Mali i Zi do ta mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE

Vizita në Podgoricë është moment i rëndësishëm për të dhënë një mesazh të përbashkët për domosdoshmërinë e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj.

Gent Cakaj_Millo Gjukanoviq.jpg
Karadağ Türkiye B.Elçisi_Songül Özan.jpg
Ulqin_Ülgün_Panajot Pano_turnesi.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün_Birleşik Arap Emirlikleri yatırımcıları.jpg
Karadağ_Ülgün_Ulqin_zeytinlikler.jpg
Ulqin_Ülgün_resamların sergisi_Tiran.jpg

Mali i Zi do ta mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE

Në kuadër të vizitës në Mal të Zi, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të i Shqipërisë, Gent Cakaj zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë të shtetit përfshirë këtu edhe Presidentin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanovic.Shqipëria vlerëson kontributin e Presidentit Djukanovic në rrugëtimin euro-atlantik të Malit të Zi, çka njëkohësisht përfaqëson edhe kontribut për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Vizita në Podgoricë është moment i rëndësishëm për të dhënë një mesazh të përbashkët për domosdoshmërinë e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”– u shpreh Cakaj. Kryediplomati shqiptar vlerësoi arritjet në rrafshin e bashkëpunimit dypalësh me Malin e Zi si një model për forcimin e ndërveprimit rajonal dhe u ndal mbi rolin thelbësor të shqiptarëve në vendin fqinj, duke i konsideruar ata si përcaktues në përparimin euro-atlantik të Malit të Zi. Theks të veçantë gjatë vizitës së tij ministri në Detyrë, Cakaj vuri edhe në thellimin e marrëdhënieve tregtare, të cilat do të kenë një vëmendje të posaçme në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive, sikundër dhe zbatimi i angazhimeve të ndërmarra në kuadër të zhvillimit ekonomik të brezit ndërkufitar. Z. Gent Cakaj u takua edhe me nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, ku u vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë si "marrëdhënie të shkëlqyeshme, pa çështje të hapura, por gjithmonë me mundësi të përmirësimit". Në takimin e hapur dhe miqësor nënkryetari i Kuvendit e njoftoi ministrin Cakaj me skenën politike të Malit të Zi, para së gjithash lidhur me rastin e bojkotit të dytë të opozitës, i bindur se vendi i vetëm për zhvillimin e dialogut politik është pikërisht Kuvendi. "Konfliktet e brendshme politike që i jetojmë sot në të dy shtetet janë sfida të demokracisë, por gjithnjë japin një shpresë së do të zgjidhen në të mirën e qytetarëve. Ne si shqiptarë në Malin e Zi tentojmë që mos të krijojmë probleme të tepërta që do të rëndonin pozicionet edhe ashtu diametralisht të kundërta të pozitës dhe opozitës, gjithmonë të përkushtuar maksimalisht për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi. Por, gjithsesi jemi të angazhuar plotësisht për forcimin e institucioneve shtetërore," tha zoti Nimanbegu. Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj vlerësoi lart pozitën e Malit të Zi si lider rajonal në integrimet në BE dhe shprehu bindjen se nga Mali i Zi do të kenë përkrahje për integrimet e vonuara të Shqipërisë. Sa u përket marrëdhënieve ekonomike vlerësuan se, ndonëse të mira, ato mund të avancohen edhe më shumë e një prej faktorëve që do të ndihmojnë në këtë drejtim janë edhe pikat e reja kufitare, por edhe bashkëpunimi përmes fondeve IPA. Ministri në Detyrë uroi nënkryetarin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e para në komunën e Tuzit duke shprehur bindjen se rezultatet nuk do të mungojnë as më vonë drejt përparimit të komunës së Tuzit në një komunë të zhvilluar.

                                                                ***

Ministri në Detyrë Cakaj në takimet me faktorin politik shqiptar në Malin e Zi – Zgjedhjet në Tuz, mesazh i shkëlqyer i bashkimit të shqiptarëve.

Gjatë vizitës në Malin e Zi, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi edhe një takim me të gjithë përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar. Ministri u ndal të zhvillonte takime dypalëshe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptareve Faik Nika, Kryetarin e Partisë Forca Nazif Cungu, Kryetarin e Unionit Demokratik Shqiptar Mehmet Zenka, Kryetarin e Alternatives Shqiptare Nik Gjeloshaj, Kryetarin e Lidhjes Demokratike Shqiptare Nikollë Camaj, Kryetarin e Partisë Demokratike Fatmir Gjeka, Kryetarin e Lidhjes Demokratike në Malin e Zi Saubih Mehmeti, si dhe me Kryetarin e Perspektivës Amir Hollaj. Në takimin me ta ministri Cakaj nënvizoi rolin konstruktiv dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi në proceset integruese euro-atlantike, tepër të rëndësishme si për vetë shqiptarët, ashtu edhe për të ardhmen e Malit të Zi. Ndër të tjera, ministri në Detyrë Cakaj duke iu referuar rezultatit të mirë të koalicionit “Malësia na bashkon” për zgjedhjet lokale në Komunën e re të Tuzit, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që mbart unifikimi i mëtejshëm i mbarë spektrit politik shqiptar në Malin e Zi. “Shembulli i Tuzit flet më mirë se çdo retorikë tjetër për nevojën e unifikimit të shqiptarëve për të nxitur, zhvillimin e mëtejshëm ekonomik te tyre, përmirësimin e jetesës, përfaqësimit të tyre më të mirë në institucionet qendrore e lokale, si dhe arritjen e disa standardeve të reja në arsimimin, ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave të shqiptarëve në Mal të Zi.” – u shpreh Kryediplomati shqiptar në takimin me partitë shqiptare të Malit të Zi. Në takimin me faktorin politik shqiptar, rëndësi e veçantë iu dha edhe bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimit të zonave në dy anët e kufirit, në funksion të mundësimit të programeve.

                                                            ***

Songul Ozan Turqia në Ballkan vepron njësoj si edhe Bashkimi Evropian 

Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan në një intervistë dhënë gazetës “Pobjeda” thotë se të suspendosh Turqinë nga Ballkani është qasje joobjektive me qëllime jo të mira sepse qasja që ka Turqia për vendet e rajonit të Ballkanit nuk ndryshojnë nga ato të Bashkimit Evropian (BE). Ajo ka nënvizuar se Turqia dhe Mali i Zi si dy vende mike kanë marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Nisur nga afrimi që rrjedh si pasojë e kulturës dhe historisë së përbashkët si dhe lidhjeve njerëzore marrëdhëniet tona po zhvillohen akoma më shumë dita ditës në të gjitha drejtimet. Shkëmbimi i mallrave si dhe investimet turke në Mal të Zi shënojnë rritje 32%. Kur është fjala për investimet këtu, Turqia zë vendin e pestë,- ka thënë Ozan për të përditshmen “Pobjeda” duke shtuar se në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare dhe rajonale ne kemi një qasje të përbashkët. Në mandatin tim,- ka shtuar ajo,- do të punoj për avancimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Mali i Zi është vend i ri me një zhvillim dinamik dhe ka mjaft fusha, ku mund të shtrijmë bashkëpunimin dhe investimet ka thënë Ambasadorja,  Songul Ozan.

