Maqedonia e Veriut – LSDM dhe BDI me kandidat të përbashkët konsensual për presidencialet

Arrihet marrëveshje midis partnerëve të koalicionit për një kandidat të përbashkët konsensual për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Rrjedhin afatet për mbledhjen e firmave nga kandidatët që do të garojnë në presidencialet e 21 prillit.

Makedonya seçim 02.jpg
Makedonya seçim 01.jpg
Makedonya seçim BDI.jpg
Makedonya seçim LSDM.jpg

Maqedonia e Veriut – LSDM dhe BDI me kandidat të përbashkët konsensual për presidencialet

Data 9 mars është afati i fundit kur kandidatët për president do të mund të mbledhin 10 mijë nënshkrimet e qytetarëve për të legjitimuar kandidaturën e tyre në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit.

Ndërkohë partitë politike janë në përfundim e sipër të aktiviteteve për caktimin e kandidatëve për president.

Partnerët e koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI kanë arritur marrëveshje që në zgjedhjet presidenciale të dalin me kandidat të përbashkët konsensual.

“Ramë dakord që në këto zgjedhje të dalim me një kandidat të përbashkët dhe kjo të bëhet një standard në vendin tone që edhe në të ardhmen të shërbejë si  shembull dhe standard dobiprurës për vendin dhe qytetarët”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimi me Kryeministrin Zoran Zaev.

LSDM dhe BDI nuk zbulojnë emrin e kandidatit të përbashkët për president shteti. Në takimi është rënë dakord në parim për një kandidat të përbashkët, por nuk është vendosur për një emër konkret. Deputetja e LSDM-së, Jagoda Shahpaska, tha se edhe në kushte kur do të garohet si koalicion me BDI-në, konform statutit të LSDM-së, kandidatin duhet ta konfirmojë kongresi.

“Në takimet mes kryeministrit Zoran Zaev dhe Ali Ahmetit u arrit marrëveshje në parim për kandidat të përbashkët, por kjo nuk do të thotë se është zgjedh kandidat konkret”, deklaroi Jagoda Shahpaska, deputete e LSDM-së.

Ish-ambasadori Blerim Reka konfirmon kandidaturën e tij - Besa dhe Aleanca mbështesin Blerim Rekën si kandidat presidencial

Prorektori në Universitetin e Evropës Juglindore dhe ish-ambasadori Blerim Reka ka konfirmuar kandidaturën e tij si kandidat i pavarur në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai kandidaturën e vetë e bëri publike përmes rrjetit social “Facebook”.

“Janë dy arsye për këtë vendim. E para: Vetëm me kandidatët maqedonas, pa asnjë shqiptarë, kjo shoqëri multietnike rrezikon të rrëshqasë drejt shtetit monoetnik e shqiptarët vetëm votues, por jo edhe të votuar. E dyta: Vetëm kritikat intelektuale – pa i hyrë përballjes politike – nuk mjaftojnë për ndryshimin e gjendjes”, ka shkruar Blerim Reka.

Në mbështetje të profesor Rekës kanë dalë dy partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Ata janë rreshtuar pas kandidaturës së tij me vlerësimin se  zgjedhjet presidenciale nuk kanë kuptim pa kandidat shqiptar.

Ne prej fillimit e kemi potencuar se jemi për një kandidat të opozitës  shqiptare dhe në këtë kontest janë zhvilluar bisedimet me Aleancën Shqiptare që si opozitë shqiptare të garojmë me një kandidat, - deklaroi Fadil Zendeli i Lëvizjes Besa.

Ne gjithmonë i kemi mbetur besnik qëndrimit se shqiptarët duhet të kenë një kandidat të tyre i cili do të garojë në këto gara presidenciale. I japim përparësi gjithsesi një kandidati të përbashkët të opozitës. Një kandidat i përbashkët i opozitës do të jetë i mirëseardhur edhe për qytetarët edhe për ne, - u shpreh Syrija Rashidi i Aleancës për Shqiptarët.

Opozita maqedonase garon me profesoreshën universitare Gordana Siljanovska

Ndërkohë opozita maqedonase VMRO-DPMNE në zgjedhje do të dalë me Gordana Siljanovskën, një profesoreshë universitare që konsiderohet konkurrente serioze në garën presidenciale. Ajo tashmë ka grumbulluar numrin e nevojshëm të firmave të qytetareve dhe tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka paraqitur kandidaturën e vetë.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Nazmie Pacolli, Shkup



Lajme të ngjashme