Fitore historike e shqiptarëve në Tuz

Koalicioni i tri partive shqiptare “Malësia na Bashkon” ka siguruar 16 mandate këshilltarësh për kuvendin e ri të Tuzit, duke sfiduar partinë e Presidentit Millo Gjukanoviq në Tuz.

1158693
Fitore historike e shqiptarëve në Tuz
milo dukanovic_millo gjukanoviç_Brüksel.jpg
Osman Nurkoviq_Songül Özan.jpg
türkiye-nin yeni podgorica büyükelçisi songül ozan.jpg
uluslararası turizm borsası (itb) fuarı berlin 2019_2.jpg
uluslararası turizm borsası (itb) fuarı berlin 2019_3_Karadağ.jpeg
uluslararası turizm borsası (itb) fuarı berlin 2019.jpg

Koalicioni i partive shqiptare “Malësia na Bashkon” fiton zgjedhjet vendore në Tuz

Komuna e Tuzit në Mal të Zi do të drejtohet nga një shqiptar pas rezultatit fitues në zgjedhjet vendore të bashkimit të tri partive shqiptare përballë partisë së Presidentit Millo Gjukanoviq. Pas numërimit të votave rezulton se koalicioni i tri partive shqiptare “Malësia na bashkon” siguroi 16 nga 32 mandate për përbërjen e kuvendit, partia Demokratike e Socialistëve 10 mandate, partia Boshnjake 4, ndërsa ajo Social Demokrate dhe Demokrate nga 1 mandat. Sipas të gjitha gjasave koalicioni shqiptar do të formojë koalicion me demokratët. Zgjedhjet vendore në Tuz u zhvilluan të qeta dhe pa incidente, ndërsa në to morën pjesë dhe shumë emigrantë shqiptarë që kishin ardhur enkas për të votuar kandidaturën e bashkimit të tre partive shqiptare, Alternativën shqiptare, Unionin Demokratik, dhe Lidhjen Demokratike në Mal të Zi. Tuzi u nda nga Podgorica më 1 shtator të vitit të kaluar. Për herë të parë në historinë e proceseve zgjedhore, partitë shqiptare dolën në koalicion të përbashkët. Me qëllim maksimalizimin e votave dhe arritjen e një rezultati fitues, këto tre parti u bashkuan dhe ia arritën qëllimit. Zgjedhjet në Tuz u përcollën me vëmendje nga të gjithë aktorët politik në Mal të Zi, por edhe nga Tirana dhe Prishtine zyrtare. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar koalicionin shqiptar për fitore. Në një postim në rrjetet sociale ai ka deklaruar se “Fitorja në Tuz është dëshmia më e freskët se çfarë mund të arrijnë shqiptarët kur janë të bashkuar rreth një ideali”. Përndryshe koalicionin në Tuz e presin punë të shumta. Këtë e ka pohuar dhe vetë bartësi i listës “Forumi shqiptar”, Nikë Gjeloshaj. Ai ka thënë se komuna e Tuzit aktualisht është në gjendje jo të mirë për shkak të moszhvillimit ekonomik dhe lënies pas dore për një kohë të gjatë. Ai ka folur për prioritetet si kryetar i ri i komunës së Tuzit duke shtuar se esenciale është formimi i administratës në shqip, në të cilën do të frymohet shqip. Do të nisim edhe planin e zhvillimit urbanistik, thithjen e investimeve të huaja, motivimin e diasporës për të investuar në vendlindje dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

 

                                                                      ***

Gjukanoviq: Duhet gjetur një epilog pozitiv për dialogun Prishtinë Beograd  

Në Bruksel presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Pas takimit ai u shpreh optimist edhe për marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq vizitoi të mërkurën (06.03) Brukselin dhe selinë qendrore të aleancës veriatlantike në kryeqytetin evropian. Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Gjukanoviq u shpreh para mediave, se përvoja e zgjidhjes së çështjes së hapur në mes të Greqisë dhe Maqedonisë Veriore mund të jetë e çmueshme në zgjidhjen e problemeve të tjera në rajon. E kam fjalën për marrëdhëniet, siç tha ai "në mes të Prishtinës dhe Beogradit”. "Si fqinj i përgjegjshëm dhe shumë i interesuar, punojmë në gjetjen e një epilogu pozitiv të këtij dialogu”, ka thënë Gjukanoviq. "Besoj se është e mundur dhe e ftoj NATO-n që me angazhimin e vet në këtë rajon së bashku me BE-në të kontribuojë në atë që është opsioni i vetëm i Ballkanit Perëndimor", ka shtuar ai.

                                                                 ***

Kompanitë turke të interesuara për marrje në koncesion aeroportet e Malit të Zi. 

Disa kompani turke janë tejet të interesuara për marrjen me koncesion të aeroporteve të Malit të Zi. Për këtë projekt kanë treguar interesim edhe disa kompani të tjera evropiane. Kështu u tha në takimin që ministri i Komunikacionit, Osman Nurkoviq pati me Ambasadoren e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan. Në takim është thënë se bashkëpunimi midis dy vendeve po shënon rritje në çdo fushë e veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe në politikë. Në takim po ashtu u tha se ende ka hapësirë për forcimin e këtyre marrëdhënieve duke bashkëpunuar në rritjen e shkëmbimit tregtar. Ministri Nurkoviq ka shtuar se është rritur interesimi i investitorëve nga Turqia për të investuar në degë të ndryshme dhe në periudhën e ardhshme priten lidhje ekonomike akoma më të forta. Ai e njoftoi Ambasadoren Ozan me takimin që ka pasur me shoqatën e investitorëve turq në Mal të Zi që numëron 45 kompani, prej të cilave disa me sukses të plotë zhvillojnë veprimtaritë e tyre këtu. Ambasadorja Songul Ozan nga ana e saj tha se Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur, është shembull i stabilitetit në rajon, andaj ekonomia turke shansin e saj këtu e sheh në investime në shumë fusha.

                                                             ***

Mali i Zi merr pjesë në Panairin e turizmit në Berlin

Është hapur panairi tradicional i Berlinit “ITB Berlin”. Në këtë aktivitet ku rëndomë marrin pjesë 180 shtete të ndryshme me stendë të veçantë prezantohet edhe oferta turistike e Malit të Zi, respektivisht Organizata turistike e Ulqinit. Tregu gjerman, që njihet si treg i fuqishëm me mbi 60 milionë turistë në vit, është treg i rëndësishëm për turizmin e Malit të Zi. Në bregdetin e kësaj republike janë kthyer shumë tur operatorë dhe turistë gjermanë, e numri i tyre gjithnjë po shënon rritje. Gjatë ditëve të panairit të Berlinit, përfaqësuesit e Organizatës nacionale turistike, ata të Ministrisë së turizmit dhe drejtues të hoteleve do të kenë takime të shumta me agjenci dhe tur-operatorë, me qëllim që oferta e bregdetit të Malit të Zi të prezantohet sa më mirë. 

                                                          ***

Muzika dhe kuzhina turke prezantohet në Festivalin e Mimozës në Herceg Novi 

Instituti “Yunus Emre” në Podgoricë do të prezantojë Turqinë në “Festivalin e 50-të të Mimozës” që organizohet në Herceg Novi. Banda frymore e Komunës Edrene me 6 dhe 7 mars do të paraqitet para publikut me interpretime tradicionale të muzikës turke, ndërkaq në kuadër të këtij festivali do të ketë edhe mbrëmje gastronomike me ushqimet tradicionale turke. Përndryshe ky aktivitet këtë vit jubilar, i cili zhvillohet në Malin e Zi, zakonisht tubon një numër të madh vizitorësh nga mbarë bota.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme