Bosnje-Hercegovina kremton “Ditën e Pavarësisë”

Kjo festë u shënua me ceremoni dhe aktivitete të ndryshme të organizuara në mbarë vendin.

1155324
Bosnje-Hercegovina kremton “Ditën e Pavarësisë”

Në Bosnjë-Hercegovinë, e cila me një referendum të mbajtur më 29 shkurt- 1 mars 1992 shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia, sot kremtohet me ceremoni festa e “Ditës së Pavarësisë”.

Në ceremoninë e mbajtur në varrezat e dëshmorëve në Kovaçi, ku ndodhet edhe varri i të ndjerit Alija Izetbegoviç, krahas anëtarëve boshnjak dhe kroat të Këshillit Presidencial të Bosnje-Hercegovinës, respektivisht Shefik Xhaferoviç (Sefik Dzaferoviç) dhe Zhelko Komshiç (Zelko Komsiç), ishin të pranishëm politikanët, ushtarakët, udhëheqësit vendor dhe qytetarë të shumtë.

Pjesëmarrësit në ceremoni vendosën kurora me lule mbi varrin e Alija Izetbegoviçit dhe në përmendoren e dëshmorëve dhe bënë lutje.

Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast Zhelko Komshiç tha se Bosnje-Hercegovina i ka borxh njerëzve që dhanë jetët, gjymtyrët dhe çdo gjë për pavarësinë e vendit.

Ai theksoi se kurrë nuk duhet të ndjehet keqardhje për luftën për pavarësi, ndërsa tha se “Ajo që i dëshpëron njerëzit nuk është atdheu, por politika dhe pushteti”.

Ndërkaq Xhaferoviç theksoi se sot kanë rastin t’i përkujtojnë bijtë dhe bijat më të vlefshme të Bosnje-Hercegovinës, ndërsa tha se “Sot përkujtojmë me respekt bijtë dhe bijat tona, të cilët flijuan jetët e tyre për lirinë dhe pavarësinë, që ne e gëzojmë sot”.

Ceremonitë e organizuara në Sarajevë vazhduan në “Monumentin e Zjarrit të Pashuar”, i ngritur në shenjë përkujtimi ndaj ushtarëve që dhanë jetët e tyre në mbrojtje të Sarajevës gjatë Luftës së Dytë Botërore, tek “Përmendorja e Fëmijëve të Vrarë Gjatë Rrethimit të Sarajevës” dhe në parkun monumental “Vraça”.



Lajme të ngjashme