Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Kryeministri Rama uron Presidentin Erdogan për fitoren në zgjedhjet vendore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka telefonuar Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan për ta uruar me rastin e suksesit të arritur dhe fitoren e partisë së tij, “AK Parti” në zgjedhjet vendore.

Erdoğan_Edi Rama.jpg
Sander Lleshaj_Ina Nuka_madalya.jpg
Arnavutluk yabancı yatırımlar_TAP.jpg
Arnavutluk_İşkodra_isra me miraç gecezi_1.jpg
judo balkan şampiyonası_Tiran_Türk ekibi_1.jpg
Mehmet Dursun Erdem_ALSAR.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (14/2019)

-Kryeministri Rama uron Presidentin Erdogan për fitoren e Partisë së tij në zgjedhjet vendore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka telefonuar Presidentin e Republikës së  Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan për ta uruar me rastin e suksesit të arritur dhe fitoren e partisë së tij, “AK Parti” në zgjedhjet vendore që u zhvilluan të dielën e kaluar, më 31 mars.

Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Komunikimit e Presidencës së Turqisë, e cila njoftoi se krahas Ramës, Erdoğan ka pranuar telefonatë urimi edhe nga udhëheqës të tjerë të vendeve të ndryshme të botës.

***

-KE: Në maj rekomandojmë hapjen e negociatave me Shqipërinë

Komisioni Evropian do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn duke raportuar në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, u shpreh se në fund të majit do të paraqesim progresin tonë vjetor për vendet në rajon dhe Turqinë.

“Pres që në bazë të asaj që kemi parë, të bëjmë një rekomandim për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, të cilat duhet të futen në fazën përgatitore për negociatat e integrimit”, tha Hahn.

Mendoj që çdo masë që ndikon politikën e jashtme të BE dhe çdo hap drejt zgjerimit kërkon votë unanime nga të gjitha vendet anëtare. Dhe për secilin nivel individual të procedurave të integrimit ka kritere, standarde, detyrime që duhen përmbushur nga partnerët tanë, dhe këto janë kushtet që kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare”, u shpreh Hahn.

Ai shtoi se “Në aspektin ekonomik, 75% e investimeve në Ballkan vijnë nga vendet anëtare të BE. Sa i përket infrastrukturës mund të luajmë një rol të rëndësishëm. Nuk dua të futem në detaje, por mund të flasim për vende të caktuara. Kur flasim për zgjerimin çështjet ekonomike, shteti i së drejtës janë baza për të ardhmen. Mendoj se jemi në drejtimin e duhur”, tha Hahn.

***

-Ministri i Brendshëm, Lleshaj i jep “Medaljen e Nderit” efektives Ina Nuka

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i ka dhënë “Medaljen e Nderit” efektives Ina Muka, e cila u plagos në protestën e banorëve të Astirit, më 22 nëntor 2018, përpara selisë së Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, Leshaj i shprehu mirënjohjen efektives për kontributin dhënë në shërbim të qytetarëve.

“Dua ta shfrytëzoj këtë moment për t’ju falënderuar ju, Ina, për kontributin e dhënë, për modelin e mirë që keni treguar, për angazhimin tuaj në shërbim të qytetarëve, ndonëse nga qytetarë të papërgjegjshëm keni pësuar një dëm që shpresoj të jetë reduktuar tashmë me kalimin e kohës. E kam thënë dhe herë të tjera, që ndjehemi mirë që kemi oficerë policie të tillë që kanë përkushtim, kanë patriotizëm, kanë kurajë, kanë profesionalizëm dhe për këtë arsye kam vendosur që në shenjë mirënjohje t’ju akordojë “Medaljen e Nderit” të Ministrit të Brendshëm, duke ju thënë që përmes saj shpreh gjithë konsideratat dhe vlerësimin tim si ministër i Brendshëm, por edhe të Ministrisë së Brendshme dhe të gjithë Policisë së Shtetit, për angazhimin tuaj. Shpresoj që këtë angazhim ta vazhdoni edhe më tej duke i dëshmuar dhe duke i perfeksionuar vlerat që ju kanë karakterizuar si dhe duke dhënë shërbim e kontribut për modernizimin e mëtejshëm të Policisë tonë të përbashkët”, u shpreh ministri Lleshaj.

Nuka u dëmtua rëndë në dorë me kapsollë gjatë protestës së banorëve të Astirit. Ajo iu nënshtrua disa ndërhyrjeve të specializuara mjekësore në Ankara të Turqisë.

***

-Rekord i investimeve të huaja direkte në Shqipëri, mbi 1 miliard euro në 2018

Banka Qendrore e Shqipërisë konfirmon rekord rritje të investimeve të huaja në Shqipëri për të pestin vit radhazi. 

Sipas BSH-së, në muajin shtator 2018 stoku i investimeve të huaja arriti në 7.4 miliardë euro. Ndërkohë që krahasuar me vitin 2014, investimet e huaja janë rritur me rreth 80%.

Sektori energjetik kryeson me rritjen më të madhe të investimeve, ku dominojnë projektet madhore të TAP dhe Devoll Hydropower.

Ndërkohë që sektorë të tjerë me vlera të larta të investimeve të huaja në ekonomi mbeten  telekomunikacioni, informacioni, me pothuajse 1.2 miliardë euro.

Për të vijuar me sektorët strategjikë të shërbimeve dhe atë financiar bankar, ku sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja arrin në 1.1 miliardë euro, ose 50% më shumë krahasuar me pesë vjet më parë.

Banka e Shqipërisë vëren se sipërmarrja e huaj po fiton përparësi edhe në sektorin e ndërtimit, ku stoku i investimeve të huaja arrin në 135 milionë euro.

***

-Në Shqipëri u shënua Nata e Madhe e Israsë dhe Miraxhit

Me rastin e përkujtimit të Natës së Madhe të Israsë dhe Miraxhit, në qytetin e metropolit verior, Myftinia Shkodër, organizoi në xhaminë e Medresesë një aktivitet mbi vlerën dhe madhështinë e ngjarjes së shënuar. Krahas shumë besimtarëve merrnin pjesë drejtues të Myftinisë, të medresesë, të shoqatës “Istanbul”, që sponsorizon medresenë e Shkodrës, etj.

Aktiviteti u përshëndet nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed B. Sytari, i cili uroi besimtarët me rastin e përkujtimit të kësaj ngjarjeje të shënuar në jetën e të Dërguarit të All-llahut dhe mbarë ymetit islam deri në kiamet.

Myftiu këshilloi të pranishmit që të kontrollojnë marrëdhënien e tyre me Zotin e gjithësisë nëpërmjet disiplinimit me namazin...

Aktivitetin e përshëndeti edhe drejtori i Medresesë "Haxhi Sheh Shamia",Kujtim Dervishi, i cili theksoi se përkujtimi i Natës së Israsë dhe Miraxhit është një ngjarje e shënuar për mbarë besimtarët dhe përkujtimi i saj është një moment reflektimi dhe afrimi me Zotin e gjithësisë. 

Në vijim, teologu Lavdrim Hamja, ligjëroi mbi vlerën dhe madhështinë e mrekullisë së Israsë dhe Miraxhit, bazuar në ajetet dhe hadithet e shumta, që lidhen me këtë temë.

Me këtë rast, u promovua edhe botimi i ri me titull: "40 hadithe për mirësinë e namazit", i cili doli në qarkullim para pak ditësh. Libri u shpërnda edhe për të pranishmit.

Autori i këtij botimi, Lavrim Hamja për radion “Zëri i Turqisë”-TRT  tha:

“...Namazi për myslimanin është jeta, është shpirti i tij. Një besimtar myslimanë nuk mund të konsiderohet i tillë pa kryer obligimin e namazit, i cili është shtyllë kryesore e fesë Islame. Ky libër përmban 40 hadithe të shkurtra mbi vlerën dhe mirësinë e namazit, i cili është i ndarë në disa pjesë të ndryshme...”.

***

-Rektori i Universitetit të Ballkanit vizitë në Fondacionin ALSAR

Rektori i Universitetit të Ballkanit, Prof. Dr. Mehmet Dursun Erdem është pritur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra. Gjatë kësaj vizite ai shoqërohej edhe nga zv.rektori As.Prof. Dr. Shener Bilalli. 

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku gjatë bisedës rektori i Universitetit të Ballkanit u njoh më së pari me veprimtarinë e Fondacionit  ALSAR dhe më pas u diskutuan një sërë çështjesh, ndër të cilat një fokus kryesor iu kushtua prezantimit të Universitetit të Ballkanit në Shkup, si një mundësi optimale arsimimi e standardeve ndërkombëtare për të rinjtë shqiptarë që mund të përfitojnë nga programi i akordimit të bursave të studimit në gjuhën angleze në fakultete të ndryshme të këtij Universiteti.

Ndër të tjera, palët ranë dakord që të angazhohen për shtimin e mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor si në drejtim të shkëmbimit të literaturës së botuar ashtu edhe në organizimin e projekteve të përbashkëta.

***

-Në Tiranë u zhvillua Kampionati Ballkanik i Xhudos

Në Parkun Olimpik të Tiranës u zhvillua Kampionati Ballkanik i Xhudos, me pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve nga Shqipëria, Turqia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe vende të tjera, ku u arritën rezultate të larta. 
Ambasadori japonez në Tiranë, ITO ishte i ftuar në ceremoninë e hapjes të këtij kampionati dhe gjatë fjalës përshëndetëse tregoi se Xhudo bëri daljen e saj të parë publike në lojërat olimpike të vitit 1964 në Tokio, e që prej asaj kohe është kthyer në një disiplinë ndërkombëtare.
Referuar lojërave olimpike “Tokio 2020”, ambasadori shprehu dëshirën e tij që sa më shumë sportistë nga Ballkani të arrijnë rezultate të larta dhe të fitojnë medalje në shumë disiplina, përfshirë dhe Xhudon.

Ekipi kombëtar turk i xhudos që doli i dyti fitoi një medalje të artë, dy argjendi dhe gjashtë bronzi në Kampionatin Ballkanik të Xhudos të zhvilluar më 30-31 mars në Tiranë.

Ndërsa, Shqipëria mori dy medalje të arta dhe një argjendi.

Evenimenti i radhës në sportin e Xhudos është Kupa e Evropës për të rritur, që do të zhvillohet në Dubrovnik të Kroacisë në 13-14 prill.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme