Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Japonia e interesuar për bashkëpunim politik dhe ekonomik me Kosovën

Gjatë javës që mbeti pas, zyrtarë nga qeveria dhe biznese japoneze vizituan Kosovën, me ç’rast është thënë se së shpejti do të hapet edhe ambasada e Japonisë në Prishtinë.

Toshiko Abe_Hashim Thaçi.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı_Hashim Thaçi_yasa onay.jpeg
Kosova_Priştine_yeraltı otopark inşaat edecek.jpg
Kosova_İpek_HEC inşaatına karşı protesto.jpg
Kosova-AB bayrakları_Priştinede.jpg
Prishtine_Kosova başkenti Priştine genel görüntü.jpg

Japonia e interesuar për bashkëpunim politik dhe ekonomik me Kosovën

Ambasada e Japonisë në Kosovë do të hapet së shpejti, kanë paralajmëruar krerët e shtetit të Kosovës, të cilët e kanë pritur në takim Ministren e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe. Presidenti Thaçi ka falënderuar ministren Toshiko Abe për mbështetjen politike që Japonia i ka dhënë Kosovës në tri dekadat e fundit.

“Këto ditë shënojmë 10-vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Vizita juaj në Kosovë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve do ta forcojë edhe më shumë këtë bashkëpunim. Për neve Japonia mbetet një shtet strategjik”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Përveç temave politike dhe ekonomike, në këtë takim është biseduar edhe për bashkëpunimin kulturor dhe sportiv. Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova me atletët e talentuar mezi pret të marrë pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio më 2020.

E Ministrja e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe, ka ofruar mbështetjen e Japonisë për Kosovën në të gjitha fushat. Ajo ka theksuar se shumë shpejt Japonia do të hapë edhe ambasadën e saj në Prishtinë, e cila do t’i lidhë edhe më shumë dy shtetet dhe dy popujt.

Me ministren japoneze, është takuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

“Kosova është falënderuese ndaj Japonisë për ndihmën e madhe që ia ka dhënë vendit në fusha me rëndësi jetike duke qenë një ndër donatorët kryesor dhe për këtë u jemi mirënjohës”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Diplomatja japoneze, zëvendës-kryeministri Behgjet Pacolli dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, më pastaj kanë bërë mbjelljen e fidanëve të qershive japoneze. Aty u tha se lulet e qershisë japoneze krijojnë ambient shumë të bukur dhe janë pjesë e kulturës së lashtë japoneze.

***

Japonia e interesuar të bashkëpunojë me biznese kosovare

Japonia është e interesuar të rrisë bashkëpunimin me Kosovën në fushën e investimeve. Për këtë arsye, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, së bashku me shefin e Zyrës Japoneze në Kosovë Mitsunori Ogasaëara dhe drejtorin e kompanisë “Jetro” Satoshi Abe, kanë vizituar kompaninë kosovare “Gjirafa”. Satoshi Abe, theksoi se do të forcojnë lidhjet me bizneset kosovare.

“Ne mbulojmë tetë shtete dhe deri tani aktivitetet tona nuk kanë qenë të përfshira në Kosovë. Nuk e dimë çfarë mund të bëjmë këtu, por mendojmë se së pari të dërgojmë investitorë të lidhur me misione ekonomike. Ne duhet të forcojmë lidhjet tona me autoritetet e Kosovës dhe me bizneset”, ka thënë ai.

Ndërsa, kreu i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi tha se janë të interesuar të promovojnë shtetin e Kosovës përmes bizneseve.

“Është e rëndësishme të kemi përkushtim dhe të kemi lidhje të forta me institutet japoneze. Sapo të kemi një agjendë ne do të punojmë me kompani të ndryshme që të jenë pjesë e promovimit të shtetit sepse jam i interesuar të kemi promovim nga bizneset dhe jo nga politika”.

Drejtor i kompanisë “Gjirafa”, Mërgim Cahani, u shpreh i gatshëm për mundësitë e bashkëpunimit.

***

Zyrtarizohet ligji i pagave 

Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga Presidenti Hashim Thaçi, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi.

“Zyra e Presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, thuhet nga Zyra e Informimit të Presidencës.

Kushtetuta e Kosovës, sikundër edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që ligji hyn në fuqi në rastet e tilla.

“Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”, thuhet në Kushtetutë.

Projektligji për paga kishte shkaktuar pakënaqësi të shumta me ç’rast janë mbajtur edhe protesta e greva. Po ashtu i ishin drejtuar shumë kërkesa presidentit për ta kthyer prapa ligjin.

***

Alternativa kërkon Vetting në Kosovë

Anëtari i Kryesisë së Alternativës, Hasan Preteni, ka thënë se gjyqësori në vend është i kapur nga politika dhe korrupsioni është i lartë, ndërsa sipas tij, në këto 11-vjet shtet, asnjë zyrtar i lartë nuk është gjykuar dhe dënuar për korrupsion. Në një konferencë për media, Preteni, theksoi se ka pasur vetëm arrestime bombastike, por të dënuar për korrupsion nuk ka pasur. Ai ka shtuar se zbatimi i ligjeve në Kosovë po çalon, duke filluar nga Kuvendi i Kosovës.

Preteni theksoi se Ligji anti-korrupsion ka ndryshuar tri herë nga viti 2006. Lidhur me deklarimin e pasurisë, ai tha se tani do të ketë përsëri ligj të ri, që u mundëson zyrtarëve të mos i deklarojnë paratë e kursyera. Ndërsa, sa i përket ligjit të prokurimit, Preteni tha se 1/3 e buxhetit të vendit shpenzohet me procedura të prokurimit.

Alternativa kërkon që prokuroritë të kenë rend dhe rregull, ndërsa ka shtuar se Kosova nuk ka pasur nevojë për prokurori speciale. Ai ka potencuar se Vettingu është i domosdoshëm në fushën e drejtësisë, duke theksuar se mungon llogaridhënia dhe transparenca pothuajse në të gjitha institucionet.

***

Taksa 100% dhe liberalizimi nuk kanë ndërlidhje, thotë ministrja Hoxha

Ministrja e Integrimit Europian Dhurata Hoxha ka mohuar te ketë ndërlidhje me taksën ndaj Serbisë, liberalizimi i vizave për Kosovën. Në një konferencë për media ministrja Hoxha tha se para përfundimit të zgjedhjeve në BE nuk mund të pritet ndonjë lëvizje në liberalizim.

Në këtë mënyrë ajo ka komentuar deklaratat e Presidentit Hashim Thaçi ku së fundi tha se vendimi për taksën ndaj mallrave serbe, ndërlidhet me çështjen e liberalizimit të vizave. Hoxha tha se nuk ka informacione për diçka të tillë.

”Nuk kemi informacione zyrtare se kjo çështje është e ndërlidhur. Sinqerisht ne si Ministri e Integrimit Europian kemi pasur kërkesa të shumta nga vende anëtarë të BE-së që të pezullojmë taksën”, ka thënë Hoxha.

Sa i përket dhënies së datave në të kaluarën për liberalizim të vizave, ajo ka arsyetuar këtë gjë, sepse ashtu iu ishin kumtuar, por se aktualisht ky proces, sipas saj, nuk mund të parashikohet para zgjedhjeve për institucionet e reja të Bashkimit Evropian.

***

Ndotja e ajrit dhe ujërave në Kosovë, shumë e lartë

Në Kosovë është nevojë urgjente që të gjenden mënyra për përdorimin e energjisë alternative, pasi ndotja e ajrit vjen nga termocentralet që prodhojnë energji. Gjithashtu, ndotja e ujërave në vend është në nivel shumë të lartë, u tha në konferencën e titulluar: “Efiçienca e energjisë dhe ruajtja e ujit”, organizuar nga “Let’s Do it Kosova”në bashkëpunim me Odën e Gjelbër Ekonomike të Amerikës. Drejtori i “Let’s Do it Kosova”, Luan Hasanaj, tha se janë të vetëdijshëm se lumenjtë e liqenet janë të ndotura dhe se është bërë shumë pak për përmirësimin e gjendjes. Ai siguroi se gjatë këtij viti, do të jenë shumë aktivë në pastrimin e lumenjve. Këshilltarja e kryeministrit Haradinaj, Albena Rashitaj, tha se Qeveria e Kosovës për herë të parë është përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit, duke shtuar se efiçienca e energjisë është ajo që tani i duhet Kosovës.

***

Në verë nisë ndërtimi i parkingut nëntokësor në Prishtinë 

Parkingu i shumëpritur nëntokësor përballë Fakultetit Filologjik në Prishtinë, do të nisë gjatë sezonit së verës. Pas pothuaj se 3 vite punë, Komuna e Prishtinës, arriti në fazën përfundimtare të realizimit të projektit, me partneritet publiko-privat. Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, tha se janë dy kompani garuese që janë kualifikuar në fazën e parë.

“Numri vend parkingjeve siç e kemi kërkuar është minimum 500 në dy nivele. Numri i lokaleve i cili është përfolur është maksimum 500 m2. Ndërsa, hapësira mbi sipërfaqe do të jetë një hapësirë gjelbëruese, një park qendror i qytetit në të cilin do të ketë qasje për të gjithë”, tha Bashota.

Ai ka shtuar se “Nëse shkon sipas planit, brumi është gati, kah vera e këtij viti veç se do të fillojë procesi i ndërtimit të parkingut nëntokësor”.

***

Kundërshtohet projekti për hidrocentrale në Pejë

Zëvendësministri i Financave dhe anëtari i Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, Fatmir Gashi ka premtuar se nuk do ta miratojë projektin e kompanisë austriake “KelKos-Energy Peja”, e cila planifikon ndërtimin e hidrocentraleve energjetike në rrjedhën e lumit “Lumbardhi” në Pejë.

Dy ditë pas takimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, në të cilin u konfirmua se kompania austriake “KelKos-Energy Peja” ka përmbushur kriteret teknike para se të bëhet vlerësimi operacional i projektit, zëvendësministri i Financave ka reaguar.

“Fatmir Gashi as që ka nënshkruar dhe as që do të nënshkruaj gjëra të tilla ndonjëherë”, ka thënë zëvendësministri Gashi, në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook.

Në mbledhjen e Komisionit ndërministror, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ishte shprehur me vlerësim për këtë investim në fushën e energjisë së ripërtëritshme.

Ndërkohë qytetarët e Pejës kanë nisur peticionin për të kundërshtuar këtë projekt.



Lajme të ngjashme