Alexis Tsipras, Kryeministri i parë grek që viziton Maqedoninë e Veriut

Për kryeministrin grek u organizua një ceremoni zyrtare përpara ndërtesës së qeverisë në kryeqytetin Shkup, ndërsa më pas u zhvillua takimi ndërmjet delegacioneve.

Alexis Tsipras, Kryeministri i parë grek që viziton Maqedoninë e Veriut

Alexis Tsipras u bë kryeministri i parë grek që vizitoi Maqedoninë e Veriut.

Në kuadër të vizitës në këtë vend Tsipras u takua me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Për kryeministrin grek u organizua një ceremoni zyrtare përpara ndërtesës së qeverisë në kryeqytetin Shkup, ndërsa më pas u zhvillua takimi ndërmjet delegacioneve.  

Pas takimit Tsipras dhe Zaev dolën në konferencën e përbashkët për shtyp.

Kryeministri i Greqisë tha se ndërmjet dy vendeve u nënshkrua një memorandum në lidhje me zhvillimin e proceseve para dhe pas asocimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Duke rikujtuar se ai është kryeministri i parë grek që viziton këtë vend, Tsipras tha: “Humbëm shumë kohë, humbëm 30 vjet. Ne duhet të mbyllim këtë distancë”.

Ai tha se përpiqen të krijojnë një tregimtari (narrativë) ndryshe për Ballkanin dhe shtoi: “Ne përpiqemi të krijojmë një bashkëpunim të ri, një mirëkuptim reciprok dhe narrativen e zhvillimit të përbashkët. Suksesi i kësaj përpjekjeje dhe kësaj nisme nuk është vetëm suksesi i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Jam i bindur se ky do të jetë në mënyrë të fuqishme një sukses i tërë Ballkanit dhe Evropës”.  

Tsipras, që thotë se plani i veprimit ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të përfshijë të gjitha fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, bëri të ditur se në takim qëndruan edhe mbi nismat e shumë bashkëpunimeve rajonale, që i cilësoi si pozitive për zhvillimin e rajonit.   

Duke iu referuar nënshkrimit nga ana e dy qeverive të memorandumit për hapjen e portës së re kufitare Promachoi-Majden kryeministri grek tha se falë kësaj do të përforcohet edhe komunikimi, turizmi dhe bashkëpunimi tregtar ndërmjet dy popujve.

Gjithashtu Tsipras informoi se gjatë takimit shqyrtuan edhe çështjen e zhvillimit të bashkëpunimit në fusha të rëndësishme si ekonomi, tregti, infrastrukturë, shëndetësi, arsim, mbrojtje, energji dhe siguri kibernetike.

Ai tha se ministrat e mbrojtjes së dy vendeve nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe ky hap është provë e vullnetit për krijimin e shanseve dhe aftësive të mbrojtjes së Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, përcjelljen e aftësive dhe informacioneve dhe përforcimin e punimeve reciproke në strukturën e NATO-s.

Kurse Kryeministri i Mqedonisë, Zoran Zaev, duke bërë të ditur se vendi i tij mirëpret për herë të parë një kryeministër grek theksoi se kanë shkruar disa herë histori që nga nënshkrimi më 17 prill 2018 i Marrëveshjes së Prespës, të cilën e cilësoi historike.  

“Greqia është vendi i parë që ka nënshkruar protokollin e asocimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, që është synimi ynë strategjik. Këto ditë, miku im dhe i jonë, Aleksis i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të fillojë negociatat e anëtarësimit të vendit tonë” tha Kryeministri mirëpritës.

Ai tha se me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës është ndërtuar miqësia ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve.  

Në kuadër të takimeve në Shkup, Kryeministri i Greqisë u takua edhe me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Tsipras dhe Zaev morën pjesë edhe në Forumin e Biznesit Maqedonia e Veriut-Greqi, ku u takuan sipërmarrësit e të dyja vendeve.     

 


Lajme të ngjashme