                                                                          ***

Binjakëzohen Podgorica dhe Ankaraja

Kryetari i Podgoricës Ivan Vuçinoviq dhe ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Ankarasë Ali Gökşin kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit midis dy qyteteve. Gjatë periudhës së kaluar janë vendosur themelet e forta të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë, respektivisht Podgoricës dhe Ankarasë, bashkëpunim që dëshmohet me praninë e sipërmarrësve të shumtë turq në Podgoricë, aktivitetet e Qendrës kulturore “Yunus Emre”, agjencisë për zhvillim TIKA si dhe numri gjithnjë e në rritje i turistëve nga Turqia . Në këtë aspekt nënshkrimi i marrëveshjes së binjakëzimit të dy kryeqyteteve paraqet bazë për forcimin e më tejshëm të këtyre marrëdhënieve, deklaroi Kryetari i Podgoricës, Vuçinoviq. Podgoricën dhe Ankaranë e lidhin shumë gjëra të përbashkëta,- tha Vuçinoviq,- duke shtuar se pjesa më e vjetër e Podgoricës “Stara Varosh” daton që nga koha e Perandorisë Osmane e njerëzit nga hapësirat e Turqisë së sotme kanë lënë rrënjë, gjurmë të thella identiteti në historinë tonë, ka shtuar ai. Mali i Zi dhe Turqia janë sot aleat në kuadër të NATO-s. Nuk mund të harrojmë kontributin e Turqisë në proceset e integrimeve euro- atlantike. Raportet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyera, gjë që e dëshmojnë edhe aktivitetet e shumta të Ambasadës së Turqisë në Mal të Zi dhe institucioneve të tjera turke këtu,- ka thënë Vuçinoviq, e këto marrëdhënie shënojnë avancim që prej shpalljes së Malit të Zi shtet i pa varur. Vuçinoviq ka shtuar se në procedurë është iniciativa që një bulevard në Podgoricë të marrë emrin e kryeqytetit të Turqisë,Ankara. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit delegacioni nga Podgorica vizitoi edhe “Rrugën e Podgoricës” e cila ndodhet në lagjen elitare të Ankarasë.

                                                            ***

Kompani nga Emiratet e Bashkuara të interesuara për të investuar në Ulqin 

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiqi zhvilloi një takim me Z. Ahmed Hassib, njeri nga përfaqësuesit e konsorciumit “NIRVANA” nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Fjala është për konsorciumin që tubon 23 kompani të fuqishme të sektorëve të ndryshëm, të cilët kanë investuar në shumë vende të ndryshme e që janë të interesuar për investime edhe në Mal të Zi, respektivisht në Ulqin. Gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe u fol për mundësitë e mëdha të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik. Kryetari i Ulqinit bëri një prezantim të mundësive për investime në qytet, ku veçoi fushat e turizmit, energjetikës, transportit, ndërtimin e aeroportit, marinës etj. si fusha me potenciale të mëdha investimi. Ai po ashtu nënvizoi dhe përparësitë që u ofrohen investitorëve të fuqishëm. U la, që shumë shpejtë në Ulqin të organizohet një takim i niveleve të larta ndërmjet dy vendeve dhe ekipeve nga kompanitë Emirate me qëllim të konkretizimit  të projekteve në fusha me interes reciprok.

                                                              ***

Në Ulqin u mbajt edicioni i dhjetë i kupës “Panajot Pano”

Në Ulqin në datat 7 dhe 8 mars u mbajt Kupa “Panajot Pano”, turne mbarëkombëtar i gazetarëve sportiv. Ky ishte edicioni i dhjetë i këtij turneu dhe këtë radhë u zhvillua në qytetin e Ulqinit. Në këtë turne morën pjesë mbi 100 gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Ulqini, Maqedonia si dhe Gjermania. Turneu dhuroi jo pak emocione për të pranishmit e shumtë që e ndoqën prej së afërmi, mes të cilëve kishte personalitete të shquara nga Shkodra, Tirana, Tetova dhe Ulqini. Fitues i këtij turneu u shpall ekipi i radio televizionit shqiptar.

                                                             ***

Në Tiranë do e hapet ekspozita me punimet e piktorëve nga Ulqini 

Më 22 mars në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës do të hapet ekspozita e punimeve të tetë piktorëve akademikë nga Ulqini. Do të jetë ky një rast i mirë që publiku i kryeqytetit të Shqipërisë të njihet më afër me punimet e artistëve ulqinakë. Punimet do t’i ekspozojnë piktorë të brezave të ndryshëm që vijnë nga akademi të ndryshme arti nga vendi dhe jashtë.

Përgatiti për Zërin e Turqisë Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme