Haradinaj kërkon ndihmë për paqe në Ballkan

Kosova dhe shqiptarët kanë dhënë shumë përgjatë këtyre viteve dhe më nuk ka çka të japin, ka thënë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në lidhje me kompromiset e mundshme në marrëveshje me Serbinë.

Haradinaj kërkon ndihmë për paqe në Ballkan

Kosova në fokusin javor - Haradinaj kërkon ndihmë për paqe në Ballkan

Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë thirrje të gjithëve të ndihmojnë që të arrihet paqja në Ballkan por jo duke kërkuar kompromise nga shqiptarët. Sipas tij, Kosova e 17 shkurtit është kompromis i shqiptarëve dhe nuk guxon të preket.

“Kosova e 17 shkurtit është një kompromis, pra është kompromis i të drejtës shqiptare. Kushdo që e prek këtë kompromis, këtë minimum të së drejtës shqiptare, atëherë e hap pyetjen tjetër vërtetë për të drejtën e shqiptarëve në Ballkan. ne kemi rënë dakord me e realizu të drejtën tonë, Kosovën e 17 shkurtit, të bindur se kështu po dëshmojmë edhe njëherë se jemi për paqe dhe stabilitet të Ballkanit. Edhe iu bëjmë thirrje të gjithëve të na ndihmojnë, të arrihet paqja në Ballkan, por kurrë më jo duke kërkuar prej shqiptarëve për paqen në Ballkan. ne jemi ata që kemi dhënë në vazhdimësi dhe s’mund të japim më për paqen pos asaj që është e vërteta jonë”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri këto komente i bëri gjatë pjesëmarrjes në tubimin përkujtimor me rastin e 20-vjetorit të Betejës së Kabashit. Aty Haradinaj, u deklarua edhe për punësimet  në Telekom, duke pranuar se mund të ketë ndikuar në mënyrë indirekte në punësimin e kunatës së tij.

***

Kryeministria reagon kundër portaleve

Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se lajmet e disa portaleve me titullin “Kryeministri çon gur kundër mësyshit me urim zyrtar për lindje djali”, janë tendencioze, dhe njëkohësisht shpifje permanente, sikurse edhe shpërdorim i argumenteve në mënyrë që me çdo kusht rasti të ndërlidhet me Kryeministrin.

Zyra e Kryeministrit sqaron se çdo letër që e nënshkruan kryeministri, është me logo dhe numër protokolli. Dhurata nuk është as e zyrës së Kryeministrit e as nuk është paguar nga Zyra e Kryeministrit. Është për keqardhje tendenca me çdo kusht e qarqeve të caktuara për ta njollosur Kryeministrin​.

***

Presidenti Thaçi pranon kredencialet nga Katari

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Katarit për Kosovën, Ali bin Hamad Al Marri. Presidenti Thaçi fillimisht e ka uruar ambasadorin për detyrën e re dhe i ka ofruar mbështetje të plotë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, ku shumë shpejt pritet të ketë edhe jetësim të projekteve konkrete në këtë fushë.
“Katari e ka mbështetur Republikën e Kosovës në procesin e njohjeve dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Për këtë do u jemi gjithmonë mirënjohës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, ambasadori Ali bin Hamad Al Marri ka thënë se Katari do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se shumë shpejt Kosova do ta hapë ambasadën e saj në Doha dhe kjo do të mundësojë thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

***

Veseli kritikon BE-në, flet poashtu për referendum

Krye-parlamentari Kadri Veseli ka kritikuar BE-në për mos-liberalizim të vizave. “Ku është dinjiteti i BE-së, ku janë vlerat?”, është shprehur ai në një intervistë për gazetën austriake, ‘Der Standard’. Krye-parlamentari Kadri Veseli tha se Kosova është e gatshme për dialog dhe se në asnjë mënyrë, nuk pranon marrëveshje që cenojnë sovranitetin e shtetit dhe rendin kushtetues. Në një intervistë për gazetën prestigjioze austriake, ‘Der Standard’, Veseli tha se të dyja palët, duhet të respektojnë njëra-tjetrën, ndërsa thekson se “Kosova është vend i pavarur dhe ajo nuk e diskuton territorin dhe sovranitetin. Ai shprehet se çdo gjë do të vendoset në Parlamentin e Kosovës, ndërsa thotë se do të ketë marrëveshje me Serbinë, për të cilën do të vendosin qytetarët përmes referendumit.

***

LDK kundër referendumit

Mbajtjen e një referendumi për marrëveshje me Serbinë e kundërshton LDK-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Marrëveshja me Serbinë nuk ka nevojë të shkojë në referendum, siç po paralajmëron shefi i PAN-it, veç nëse ai po planifikon korrigjim të kufirit me këtë marrëveshje. Le të jetë i sinqertë me qytetarë dhe pastaj do ta sheh vetë përgjigjen e qytetarëve”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij marrëveshja me Serbinë do të përfshijë normalizimin e marrëdhënieve tona me këtë shtet, e asgjë më shumë. Prandaj, duhet të arrihet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet përkatëse.

***

Kreu i LDK-së Mustafa kritikon taksën 100%

Në Facebook ka komentuar edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se taksën 100% po e paguan Kosova dhe jo Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

“Njëqindpërqind po e paguan Kosova. Deri sa Drejtoria e doganave deklaron se importet nga këto vende kanë rënë 99%, shitoret janë përplot me mallra serbe e boshnjake. Kështu thonë qytetarët!

Ndërkaq ne gjithnjë e më shumë po e paguajmë taksën/tarifën e evazionit fiskal, korrupsionit, nepotizmit, punësimit partiak; po e paguajmë lobimin e njërit dhe tjetrit, kapjen e kompanive publike dhe agjencive të pavarura; po e paguajmë targën e abstenimit të prokurorisë dhe gjyqësisë ndaj shkeljeve dhe abuzimeve; targën e shkeljeve të Kushtetutës si pasojë e pazareve të koalicionit qeverisës për votat që i mungojnë për të qeverisur.

Në Kosovë, për më shumë se një vit, dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë ka bërë që institucionet dhe opinion publik të mos merren me zhvillim ekonomik, punësim, arsim e problemet e shëndetësisë. Thua se ushqimi për popullatën tonë është dialogu, se arsim është dialogu e shëndet është dialogu me Serbinë?!

Dialogu është shndërruar në garë për t’ia treguar njëri tjetrit muskujt brenda koalicionit të brishtë qeverisës, por edhe në instrument për të mbajtur pushtetin. Është bërë si arenë e gladiatorëve, ku sunduesit e zhvendosnin vëmendjen e qytetarëve nga problemet e tyre.

Nëse dikush nga koalicioni qeverisë e do këtë vend, dhe nuk dyshoj se ka të tillë, atëherë duhet ta pranojnë se e kanë mashtruar popullin dhe vetveten me parullat e PDK-së të vendimeve të mëdha, dhe se vendimi i vetëm i drejtë i tyre është të japin dorëheqje. Të vetëshkarkohen e të shkojmë në zgjedhje.

Dhe, vendim i drejtë i ndërkombëtarëve do të jetë të mos bëjnë presion për dialog, sepse asgjë e mirë, përpos ushqimit të populizmit, nuk arrihet nën presion të tillë.”, ka shkruar Mustafa.

***

Arifi përgjigjet Mustafës për taksën

Shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, ka reaguar ndaj kreut të LDK-së, Isa Mustafa, pasi ky i fundit tha të dielën se tarifën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk po e paguajnë Serbia dhe Bosnja, por 100 për qind po e paguan Kosova.

Arifi, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se është absurde konstatimi se 50 milion euro që Kosova për çdo muaj i ka importuar nga Serbia tash janë zëvendësuar me kontrabandë. Dhe, që të thuhet se efekti i taksës është i papërfillshëm kjo është xhelozi.

Arifi ka theksuar se shteti serb ka mbetur pa treg dhe që Kosova nuk po paguan për tarifa por po e respekton vetën.

Njerëz, mos u tallni me inteligjencën tuaj!!! E vërtetë se ka kontrabandë dhe gjithë ka pasur por të pohohet se efekti i tarifës është i papërfillshëm është xhelozi pak e “vocërr” e pak e sëmurë. E vërteta është se shteti Serb për momentin ka mbet pa këtë treg dhe çdo ditë e më shumë po kuptohet se cilido shtet nuk mundet ta ketë një treg njerëzit e të cilit as nuk i njeh as nuk i respekton. Kosova s’po paguan për tarifa. Kosova po respekton vetveten”, ka shkruar Arifi.

***

Kryetarja e Alternativës kritikon qeverinë për veriun

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi nga Qeveria e vendit, që të nisë urgjentisht komunikimin me qytetarët në veri të Kosovës, dhe t’i jap përgjigje situatës së krijuar pas dorëheqjes së 4 kryetarëve të komunave atje.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në konferencë për media, tha se Qeveria e vendit ka shkelur Kushtetutën, duke mos u deklaruar dhe duke mos marrë vendim për dorëheqjet e 4 kryetarëve të komunave në veri të vendit. Ajo ka kërkuar që kryeministri Ramush Haradinaj të nisë komunikimin me qytetarët në veri të vendit.

Nuk është Milan Radojqiq përfaqësues i serbëve të Kosovës, në të kundërtën, ai ka qenë frikë-mbjellësi i serbëve, shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve tjera që jetojnë në Veri”, është shprehur Kusari Lila. Alternativa i kërkon, qeverisë të marr disa masa atje.

Nënkryetari i Alternativës Reshat Nurboja, duke folur për situatën politike në vend, kërkoi që presidenti i vendit Hashim Thaci, të shpallë zgjedhjet e përgjithshme.

Nurboja është ndalur edhe tek ekipi i dialogut, duke thënë se ai, nuk përfaqëson në mënyrë të drejtë votën e qytetarëve të dalë nga zgjedhjet e vitit 2017-të. Ai tha se ekipi përfaqëson 33% të elektoratit.

***

Kuvendi diskuton shpenzimet e pa-parashikuara të Haradinajt

Kuvendi ka diskutuar të martën në një seancë të jashtëzakonshme për disa nga vendimet e fundit të Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara. Deputetët e opozitës kritikuan ekzekutivin për harxhime enorme financiare nga pjesa e rezervave të shtetit. Akuza ndërmjet pozitës e opozitës janë hedhur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për shpenzimet qeveritare. Partitë në opozitë kanë kritikuar qeverinë Haradinaj për shpenzimet e festimit të 11-vjetorit të pavarësisë, të Epopesë si dhe 550-vjetorit të Skenderbeut. Driton Selmanaj nga LDK-ja ka thënë se mjete nga rezervat, janë keqpërdorur me çmime enorme të furnizimit.

Selmanaj me këtë rast propozoi miratimin e një Rezolute me dy pika.

 “E para, qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ndalë menjëherë praktikën e ndarjes së mjeteve financiare pa kritere dhe pa respektuar dispozitat e ligjit për menxahimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Dhe e dyta, në afat prej një jave qeveria, përkatësisht Zyra e kryeministrit të sjellë në Kuvend një raport të detajuar për procedurat e zhvilluara për përzgjedhjen e kompanive të cilat kanë realizuar aktivitetet si dhe një raport me të dhëna specifike për mënyrën e shfrytëzimit të këtyre mjeteve.”

E Safete Hadërgjonaj nga Grupi Parlamentar i PDK-së tha se shpenzimet e tilla janë bërë edhe nga qeveritë e kaluara dhe se ato nuk shkaktojnë krizë financiare. Poashtu edhe Blerim Kuci nga AAK theksoi se në shpenzimet e paparashikuara nuk ka asnjë shkelje ligjore.

Kurse Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje kritikoi arsyetimin e vendimeve sipas saj jo të mira, me mos-shkelje ligjore.

Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj, tha se praktikën e shpenzimeve nga rezervat, nuk e ka instaluar qeveria e tij. Haradinaj tha se nëse ka lëshime, është i gatshëm të jep jo vetëm përgjegjësi politike por edhe ligjore.

Seanca e jashtëzakonshme u përmbyll pa u votuar Rezoluta e Propozuar nga LDK, për shkak se nuk kishte deputetë të mjaftueshëm në sallë.

***

Kuvendi diskuton edhe bllokimin e KQZ-së

Kuvendi i Kosovës të mërkurën mbajti seancë të jashtëzakonshme ku u diskutua për bllokimin e Komisionit Qendror Zgjedhor. Deputetë të opozitës kanë kritikuar presidentin e vendit Hashim Thaçi për bllokim të KQZ-së. Gjatë seancës, Vetëvendosje ka propozuar një rezolutë në lidhje me funksionalizimin e këtij institucioni, duke kërkuar që emërimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet pa asnjë vonesë. Mirëpo, për shkak të mungesës së kuorumit, seanca u mbyll pa u hedhur në votim rezoluta.

***

Haradinaj kritikon ndërkombëtarët për qasje si në mesjetë

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk është koha e mesjetës që t’i bëhet presion Kosovës për heqjen e taksës. Pas mbledhjes së Qeverisë ai tha se bashkësia ndërkombëtare nuk po mundet ta kërcënojë Serbinë të kthehet në dialog, por këtë po e bën me Kosovën që është viktimë.

Kryeministri Ramush Haradinaj pranoi se ka presion të gjithanshëm ndërkombëtarë për heqjen e taksës.

Edhe diplomatët gjermanë një ditë më parë i kanë kërkuar heqjen e taksës dhe se një qëndrim të tillë e ka edhe Londra, e cila e kishte dërguar zyrtarin e lartë Richard Moore për vizitë në Kosovë. Haradinaj u pyet edhe për takimin me nënsekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Politike, David Hale, e ku u tha se pati përplasje mes krerëve të institucioneve të Kosovës. Por, Haradinaj foli për unitet më shumë se për dallime.
***

Kryeziu për UEFA-n: Kosova, vend i ‘çmendur’ pas futbollit 

Protagonist i radhës në ciklin e intervistave për UEFA ishte mesfushori kreativ i Kombëtares së Kosovës dhe anëtari i Cyrihut, Hekuran Kryeziu. Gjatë kësaj interviste Hekurani tregon se Kosova është një vend që jeton me futbollin dhe njerëzit janë të pasionuar pas sportit më të popullarizuar në botë.

“Njerëzit në Kosovë gjithmonë përcjellin futbollin dhe ligat ndërkombëtare dhe nëse vendi i tyre luan kundër kombëtareve të mëdha, si për shembull kundër Anglisë në kualifikimet për Euro 2020, atëherë pa dyshim është ndjenjë e madhe për ta të shohin ekipin e tyre në stadium. Deri tani i kemi pasur tri ndeshje në shtëpi dhe për secilën ndeshje biletat shiteshin brenda një ore”, ka theksuar Kryeziu.

Sa i përket kualifikimeve për Euro 2020 Kryeziu është shprehur:

“Do të jetë një përvojë e re për secilin prej nesh dhe definitivisht do të jetë më e vështirë se Liga e Kombeve. Por pavarësisht se jemi një vend i vogël dhe i ri, nuk duam të fshihemi. Ne i respektojmë kundërshtarët tanë, por nuk iu frikësohemi. Ne do të përpiqemi të rrëmbejmë pikë nga kombëtare të mëdha si Anglia”, ka thënë ai.



Lajme të ngjashme