Ambasadorja Ozan: Kompanitë turke janë të interesuara për investime në Malin e Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq priti në një takim pune Ambasadoren e re të Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan.

Dusko Markoviq_Songul Ozan_5.jpg
Dusko Markoviq_Songul Ozan_6.jpg
Damir Shehoviq_Enver Resuloğulları.jpg
Kemal Purishiq Ülgün_Ulqin ziyareti.jpg
Ragmi Mustafa_Faik Nika.jpg
THY.jpg

Mali i Zi dhe Turqia kultivojnë marrëdhënie të forta miqësore, të cilat do të avancohen edhe më shumë me forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Kështu u tha në takimin që Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq pati me Ambasadoren e Turqisë Songul Ozan. Kreu i ekzekutivit Markoviq ka theksuar se Mali i Zi krahas prioriteteve strategjike punon shumë edhe në zhvillimin e ekonomisë duke shtuar që me rëndësi është vazhdimi i rritjes ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës dhe tërheqja e investitorëve të huaj. Ai e ka vlerësuar si shumë pozitive rritjen e interesimit të kompanive turke për investime në Mal të Zi, ndërkaq ambasadorja Ozan ka thënë se Mali i Zi gjithnjë e më shumë po bëhet i njohur në Turqi si për nga potencialet turistike, ashtu edhe ato ekonomike. Ambasadorja Ozan ka shtuar se kompanitë turke janë të interesuara për investime në aeroporte, bujqësi, shëndetësi dhe industrinë e tekstilit. Bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se Mali i Zi ka një rol konstruktiv në rajon dhe vepron në drejtim të arritjes se kompromiseve përmes dialogut. Ambasadorja Ozan po ashtu ka lavdëruar Malin e Zi për ruajtjen dhe kultivimin e harmonisë shumëetnike dhe shumëkonfesionale. Bashkëpunimi midis dy vendeve do të forcohet edhe me shumë përmes partneritetit në NATO, ku si aleatë këto dy vende do të kontribuojnë në ruajtjen e rrjedhave demokratike,- u tha në takimin e parë zyrtar të Kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq me Ambasadoren e Turqisë, Songul Ozan.

                                                                              ***

TIKA dhe Ministria e Arsimit e Malit të Zi në vitin 2018-të kanë investuar mbi 300.000 mijë euro në katër projekte të përbashkëta 

Bashkëpunimi midis TIKA-s dhe Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019,- u tha në takimin që Koordinatori i TIKA-s për Malin e Zi, Enver Resuloğulları pati me ministrin e Arsimit, Damir Shehoviq. Në takim u përmendën projektet e realizuara deri tani, siç janë: adaptimi i shkollës “29 Nëntori” në Dinoshë të Malësisë, adaptimi i palestrës sportive në shkollën “25 Maji” në Tuz, atë të institucionit parashkollor në Stara Varosh. Po ashtu TIKA ka ndihmuar edhe në blerjen e kompjuterëve për gjimnazin “30 Shtatori” në Rozhajë, projekte këto që kalojnë shifrën e 300.00 mijë eurove. Në takim, ministri Shehoviq ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë që të marrë pjesë në të gjitha projektet e TIKA-s edhe për vitin 2019-të me qëllim që arsimit ti sigurohen kushte sa më optimale. Ai po ashtu ka falënderuar TIKA-n për ndihmën e pakursyer që ka dhënë për sistemin shkollor në Mal të Zi. Ndërkaq koordinatori i TIKA-s Resuloğullari tha se TIKA pikërisht bashkëpunimin më të suksesshëm në Mal të Zi e ka me Ministrinë e Arsimit. Ai theksoi se TIKA ka evidentuar edhe disa projekte të tjera, ku do të jetë e fokusuar këtë vit. Bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që në muajt e ardhshëm të vlerësohen nevojat infrastrukturore të shkollave dhe pas hartimit të projektit të caktohet shuma e investimeve. Investimet në këto shkolla do te bëhen gjatë pushimeve verore u tha në takim.  

                                                                 ***

“Turkish Airlines” (THY) shton numrin e fluturimeve nga Stambolli në Podgoricë

Kompania ajrore turke “ Turkish Airlines” ka paralajmëruar për ketë sezon veror rritjen e numrit të linjave në drejtim të vendeve të rajonit e në listë është edhe Podgorica. Në fakt, kompania ajrore turke do të ketë në të ardhmen 14 fluturime në javë në drejtim të Podgoricës. Përndryshe “Turkish Airlines” (THY) për momentin ka fluturime drejt të gjitha kryeqyteteve të rajonit si në Beograd, Sarajevë, Podgoricë dhe Lubjanë. Drejtori i “Turkish Airlines” për Kroacinë, Ugur Cantimur ka deklaruar se në bazë të analizave të bëra të frekuentimeve të udhëtarëve dhe kërkesave gjithnjë e më shumë të mëdha për fluturime drejt Turqisë dhe anasjelltas, kemi vendosur të shtojmë numrin e fluturimeve drejt vendeve të rajonit. Fluturimet e reja nisin nga data 3 mars e këtij viti.

