftesa i është bërë presidentëve dhe kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka konfirmuar ftesën. “Presidenti Thaçi ka marrë ftesë nga Kancelarja Merkel dhe presidenti Macron për të marrë pjesë në samitin që mbahet në Berlin”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të presidentit Thaçi.

Kurse presidenti serb Vucic gjatë një konference për media në Beograd, ka konfirmuar pjesëmarrjen në Berlin, ku pritet të takojë edhe udhëheqësit e Kosovës dhe Shqipërisë, por ka nënvizuar se nuk pret asgjë nga ai takim. Në këtë kuadër Vuçiq deklaroi se përderisa është në fuqi taksa doganore prej 100 për qind, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur për importet nga Serbia, ai nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, ku zhvillohet dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së. Pas zgjidhjes së çështjes së emrit ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, Gjermania dhe Franca kanë ofruar në disa raste ndihmën e tyre për mundësinë e gjetjes së zgjidhjes për problemet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Modernizohen spitalet e Kosovës

Mbi 50 milionë euro planifikohet të investohet në të gjitha spitalet e Kosovës, në mënyrë që të përmirësohet infrastruktura fizike por edhe të zëvendësohen aparaturat e vjetra me ato të reja. Këto mjete do të vijnë nga Komisioni Evropian, kurse Ministria e Shëndetësisë ka organizuar ceremoninë përmbyllëse të studimit të fizibilitetit për këtë qëllim.

“Mbi 52 milionë euro do të investohen në të gjitha spitalet, kurse vetëm në Qendrën Klinike Universitare do të investohen 26 milionë euro””, ka thënë ministri i shëndetësisë Uran Ismalii.

Ai ka potencuar se përmes këtij projekti synohet modernizimi i spitaleve, përkatësisht i pajisjeve nëpër spitale, që sipas tij është i domosdoshëm për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.

"Kjo do të ndikojë që sistemi publik shëndetësor të jetë më kompetitiv, duke ndikuar edhe në eficiencën ekonomik të ofrimit të shërbimeve kualitative”, tha ministri.

Ballafaqimi me aparaturë të vjetër ka qenë një kokëçarje për të gjithë. Në mungesë të pajisjeve, profesionistët shëndetësorë shpesh nuk kanë mundur ti ofrojnë shërbime qytetarëve, e ata pastaj janë detyruar të kërkojnë shërim tek spitalet private në vend apo jashtë.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se janë të përkushtuar që të financojnë projekte që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

LDK pjesë e peticionit kundër autostradës së Dukagjinit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se kanë nënshkruar peticionin e nisur nga këshilli i qytetarëve të komunës së Rahovecit lidhur me autostradën e Dukagjinit.

Hoti ka thënë se peticioni përfshin qëndrimin e LDK-së, se autostrada duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe se para ndërtimit të saj, komunat nga bie kjo autostradë, kanë prioritete tjera, në veçanti zgjerimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore nga Radoniqi. Po ashtu kërkohet funksionalizimi i hekurudhës nga Klina ne Prizren.

Jashari pret investitorët potencial për hapje të fabrikës së Duhanit

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur të dielën investitorët e huaj, Bjerne Christensen dhe Klaus Jakobsen nga Danimarka, si dhe biznesmenin shqiptar, Naim Kadishani, ku temë e diskutimit ishte ndërtimi i fabrikës së duhanit, projekt në vlerë prej rreth 7 milionë euro, ndërsa numri i punëtorëve pritet të jetë deri 3.000.

Kryetari Jashari i ka shoqëruar në Kryshec, ku Komuna planifikon t’i ndajë tokë, meqë është në pronësi të saj, prej 3.5 hektarë, për ndërtimin e fabrikës, e cila gjithashtu do të ketë në shfrytëzim tokën për mbjellje të duhanit.

Jashari ka premtuar siguri të plotë për realizimin e këtij projekti milionësh, duke theksuar se është në interes të qytetarëve ndërtimi i fabrikës, pasi do të punësohej një numër i madh  punëtorësh.

Investitorët nga ana e tyre kanë treguar interesim të investojnë në Skenderaj, dhe janë befasuar me kushtet e ofruara për investime, si dhe tokën e cila planifikohet t’i jepet në shfrytëzim sipas legjislacionit në fuqi.

Gjatë vizitës në Skenderaj, mysafirët kanë vizituar edhe Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, ku kanë bërë homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të kombit.

Kosova U21 në hendboll kualifikohet në kampionatin Botëror

Kombëtarja e Kosovës U21 në hendboll ka shkruar historinë duke u bërë kombëtarja e parë e Kosovës që arrin të kualifikohet në një Kampionat Botëror. Kosova në finalen e turneut IHF Intercontinental që u mbajt në Prishtinë, e mposhti Taipeun Kinez me rezultat 30:26. Që nga fillimi kosovarët ishin në epërsi, që njëherë madje arriti në tetë gola. Kampionati Botëror 2019 do të mbahet në Spanjë në muajin korrik.

Kurse Kosova U19, po në turneun në Prishtinë ka fituar medaljen e bronztë, pasi e mposhti në betejën direkte, Kanadanë me rezultat 32:26.



Lajme të ngjashme