TIKA vazhdon të mbështesë me projekte Komunën e Ulqinit

Hyn në fazën përfundimtare realizimi i projektit të rikonstruksionit të Hamamit dhe Xhamisë së Namazgjasë në Ulqin, projekte që do të realizohen gjatë vitit 2019-të.

1153877
TIKA vazhdon të mbështesë me projekte Komunën e Ulqinit
TIKA_Karadağ_Ulqin_Ülgün_Enver Resuloğulları.jpg
Karadağ_ülgün_ulqin şehri.jpg
Karadağ turizmi_Ulqini_Ülgün sahilleri.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün şehri2.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün şehri.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün_Xhamia e Kryepazarit.jpg

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon të mbështesë Komunën e Ulqinit

Në Ulqin qëndroi për vizitë zyrtare Koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) Enver Resuloğulları me bashkëpunëtorë. Ata u pritën nga kryetari i Komunës Loro Nrekiqi dhe bashkëpunëtorët e tij. Koordinatori i TIKA-s, Enver Resuloğullari duke falënderuar në pritje tha se dokumentacioni i Hamamit dhe Xhamisë së Namazgjasë në Ulqin ka përfunduar dhe se realizimi është përfshirë në planet e Agjencisë për vitin 2019-2020. Krahas këtyre projekteve TIKA si deri më tani, do të përkrahë dhe projekte të tjerë në komunën e Ulqinit. Kryetari i komunës vlerësoi bashkëpunimin që Ulqini ka me agjencinë turke TIKA dhe me Ambasadën e Turqisë. Ai nënvizoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe shtoi që investitorët turq janë tejet të interesuar për të investuar në komunën e Ulqinit. Ai po ashtu falënderoi TIKA-n për fillimin e realizimit të këtyre projekteve dhe tha se komuna mbetet në dispozicion të përshpejtimit dhe realizimit sa më të shpejtë të këtyre projekteve. Falënderime Agjencisë TIKA i shprehu dhe Kryeimami i Bashkësisë Islame, Ali Efendi Bardhi. Në një deklaratë për Zërin e Turqisë z. Bardhi tha se lajmi për hyrjen në fazën përfundimtare të rikonstruksionit të Hamamit dhe Xhamisë së Namazgjasë, është një lajm i gëzuar jo vetëm për Bashkësinë Islame, por edhe mbarë Ulqinin dhe Malin e ZI, sepse në vetvete ai bart vlera të çmuara, të cilat datojnë që nga koha e Perandorisë Osmane. 

Viti 2019 do të jetë viti, i cili më në fund do ti vërë vulën përfundimit të projektit të rikonstruksionit të Hamamit dhe Xhamisë së Namazgjasë, thotë z. Bardhi dhe shton se ky objekt pas rikonstruksionit do të shërbejë si vend për ekspozita dhe aktivitete të ndryshme për qytetarët e Ulqinit.

“Nga ne dhe nga TIKA është diskutuar shumë sa i përket funksionimit të mëtejshëm të Hamamit. Tani është e pamundur që ai objekt të shendohet në Hamam siç ka funksionuar dikur, por do të jetë në shërbim të aktiviteteve kulturore si: ekspozita, promovime librash apo ndonjë tjetër aktivitet të karakterit shoqëror-kulturor. Në këtë mënyrë do të funksionojë në të ardhmen pas përfundimit të punimeve, natyrisht. Pavarësisht që një pjesë është marrë nga ndërtimi i rrugës, kompleksi i hamamit do të shfrytëzohet për aktivitete që do të jenë në shërbim të gjithë qytetarëve të Ulqinit”, ka shtuar ai..

Më shumë përkrahje për të rinjtë e Ballkanit

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBSH), Majlinda Bregu qëndroi për një vizitë pune në Mal të Zi, ku ajo u takua me zyrtarët më të lartë shtetërorë. Në takimin me Kryeministrin Dushko Markoviq u fol për implementimin e politikave dhe vendimeve për të rinjtë e Ballkanit me qëllim zbutjen e problematikës së largimit të tyre në shtetet e jashtme. Markoviq ka theksuar se Mali i Zi përmes pjesëmarrjes aktive në iniciativat rajonale promovon dialogun, mirëkuptimin dhe tolerancën si parakushte për stabilitet, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve. Lidhja përmes Procesit të Berlinit për ne është me shumë rëndësi për të gjitha çështjet kyçe të zhvillimit si të tregtisë, infrastrukturës dhe agjendës digjitale, ka theksuar kreu i ekzekutivit, Dushko Markoviq duke shtuar se Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (KBSH) përherë do të këtë përkrahjen e Malit të Zi. Nga ana tjetër znj. Majlinda Bregu në vizitën e parë të saj zyrtare në Mal të Zi në cilësinë e sekretares së përgjithshme të KBSH-së, ka theksuar se ky Këshill është i fokusuar në fushën e ekonomisë rajonale, me theks të veçantë në agjendën digjitale dhe është duke punuar në çështjen e heqjes së Romingut mes këtyre shteteve. Bashkëbiseduesit ranë dakord që në takimin e radhës në kuadër të procesit të Berlinit, që do të mbahet në Poznanj, duhet të bëhet çmos që iniciativa të tilla të realizohen dhe të arrihen rezultate konkrete për Ballkanin Perëndimor.

                                                                   ***

Mali i Zi model për rajonin në respektimin e të drejtave të njeriut

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq ka marrë pjesë mbledhjen e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Qeveria e Malit të Zi është e përkushtuar për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut si në planin kombëtar, ashtu edhe atë ndërkombëtar duke i dhënë përkrahje të plotë punës së zyrës së Komisioneres së lartë për të drejtat e njeriut, integritetit dhe pavarësisë së kësaj zyre. Darmanoviq ka theksuar se në kohën e krizave të mëdha, shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të njeriut, rritjes së ekstremizmit radikal, vetëm me aksione të koordinuara të të gjithë faktorit ndërkombëtar mund të arrihet respektimi universal i të drejtave të njeriut, të sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm, paqja dhe siguria. Sipas shefit të diplomacisë Darmanoviq, Qeveria e Malit të Zi është e përkushtuar për forcimin e dialogut nacional për të drejtat e njeriut, dhe në arritjet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Mal të Zi, posaçërisht të drejtat e grupeve të margjinalizuara siç janë të drejtat e grave, fëmijëve, LGBT dhe personave me aftësi të kufizuara. Me këtë gjë Mali i Zi plotëson detyrimet në planin ndërkombëtar, dhe ka shtuar se kjo republikë është vend pilot për vendosjen e mekanizmave për përcjelljen dhe implementimin e propozimeve nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejta e Njeriut.

Partitë shqiptare në Tuz të Malësisë dalin me një koalicion të përbashkët parazgjedhor

Të dielën, më 3 mars, mbahen zgjedhjet vendore për Komunën e Tuzit në Malësi. Komisioni Komunal Zgjedhor në Tuz ka bërë përgatitjet e fundit, ku sipas këtij komisioni çdo gjë është e gatshme për procesin zgjedhor. Këto janë zgjedhjet e para me statut të ri, si komunë e plotë të Tuzit në Malësi. Të dielën, shqiptarët e Malësisë së Madhe në Mal të Zi do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim në Komunën e Tuzit, e cila pas shumë përpjekjeve politike u themelua në Shtatorin e vitit të kaluar. Këto zgjedhje janë historike, duke marrë parasysh të kaluarën e kësaj treve, e cila është lënë anash nga pushteti, më herët në kohën e komunizmit dhe më vonë pas rënies së tij. Partitë politike të Malësisë së Madhe të Komunës Tuz: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, në këto zgjedhje për herë të parë po dalin në një listë të përbashkët (koalicion) për zgjedhjet lokale. Me listë të veçantë në këto zgjedhje do të dalë Partia Demokratike e Socialiste e presidentit Millo Gjukanvoiq dhe partia Social-Demokrate. Diaspora shqiptare nga kjo trevë, e cila është shumë e madhe në numër ka përshëndetur formimin e koalicionit parazgjedhor të partive shqiptare dhe çdo ditë dërgojnë mesazhe dhe përkrahje për të votuar këtë koalicion.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme