Kuvendi i Kosovës miratoi Platformën për dialogun, reagon Serbia

Kuvendi i Kosovës, pa votat e opozitës, ka miratuar në leximin e dytë Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Platforma shqetësoi krerët e

Kosova Meclisi_Sırbistanla görüşmeler.jpg
Kosova_UÇK_yıldönüminde devlet erkanı_2019.jpg
Besim Beqaj_Damian Manchevski_Mirlinda Karcanaj.jpg
Aleksandar Vuçiç_sırp ortodoks kilisesi patriği iriney.jpg
UÇK Adem Jashari 10.jpg

Kuvendi i Kosovës miratoi Platformën për dialogun, reagon Serbia

Kuvendi i Kosovës, ka votuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë dhe Platformën për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Diskutimet e deputetëve për këtë projektligji u bënë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Ramush Haradinaj, ndërsa votimi i tij u bë në seancën e rregullt të Kuvendit, pas ndërprerjes së punimeve të seancës së jashtëzakonshme. Kuvendi i Kosovës miratoi edhe Platformën për dialogun.

Kundër Projektligjit Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë dhe Platformës për dialogun, ishin deputetët e dy partive më të mëdha opozitare, të cilët edhe nuk morën pjesë në votim.

Pas miratimit të ligjit dhe platformës për dialogun final ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryetari Kuvendit të Kosovës, njëherësh lideri i partisë më të madhe në koalicionin qeveritar, Kadri Veseli, në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova i tha po dialogut i cili do t’i siguroj ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me sovranitet të plotë.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka përshëndetur votimin e platformës së dialogut për Serbinë. Sipas Haradinajt, ky është votim për ruajtjen e Kosovës së 17 Shkurtit 2008.

Ndërkohë, bashkë-kryesuesi i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka thënë pas miratimit të Platformës, se Delegacioni Shtetëror udhërrëfyes të vetin në dialog me Serbinë do ta ketë platformën e miratuar në Kuvend.
 

***

Vuciq rrëfehet te kreu i Kishës Serbe për Platformën e miratuar

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ia ka përcjell të dielën në mëngjes, kreut të Kishës Ortodokse të Serbisë patriarkut Irinej, përmbajtjen e Platformës së Kosovës për dialog me Serbinë, për të cilën ka thënë se sjell shumë rreziqe dhe për situatën e vështirë në të cilën ndodhet Serbia.

Patriarku Irinej, siç raportojnë mediat serbe, pas takimit me Presidentin Vuçiq, tha se është e rëndësishme që shteti dhe Kisha të kenë mendim të njëjtë për problemin dhe të dinë si të reagojnë në situatat çfarë është tani, lidhur me Kosovën.

“Ne i sollëm patriarkut dhe të tjerëve tekstin e Platformës të cilën shqiptarët e Kosovës e kanë miratuar për qëllime të ndërprerjes së dialogut me Beogradin dhe i kanë informuar me të gjitha veprimet që i kanë bërë – nga mos zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, pastaj taksës, deri te Platforma, e cila në fakt është tregues se sa disa njerëz duan të shkaktojnë krizë dhe probleme, e jo zgjidhjen e problemit”, ka thënë Vuçiq.

Më tej, presidenti serb ka thënë se “pikë për pikë, parim për parim kanë shpjeguar se sa rreziqe bartë ajo dhe se sa e vështirë është situata në të cilën gjendet Serbia.

Kreu i Kishës serbe, u tha gazetarëve, pas takimit me Presidentin Vuçiq, se biseduan për Platformën që ka nxjerr Prishtina, veçanërisht për situatën në Kosovë, “ku çdo ditë e më shumë situata është duke u përkeqësuar”.

***

Shënohet Epopeja e UCK-së 

Në Kosovë është shënuar Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, manifestim ky i zhvilluar nën patronatin e kryeministrit të Kosovës. Manifestimi mbahet cdo vit në kujtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së si dhe familjes së tij.

Krerët institucional e qytetarë të shumtë bënë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz të Skenderajt, në vendin ku prehen 59 dëshmorë e heronj.

Krye-parlamentari Kadri Veseli, pas homazheve vlerësoi lartë kontributin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrificën e familjes Jashari për lirinë e vendit.

“Epopeja e UCK-së me komandantin legjendar Adem Jasharin, me luftën e tij, qëndrueshmërinë dhe sakrificën e tij e ndryshoi dhe ka dhënë rrjedha edhe zhvillimit të gjithmbarshëm të kombit tonë”.

Homazhe ka bere edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se Komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij meritojnë nder e respekt.

“Përulemi me respekt për këtë sakrificë, por edhe në shenjë respekti për sakrificën e të gjithë brezave për liri. Asnjëherë nuk është e tepërt për të thënë se një familje është shuar në mënyrë që të ngjallet apo ringjallet një popull i robëruar atëherë Kosova”.

Përveç mijëra qytetarëve homazhe kane bere edhe delegacione nga partitë e ndryshme politike të Kosovës.

Pas homazheve, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë fjalimit të tij ka ftuar të gjithë liderët politik, por edhe gjithë shqiptarët e komuniteteve për të ndërtuar Kosovën e së ardhmes. Njëzet vjet më parë, në Prekaz të Skënderajt, gjatë sulmeve të forcave serbe të sigurisë në këtë fshat, janë vrarë më shumë se pesëdhjetë anëtarë të familjes Jashari. Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

***

Haradinaj në Therandë flet për taksa dhe njohje nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha para qytetarëve të Therandës së taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake nuk do të hiqet pa e ndërruar Serbia qëndrimin e saj karshi statusit të Kosovës. Gjatë vizitës në komunën e Therandës, ai i ka bërë thirrje Serbisë që ta njeh Kosovën dhe të normalizohen raportet në mes të dy vendeve. Sipas tij, për 20 vite në Kosovë është futur mall nga Serbia, derisa kjo e fundit nuk e ka lejuar asnjë produkt të Kosovës që të shitet atje.

Ai poashtu tha se njohja e Kosovës nga Serbia duhet të vijë si kërkim-falje por jo duke dhënë tokë ose duke hapur kufij.

Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për regjistrimin e Ndërmarrjes Trepça si ndërmarrje e Kosovës, e cila tha se u bë në ditën që Haradinaj ishte nisur në Hagë para më shumë se dhjetë viteve ku ishte gjykuar për krime lufte.

***

Mirënjohje mësuesve pensionistë 

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka ndarë mirënjohje për mësuesit e pensionuar në vitin e fundit. Kryetari i SBAShK-ut, Rraman Jasharaj, ndërlidhi ngjarjet e marsit që kanë ndodhur në Kosovë, me kontributin e mësimdhënësve në arsimin shqip.

Ndërsa, kryetar i komisionit për Arsim, Smajl Kurteshi, tha se pishtarët e dijes, kaluan nën robërinë serbe dhe patën detyrën e shenjtë, mësimin e shkrimit dhe leximit për fëmijët tanë.

Nderime për punën dhe kontributin e mësuesve dha edhe kryeari i BSPK-së,  Avni Ajdini. Ai tha se këta mësues mësuan nxënësit e tyre edhe se si duhet të mbrohet atdheu.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues politik nga Lugina e Preshevës. Deputeti i cili i përfaqëson në atë pjesë ne Parlamentin e Shqipërisë, Fatmir Hasani, tha se shpresat janë tek Kosova për hallet e qytetarëve që kanë në Luginë.

Për sfidat që kanë banorë e poashtu edhe arsimi në Luginën e Preshevës, foli edhe Agim Hasani, Shef për veprimtari shoqërore dhe shërbime publike pranë administratës komunale në Bujanocit.

Ai tha se marsi gjithmonë i bashkon shqiptarët teksa shtoi se në atë pjesë përballen me shumë vështirësi.

Ishin gjithsej 675 punëtorë të arsimit të pensionuar në periudhën 1 prill 2018 deri më 31 mars 2019 dhe ata pos mirënjohjes morën si dhuratë edhe nga një orë dore.

***

Bashkëpunim rajonal në fushën e Teknologjisë dhe Inovacionit

Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, priti Ministrin e Shoqërisë Informative dhe Administratës së Maqedonisë, Damian Manchevski dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë së Përgjithshme të Shoqërisë së Informacionit të Shqipërisë, Mirlinda Karcanaj.

Beqaj deklaroi se ky takim i nivelit rajonal i ka bërë bashkë për një projekt konkret, projekt shumë i rëndësishëm të cilin shumë shpejt do ta dorëzojnë në Bashkim Evropian.

“Ky projekt kap vlerën prej 20 milionë euro dhe do t’i ndihmojë jashtëzakonisht vendet tona të zhvillohen tutje”, theksoi Beqaj.

Disa nga çështjet shumë të rëndësishme pjesë e këtij projekti janë: Marrëveshja Rajonale për Kostot e Roamingut, Cloud për Hulumtim dhe Zhvillim, Smart City, Open Data, Internet of Things, Qendra Rajonale për Siguri Kibernetike, etj.

Ndryshe, iniciativa e tri shteteve, është projekt i cili do të prezantohet këtë muaj tek Komisionerja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel.

***

Bizneset ankohen tek Oda Ekonomike dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik 

Oda Ekonomike e Kosovës dhe ministria eZhvillimit Ekonomik kanë dëgjuar ankesat e komunitetit të biznesit, lidhur me mekanizmin e vetë-konsumit të energjisë elektrike, si dhe kufizimeve të vëna në këtë drejtim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, tha se me hapjen e detyrueshme të tregut të energjisë, të gjitha bizneset e lidhura në tensionin 10 kilovat dhe 35 kilovat, do të detyrohen t’iu bashkohen konsumatorëve të lidhur në 110 kilovat dhe 220 kilovat. Në të kundërtën, detyrohen të gjejnë zgjidhje të tjera për furnizimin e tyre, i cili nuk rregullohet nga ZRRE-ja. Kjo është shqetësuese për komunitetin e biznesit dhe OEK-un, tha Rukiqi.

Ndërkohë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, vlerësoi se dikasteri i tij, do të jetë përkrahës i politikave rregulluese që rrisin aftësinë konkurruese të sektorit privat.

Lluka tha se që nga java e ardhshme, do të dal në teren për të parë nga afër kompanitë prodhuese që kanë problem me energjinë dhe bashkërisht do të bëjnë një planë operativ për secilin rajon. Ndërsa, zyrtarë nga ZRRE, refuzuan pa arsyetim, të jenë pjesë e këtyre sqarimeve, që u vlerësuan si jetike për komunitetin e biznesit.

***

Rekrutohen ushtarë të rinj të Kosovës 

Kreu i ushtrisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka thënë se pjesëmarrja e minoritetit serb, vazhdon të atakohet nga presionii Serbisë. Në raportim tek Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri Rama tha se me ShBA-në kanë bashkëpunim të vazhdueshëm, me mbi 120 aktivitetet të përbashkëta. Rama ka sqaruar para deputetëve se 11 rregullore duhet të ndryshohen në mënyrë që të adaptohen me Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Gjeneral Rama  ka folur edhe për fazën e rekrutimit të ushtarëve të rij, ku ka sqaruar se 600 pjesëtarë do të fillojnë punën kah mesi I vitit.

“E kemi përfunduar kampanjën e rekrutimit për këtë vit kemi mbi 7000 aplikantë për 650 vende. Jemi në proces të përzgjedhjes dhe seleksionimit. Normalisht që numri I madh I aplikantëve merr pak kohë. Po flas I kemi mbi 600 të rinj. Faza e parë ose gjysma e tyre do fillojnë këtë vit bazuar me planin tonë”, tha Rama.

Rama ka folur edhe për punën e bërë gjatë vitit 2018, ku tha se transformim i FSK-së në ushtri ka shkaktuar keqkuptime te disa shtete.

***

KE vlerëson zhvillimet në Kosovë

Komisioni Evropian ka vlerësuar lëvizjet pozitive në zhvillimin e platformës së prokurimit elektronik dhe përdorimin e saj të detyrueshme nga 1 janari i këtij viti. Gjatë një takimi me përfaqësuesit nga Kosova në Bruksel, u diskutua për zhvillimin në këtë fushë, sikurse edhe për fusha të tjera, sikur që është e drejta e pronësisë intelektuale, mbrojtja e konsumatorëve, shëndetit dhe fusha të tjera. Ky diskutim u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016.
Në një komunikatë të përbashkët për media të lëshuar nga Komisioni Evropian, thuhet se në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve përkatëse të Agjendës të Reformave Evropiane dhe të Programit të Reformave Ekonomike si dhe rekomandimeve nga Raporti i të Komisionit për Kosovën për 2018.
Duke përshëndetur zhvillimin në fusha të caktuara, gjatë këtij diskutimi, Komisioni Evropian kërkoi nga Qeveria e Kosovës të vazhdojë me përafrimin e ligjeve me ligjet e BE-së. Veç tjerash, gjatë diskutimit, palët ranë dakord mbi nevojën për të rritur përpjekjet për të luftuar ekonominë joformale, pastrimin e parave dhe krimin financiar. Komisioni mirëpriti hapat në përmirësimin e nivelit të zhvillimeve në fushën e organizimit të biznesit, si dhe në përmirësimin e standardeve në kontabilitet, auditim dhe raportim financiar.

Sa i përket mbrojtjes së konsumatorëve, palët ranë dakord mbi nevojën për të përforcuar nivelin e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Ndërsa, sa i përket shëndetit, Komisioni ftoi Kosovën të bëjë një vlerësim të ndikimit në shëndet nga ndotja e ajrit.

***

Debat publik për strategjinë e zhvillimit të turizmit në Prizren 

Me qëllim të shndërrimit të qytetit të Prizrenit në një destinacion të rëndësishëm turistik, zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe shfrytëzimin e gjithë potencialit që ka qyteti në aspektin turistik, Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, ka përpiluar një draft strategji për zhvillimin e turizmit për periudhën 2019-2023. Kjo strategji është bazuar në modelin St. Gallen për menaxhim të destinacioneve (SGDM) dhe është hartuar nga një ekip i përbërë prej ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Për të pasur një strategji sa më të kompletuar dhe gjithë-përfshirje të komunitetit lokal, ftohen të gjithë qytetarët, përfaqësuesit e OJQ-ve, shoqatave, si dhe përfaqësuesit e bizneseve që janë të përfshirë në fushën e turizmit, të marrin pjesë në debatin publik për të dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre. Debati do të mbahet më 22 mars, të premten prej orës 11 në Sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit.



Lajme të ngjashme