Në Tivar u shpërndanë certifikatat e kursit të turqishtes

Me rritjen e investime turke në Mal të Zi, dita ditës rritet edhe numri i të interesuarve për mësimin e turqishtes.

Karadağ-da Türkçe Kursu Sertifika Töreni_5.JPG
Karadağ-da Türkçe Kursu Sertifika Töreni_3.JPG
Karadağ-da Türkçe Kursu Sertifika Töreni_2.JPG
Karadağ-da Türkçe Kursu Sertifika Töreni_Edona Peku.jpg
Karadağ-da Türkçe Kursu Sertifika Töreni_Enver Resuloğulları.jpg
Karadağ-da Türkçe Kursu Sertifika Töreni_1.JPG

Në Qendrën Islame në Tivar u organizua ceremonia e dorëzimit të certifikatave për vijuesit e kursit të gjuhës turke

Në Qendrën Islame në Tivar u organizua ceremonia e dorëzimit të certifikatave për kursantët e gjuhës turke. Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë Koordinatori i TIKA-s për Malin e Zi Enver Resulogullari, prindër dhe vijuesit e kursit të gjuhës turke nga Ulqini dhe Tivari. Kurset zhvillohen falas dhe atë falë Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim TIKA. Përndryshe TIKA që nga viti 2007 zhvillon aktivitete të shumta në Mal të Zi të karakterit humanitar dhe donatorë. Deri tani janë realizuar 320 projekte e njëri prej tyre është edhe kursi falas i mësimit të gjuhës turke. Që nga viti 2010 këtë kurs e kanë vijuar më shumë se 300 kandidatë. Mësimi i gjuhës turke, me të cilën shërbehen më shumë se 250 milionë njerëz në botë, krahas funksionit praktik shërben edhe në kultivimin e raporteve miqësore të dy shteteve, theksoi për Zërin e Turqisë, Koordinatori i TIKA-s në Mal të Zi, Enver Resulogullari. 

Nga 42 kandidatë që kanë vijuar kursin vitin e kaluar, 35 prej tyre kanë kaluar testin dhe kanë marrë certifikatën. Prej tyre 19 kandidatë janë nga Tivari dhe 16 nga qyteti i Ulqinit. Dy shtetet tona kanë marrëdhënie të mira miqësore ndërkohë që kursi i mësimit të gjuhës turke është një impuls shtesë i këtyre marrëdhënieve. Kohëve të fundit në Mal të Zi po vijnë gjithë e më shumë investitorë nga Turqia që kanë nevojë për fuqi pune, andaj me rëndësi është që sa më shumë qytetarë të mësojnë gjuhën turke e më këtë do të zvogëlohet edhe numri i të papunësuarve në Ulqin dhe Tivar. Kjo po ashtu kontribuon edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor etj.”   tha Koordinatori i TIKA-s, Enver Resulogullari.

Mësimdhënësja e gjuhës turke e angazhuara nga TIKA, Fahira Kraja, e cila zhvillon mësimin paralelisht në qytetin e Tivarit dhe në Ulqin thotë se krahas nxënësve të shkollave të mesme dhe studentë, kursin e gjuhës turke e vijojnë edhe qytetarë, akademikë, mjekë, ekonomistë, gazetarë avokatë etj. Po ashtu kursin e vijojnë edhe qytetarë të konfesioneve të ndryshme. Kursi i radhës fillon në shtator e kandidatët mund të regjistrohen që në gusht, tha znj. Kraja dhe shtoi:

Presim një numër të kandidatëve. Besoj se të gjithë ata të cilët deri tani kanë vijuar kursin një ditë do ta kuptojnë se sa vlerë ka mësimi i gjuhës turke dhe sa shumë do t’u shërbej për të ardhmen. Jemi dëshmitarë të saj që kapitali turk gjithnjë e më shumë është i pranishëm në Mal të Zi, e po ashtu gjuhën turke e flasin  me shumë se 250 milion njerëz në botë. Andaj them se mësimi i kësaj gjuhe ka dhe do të ketë vlerë të veçantë për ndërtimin e karrierës tuaj”, u shpreh znj. Kraja.

Gjuha turke nga dita në ditë ka filluar të flitet gjithnjë e më shumë nga njerëz të fushave të ndryshme duke i përforcuar kështu pozitat e saj gjeografike si një ndër gjuhët më të folura mbarëbotërisht. Në Mal të Zi ka dhe shumë nxënës të shkollave të mesme qe mësojnë gjuhën turke me qëllim që një ditë te vijojnë studimet në Turqi. Njëra nga to është edhe Edona Pekunga Ulqini, e cila thotë se gjuhën turke e pëlqen nga që përcjell dhe serialet televizive turke. 

Kam mbërritur në nivelin A2, ku sot morëm dhe certifikatën. Secila gjuhë e huaj në fillim është e vështirë por për ne nuk është shumë e vështirë pasi kemi dhe shumë fjalë të ngjashme. Kur mëson me qejf asnjë nuk është e vështirë. Mësimdhënësja e gjuhës turke jep çdo gjë nga vetja për të na mësuar sa më shumë me qëllim që edhe ne , por edhe ajo si pedagoge të jetë e kënaqur. Dëshira ime është që të shkoj për studime në Turqi dhe nëse më jepet mundësia unë do të shkoj me kënaqësi.

Edhe nxënësja Sanije Duli tash 1 vit vijon kursin e gjuhës turke që zhvillohet në Ulqin. Ajo shprehet se me nivelin e mësuar deri tani mund të komunikoj lirshëm në gjuhën turke. Ajo falënderon TIKA-n që mundëson falas vijimin e kursit sepse është një përparësi e madhe sidomos për nxënësit .

Kursin e gjuhës turke e kam filluar në muajin shkurt të vitit të  kaluar dhe tani jam në nivelin A2. Ishte një dëshirë e madhe imja që të mësoj gjuhën turke. Jam shumë e lumtur që m’u dha rasti të vijoj kursin në qytetin tim. Si dhe çdo gjë tjetër në fillim duket e vështirë, por kur diçka të pëlqen do t’a gjesh mënyrën ta mësosh dhe me kohë do te duket më e lehtë. Po ashtu duket të vlerësoj edhe punën e mësimdhënëses e cila mundohet që t’na bëjë gjuhën më të lehtë dhe duke i bërë orët shumë interesante dhe duke komunikuar me ne në gjuhën turke. Nëse do të vizitoja Turqinë tani mendoj se do të mund të merrem vesh me njerëzit atje. Po ashtu edhe shumë vende do ti kisha të njohura sepse duke mësuar gjuhën mësojmë edhe historinë e vendit dhe popullit turk. Tashmë edhe serialet turke mund ti shikoj pa përkthim”, -thotë nxënësja Sanije Duli.

Përndryshe investime e shumë sipërmarrjeve dhe bizneseve turke dhe nevoja për punëtorë të kualifikuar që të jenë njëherazi dhe njohës të gjuhës turke, ndikuan tejet pozitivisht kërkesën për të mësuar gjuhën. Me rritjen e investimeve dhe me përforcimin e marrëdhënieve tregtare dhe kulturore mes Malit të Zi dhe Turqisë, po rritet dita ditës edhe nevoja dhe kërkesa për mësimin e gjuhës turke.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi – përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme