G7 thirrje për normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, thuhet nga ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara (G7).

g7.jpg
Sırbistan Savunma  Bakanı_Aleksandar Vulin.jpg
aleksandar-vulin-odluka-da-se-eelj-vrati-u-ha_trt-bosanski-41289.jpg
KFOR kosova
Behqet Pacolli_Mevlüt Çavuşoğlu.jpg
Fatmir Limaj_Shpend Ahmeti.png

G7 thirrje për normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara (G7) u bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të normalizojnë në tërësi marrëdhëniet e tyre me anë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, në mënyrë që ata mund të bëjnë progres në rrugën e tyre evropiane”, thuhet në një komunikatë të përbashkët në fund të samitit.

Sipas G7, pa një normalizim të efektshëm dhe të plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës përmes dialogut me ndërmjetësimin e BE-së nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në rajon.

Shefat e diplomacive të G7 konfirmojnë angazhimin e tyre ndaj sigurisë, stabilitetit, prosperitetit dhe perspektivës evropiane të gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Ata theksojnë rëndësinë e përmirësimit reformat e nevojshme të brendshme, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, sipas një komunikate në 25 faqe të publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.

Anëtarët e G7 janë Franca, Gjermania, Italia, Japonia, SHBA, Britania e Madhe dhe Kanada.

***

Procesi i dialogut me Serbinë, pa rezultate

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka prezantuar analizën përmbledhëse të rezolutës, projektligjit dhe platformës për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas hulumtiesit Përparim Kryeziu, rezoluta ka dështuar dhe nuk e siguron ruajtjen e kufijve të sotshëm. Për projektligjin, ai tha se përgënjeshtron tre pozitat kryesore publike të hartuesve të saj, kurse platforma nuk e anulon mundësinë që në bisedime të diskutohet për territore.

Përmbajtja e dialogut vazhdon të jetë i paqartë dhe Kosova dhe qytetarët e saj kanë të njëjtat paqartësi sikurse kishin në maj të vitit 2018 atëherë kur për herë të parë presidenti I vendit doli publikisht me idenë e tij për shkëmbim territoresh apo ripërcaktim të kufijve si kornizë për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë”,- thotë Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se nevojitet kompromis i gjerë politik për të tejkaluar këto probleme dhe shqetësime të vazhdueshme.

Në vazhdën e këtij procesi qeveria duhet të artikulojë një qëndrim të qartë dhe të theksoj se urgjenca për finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në fakt është një skenar I imponuar nga Serbia i strategjisë së zgjerimit të BE-së dhe mbi këtë bazë është Serbia ajo që duhet të jetë e gatshme për kompromis e jo Kosova”,- tha Kryeziu.

Kjo analizë gjen se të tre dokumentet kanë dështuar të përmbushin qëllimet e tyre kryesore politike. Çështja e dialogut vazhdon të jetë ende e paqartë. GLPS rekomandon formimin e një grupi joformal gjithë partiak, të tipit të një grupi të unitetit politik të përbërë nga kryetarët e partive kryesore, të cilat kanë një përgjegjësi të vetëm dhe që është përafrimi i kërkesave të gjitha partive politike.

***

Vulin flet për demarkim të kufirit mes Serbisë e Kosovës 

Demarkimi i kufirit mes Kosovës e Serbisë duhet të ndodhë sa më shpejt, sepse kur dihet kufiri atëherë edhe mund ta mbrojmë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin. Ai në intervistën për gazetën serbe "Novosti", ka shtuar se vendimi për këtë duhet të merret në referendum. "Disa fuqi të mëdha do ta përkrahin, e disa jo, kurse tek ne mbetet të marrim pjesë në atë lojë”,- ka thënë Vulin.

Ai ka thënë poashtu se “Shqipëria e madhe po vjen”.

"Shqipëria e madhe tashmë është formuar, veçse është çështje sa pjesë të shteteve tjera do t’i përfshijë. Me hyrjen e Maqedonisë veriore në NATO, të gjithë shqiptarët, me përjashtim të dy komunave në Serbinë qendrore, do të jetojnë në një hapësirë të bashkuar politik dhe të sigurisë në kuadër të NATO-së. E me jetesën e të gjithë shqiptarëve udhëhiqet nga Tirana”, ka potencuar ai.

Në lidhje me kundër-argumentin se me demarkim të kufirit, në shtetin e Kosovës do të mbeteshin më shumë serbë se sa në veri, Vulin ka thënë se nuk e ka vizatuar kufirin, por dëshiron të ndahet nga shqiptarët duke përdorur fjalën fyese me këtë rast.

"Sa më parë të ndahemi nga shqiptarët, aq më parë do të fillojmë të jetojmë. Nëse nuk duam, atëherë për hajër ju qoftë Kosova e plotë dhe e pavarur”, ka thënë Vulin.

Ai ka shtuar se këto janë vetëm qëndrime të tij dhe jo të qeverisë së Serbisë.

***

Vulin paditet nga serbët për deklaratën 

Për shkak të deklaratave për demarkacionin e kufirit me Kosovën, Sindikata e Ushtrisë së Serbisë  ka parashtruar padi penale kundër ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, për rrezikimin e integritetit territorial dhe tradhti ndaj vendit, si dhe kërkoi shkarkimin nga detyra dhe arrestimin e tij.

Në kumtesë thuhet se Sindikata e Ushtrisë Serbe u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të reagojnë, kurse Kuvendi i Serbisë të shqyrtojë përgjegjësinë e anëtarit të Qeverisë së Serbisë dhe të informojë publikun, lidhur me deklaratat e tij rreth demarkacionit mes Serbisë dhe Kosovës.

Sipas Sindikatës, të cilën e transmeton “Beta”, “ministri serb në një intervistë të botuar në gazetën ‘Vecernje Novosti’ me qëndrimet e tij ka përhapur frikë dhe po i cenon kufijtë shekullor të shtetit serb”

“Vulin ka kryer veprën penale të rrezikimit të integritetit territorial, në Nenin 367, të së cilës në mënyrë eksplicite thuhet se kush me forcë apo në mënyrë tjetër jo-kushtetuese përpiqet të shkëputë një pjesë të territorit ose një pjesë të territorit të saj ia bashkëngjit një shteti tjetër, dënohet me burgim prej 3 deri në 15 vjet”, thuhet në kumtesën e sindikatës ushtarake.

Sipas vlerësimit të kësaj sindikate, “përgjegjësia e Vulinit është edhe më e madhe për shkak se është ministër zyrtar i Mbrojtjes dhe intervista e tij, në të cilën de facto njohu ekzistencën e ‘Shqipërisë së Madhe’ në tokën shekullore serbe është më shumë se një alarm i kuq dhe duhet të reagojë prokurori publik, kurse VBA [shërbimi ushtarak i sigurisë] duhet ta arrestojë, ndërsa Qeveria dhe Presidenti ta shkarkojnë një bashkëpunëtor të tillë”.

Padi ndaj Vulinit, ka paralajmëruar edhe presidenti i lëvizjes “Dveri”, Boshko Obradoviq, lëvizja e cila është organizatore e protestave ndaj presidentit serb Aleksandar Vuciq.

***

Ushtrimet e Ushtrisë Shqiptare dhe FSK’së në veri nuk rrezikojnë askënd

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka folur për ushtrimet e përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Shqipërisë, duke thënë se këto ushtrime nuk sjellin destabilizim

Këto komente zëdhënësi i KFOR-it i ka bërë për gazetën serbe “Novosti”, duke potencuar se nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe se vazhdojnë të kenë bashkëpunim të mirë me institucionet e Kosovës dhe ato të ushtrisë serbe.

Ai ka folur edhe për ushtrimin e përbashkët të Ushtrisë së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Ky ushtrim është një shembull i përdorimit të keq të retorikës. Ushtrimet e përbashkëta të Ushtrisë së Shqipërisë (bëhet fjalë për disa ushtarë) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfaqësuar ushtrimin e aftësive të kërkim shpëtimit. Por në disa media kjo u prezantua si një kërcënim i aksioneve të organizuara të dhunshme në veri të Kosovës. Kjo stërvitje në asnjë mënyrë nuk ka ndikuar në misionin e KFOR-it”, tha Grasso.

Zëdhënësi i misionit paqeruajtës në Kosovë, tha se “KFOR-i është e vetmja forcë e autorizuar me Rezolutën e OKB-së që të garantojë sigurinë në Kosovë, kurse NATO është e gatshme të dërgojë trupa shtesë në Kosovë”.

***

Pacolli takohet me Cavusoglu 

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pas përfundimit të vizitës në Jordani, ka vizituar Turqinë, ku është pritur nga ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlyt Cavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu).

Pacolli ka shkruar në 'Facebook' se raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, do të vazhdojnë edhe më tutje drejt avancimit.

“Turqia nëpërmjet ministrit të jashtëm fuqishëm rikonfirmon mbështetjen e gjithanshme për Kosovën”, ka shkruar Pacolli.

***

Ulen dhe më pas hiqen tarifat e Romingut në Ballkanin Perëndimor

Kosova ka firmosur në Samitin Dixhital në Beograd marrëveshjen rajonale mbi uljen dhe më pas heqjen e plotë të çmimeve të roamingut për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nga 1 korriku i këtij viti qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga ulja e çmimeve të shërbimit të romingut. Sipas ministrit Lluka, kjo marrëveshje garanton se do të ketë një çmim fikës të pagesës në mes vendeve të rajonit, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, rreth 19 centë do të jetë minuta për thirrje, 6 centë mesazhi dhe 2 centë për Megabit për internet. Kurse nga 1 korriku i vitit 2021 çmimi i tarifave në mes vendeve të rajonit do të jetë i barabartë me çmimet në vend, pra nuk do të ketë fare tarifa të romingut.

Edhe ministri Lluka ka thënë se kodi +383 ende nuk është funksional në Serbi.

***

Fillon projekti i ndërtimit të Spitalit të Prishtinës 

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili dhe ai i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, nënshkruan një memorandum për projektin e Spitalit të Prishtinës. Spitali i kryeqytetit do të ndërtohet brenda 3 viteve dhe do të kushtojë mbi 7 milionë euro.

Ministri Ismaili, tha se tashmë është bërë hapi i parë, ndërsa buxheti për projektin është i ndarë për një periudhë tre vjeçare.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar tha se hapi i parë për fillimin e këtij projekti do të jetë studimi i fizibilitetit, për të vazhduar me hapat e tjerë deri në përfundim të tij.

Për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, ende nuk dihet se ku do të ndahet lokacioni, pasi siç u tha, do të shikohen kapacitetet dhe nevojat e kryeqytetit. Ministri Ismaili tha se ky spital do të jetë modern dhe do të ofrojë shërbime moderne për qytetarët e Prishtinës.

***

Kompensimi i orëve mund të ndodhë në fund të vitit shkollor

Ministria e Arsimit dhe Përfaqësues të SBAShK-ut si dhe Këshillit të Prindërve, u pajtuan gjatë një takimi, që nëse do të ketë plotësim/ndryshim të ligjit për mësimdhënësit e ciklit klasor për ndryshim të koeficientit, që është kërkesë e SBASHK-ut, atëherë do të ketë kompensim të orëve mësimore. Kompensimi do të bëhej në fund të vitit shkollor dhe do të zgjaste një javë. Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se e ka tërhequr vendimin e fundit për kompensimin e orëve për të arritur një marrëveshje me SBAShK-un për të mirën e nxënësve.

Ndërsa, nënkryetarja e Sindikatës se Arsimit, Vjollca Shala, tha se kërkesa e SBAShK-ut është ndryshim/plotësimi i ligjit për mësimdhënësit e ciklit klasor për koeficientin dhe nëse kjo kërkesë plotësohet, do të arrihet një marrëveshje për kompensimin e orëve.

Edhe kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi tha se sa më shpejt duhet të arrihet një marrëveshje në mënyrë që kompensimi i orëve të ndodhë dhe nxënësit mos të humbin më shumë.



Lajme të ngjashme