                                                                      ***

Vizitë e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale në Ulqin 

Në Ulqin qëndroi për vizitë pune Ministri i Punës dhe Mirëqenies sociale, Kemal Purishiq. Në takimin me kryetarin e komunës, Loro Nrekiqi dhe bashkëpunëtorët e tij u bë fjalë për problemet sociale, mundësinë e bashkëpunimit intensiv ndërmjet administratës lokale dhe Ministrisë në fjalë me qëllim arritjen e rezultateve sa më të mira për qytetarët, të cilët janë shfrytëzues të shërbimeve të Qendrës Sociale dhe kategorive të rrezikuara si dhe për mekanizmat që bashkëpunimi të rritet në nivel edhe më të lartë. Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e bashkëpunimit me qëllim të arritjes së efekteve sa më të mëdha për ofrimin e ndihmës sociale dhe përkujdesjes. U fol për mundësinë e punësimit të personave me invaliditet, për hapjen e një Qendre për të moshuarit pa përkrahje, por dhe për mbështetjen e hapjes së një kuzhine popullore. Në takim u fol po ashtu për skamnorët dhe lypsarët, të cilët janë të shumtë në numër gjatë stinës së verës, por dhe për çështje të tjera që janë në kompetenca të kësaj ministrie. Në kuadër të vizitës ministri Purishiq, drejtori i Fondit  të Pensionistëve dhe Sigurimeve Invalidore, Dushan Peroviq dhe zyrtari për çështje sociale Kushevija të shoqëruar nga kryetari i Komunës  vizituan Qendrën për Punë Sociale, Qendrën Ditore për Fëmijë me pengesa dhe vështirësi në zhvillim “Sirena” dhe Pushimoren e Pensionistëve që është duke u rikonstruruar dhe zgjeruar. Ata patën rast që të njihen më për së afërmi me punën e këtyre institucioneve.                                                                                                                                ***

Avancohet bashkëpunimi midis Këshillit Kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi dhe atij në Serbi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z.Faik Nika me bashkëpunëtorët e tij zhvilluan një takim pune me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, z.Ragmi Mustafën dhe bashkëpunëtorët e tij. Takimi u mbajt në Luginën e Preshevës, ku u diskutuan mundësitë e koordinimit të aktiviteteve të dy institucioneve në fjalë. Theks i veçantë u tregua për kërkesat e Këshillit drejtuar Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me çështjet e arsimit, kulturës, medias, ruajtjes dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në institucione dhe për mundësitë e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në dy vendet respektive, ku jetojnë shqiptarët autoktonë. Gjatë kësaj vizite, kryetari Nika dhe bashkëpunëtorët e tij u takuan edhe me disa nga përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare që veprojnë në Luginë të Preshevës, me të cilët diskutuan për gjendjen dhe sfidat, me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi dhe ata në Serbi.

                                                                       ***

Ambasada e Kosovës në Mal të Zi shënoi 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës 

Me një pritje solemne në Podgoricë, Ambasada e Kosovës në Mal të Zi shënoi 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë solemnitet ishin të ftuar zyrtarë të lartë shtetërorë, përfaqësues të partive politike, korit diplomatik dhe përfaqësues të mediave. Në fjalën përshëndetëse, Ambasadori i Kosovës Skënder Durmishi, përmendi arritjet që Kosova ka realizuar gjatë 11 viteve pavarësi, kurse marrëdhëniet në mes dy vendeve i quajti shembullore dhe model për rajonin.

                                                                      ***

Instituti “Yunus Emre” nis projektin “Trashëgimia orientale në Mal të Zi”

Instituti “Yunus Emre” në Podgoricë në vazhdën e aktiviteteve kulturore dhe shkencore ka paralajmëruar për sot, datë 21 shkurt 2019, panelin shkencor në temën “Trashëgimia Orientale në Mal të ZI”. Lidhur me këtë temë do të flasë Shebo Rastoder, që është profesor i Fakultetit Filozofik të Podgoricës dhe kryetar i Departamentit të Historisë në Akademinë e Shkencave të Malit të Zi.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti, Vera ALIBEGU KATANA

 


Lajme të ngjashme