Ambasadorja Ozan fillon zyrtarisht misionin në Malin e Zi

Ambasadorja e re e Turqisë, Songul Ozan i ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanvoiq dhe ka filluar zyrtarisht misionin e saj në këtë vend.

Karadağ-da Türkiye B.Elçisi_Songül Özan_güven mektubu.jpg
Karadağ-da Türkiye B.Elçisi_Songül Özan.jpg
Millo Gjukanvoiq_Songül Özan.jpg
Balkanlar_Arnavut Belediye Başkanları toplantısı.jpg

Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Millo Gjukanoviq

Ambasadorja e re e Turqisë në Mal të Zi Songul Ozan i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq me ç’gjë u zyrtarizua misioni i saj në këtë republikë.

Me këtë rast ambasadorja Ozan theksoi se ndjehet e kënaqur që përfaqëson vendin e saj në një vend mik të Turqisë, me të cilin siç u shpreh ajo, kemi lidhje kulturore dhe njerëzore të bazuara në historinë tonë të përbashkët. Gjatë mandatit tim, me bashkëpunëtorët e mi nga ambasada, këshilltarët me udhëheqësin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Qendrën kulturore turke “Yunus Emre”, kompaninë Turkish Airlines (THY) dhe bankën “Ziraat Banksi” do të vazhdojmë edhe më tej të kultivojmë marrëdhëniet tona me Malin e Zi në të gjitha fushat. Qëllimi ynë është që te jemi afër dhe të bashkëpunojmë me institucionet dhe qytetarët e Malit të Zi, u shpreh Ambasadorja Ozan. Prioriteti ynë bazë është zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike me Malin e Zi, i cili me suksesin që ka në kultivimin e raporteve të mira ndëretnike dhe ndërkonfesionale është shembull për vendet e Rajonit. Në kuadër të kësaj, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë produktiv, me institucionet e Malit të Zi me qëllim që shkëmbimin e mallrave dhe mundësinë e investimeve ta ngremë në nivel akoma edhe më të lartë. Nga ana tjetër në komunikim me organet shtetërore do të synojmë intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat e mundshme e veçanërisht në fushën e kulturës, arsimit, sportit, bashkësive lokale, dhe sektorit jo- qeveritar. Besoj se Turqia në periudhën e ardhshme në mënyrën më efikase do të vazhdojë bashkëpunimin me Malin e Zi në rrugën drejt integrimit të plotë në institucionet euro-atlantike, që është dhe qëllimi ynë i përbashkët. Ndërkaq Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanvoiq në takimin me ambasadoren e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin ndërshtetëror dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira midis Malit të Zi dhe Turqisë. Ai është shprehur i bindur se angazhimi i Ambasadores Ozan do ti avancojë edhe më shumë këto marrëdhënie. Sipas Gjukanvoiq kontribut në këtë drejtim do të japë edhe vizita e planifikuar e Presidentit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan në Mal të ZI. Ai po ashtu ka shprehur solidaritetin meTurqinë në përpjekjet që bën kjo për zgjidhjen e krizës në kufirin jugor dhe krijimin e kushteve për jetesë të një numri të madh të refugjatëve nga Siria. Presidenti Gjukanoviq po ashtu ka falënderuar edhe TIKA-n për ndihmën e pakursyer që po jep në realizimin e projekteve të ndryshme zhvillimore në Mal të ZI.

                                                                      ***

Investitorët turq ndërtojnë hotel në lokalitetin Zabjelo të Podgoricës

Sipas informacioneve, kompania e njohur turke “ERKA” ka nisur ndërtimin e kompleksit të njohur hotelier-banesor në Zabjelo të Podgoricës. Hoteli do të jetë i kategorisë së lartë me 5 yje dhe pritet që ndërtimi të përfundojë në vitin 2020. Përndryshe ky është investim në vazhdën e investimeve të mëdha turke në Mal të Zi. Në Podgoricë brenda një kohe të shkurtër janë hapur objektet e markave të njohura turke si “DOGTASH” dhe “LC WAIKIKI”. Po ashtu është paralajmëruar ndërtimi i AQUA PARKUT, qendrës tregtare dhe një kompleksi sportiv. Një rrugë e Podgoricës po ashtu do të mbajë emrin e kryeqytetit historik të Turqisë.

                                                                   ***

Genci Nimanbegu, Shqiptarët po pakësohen në Malin e Zi, ishim 7%, jemi 4.9%

“Në Malin e Zi jetojnë dhe punojnë në trojet e tyre një pjesë e rëndësishme e shqiptarëve. Tashmë pakica shqiptare ka avancuar në disa drejtime, duke përfshirë krijimin e partive politike, përfaqësimin në rang komunash. Por akoma Parlamenti i Malit të Zi nuk dëgjon shumë zëra të përfaqësuesve shqiptarë. Sot në Parlamentin e Malit të Zi ndodhet vetëm një deputet shqiptar. Situata e shqiptarëve në Mal të Zi është bashkudhëtare e situatës politike në këtë shtet, por ajo ende lë mjaft për të dëshiruar”,- ka deklaruar nënkryetari i Parlamentit, Genci Nimanbegu. Përkundër deklarimeve (të faktorëve të tjerë) dhe vetëdeklarimit (të faktorit malazez) se jemi shtet lider në rajon, veçanërisht në integrimet evropiane, gjë të cilën unë i kuptoj si pranim i kritereve dhe rregullave shoqërore të një shteti me demokraci të mirëfilltë, me pozitën tonë nuk jemi të kënaqur. Në aspektin legjislativ çështjet duken të avancuara, por ngecjet shihen në zbatimin e po të njëjtave ligje. Vetëm një shikim i përciptë në lëvizjen e popullsisë shqiptare në Mal të Zi na tregon shumë. Sot kemi mbetur në 4,9% të popullsisë në Mal të Zi, e para tri dekadash ishim rreth 7%. Gjatë kësaj periudhe kushtet shoqërore dhe ekonomike për bashkësinë shqiptare dhe shumicën malaziase nuk kanë ndryshuar (megjithëse kanë qenë në disfavor për shqiptarët). Për këtë arsye, mbesin rrethanat politike, që tregojnë se diçka nuk është në rregull. Të jesh pakicë, do të thotë të luftosh pandërprerë për avancimin e të drejtave të tua si kolektive, ashtu edhe individuale. Ndërsa, të jesh pakicë në shtetet ballkanike është të luftosh me vetëdijen e shumicës, që shpesh vetëm deklarativisht e pranon barazinë. E mbështesim plotësisht politikën e jashtme të Malit të Zi, posaçërisht politikën e fqinjësisë së mirë, integrimet në BE dhe NATO, por njëkohësisht jemi thellësisht të pakënaqur me politikat e brendshme në fushën e ekonomisë, centralizimit të pushtetit, privatizimeve dhe investimeve, veçanërisht në trevat ku jetojnë pakicat, ka deklaruar nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu.

                                                               ***

Vazhdojnë takimet e kryetarëve të bashkive, komunave shqiptare në rajon

Në Tetovë do të mbahet takimi i Kryetarëve të Unionit të Bashkive shqiptare në rajon, ku marrin pjesë kryetari i Tiranës, Tetovës, Ulqinit, Prishtinës dhe Preshevës. Ky do të jetë takimi i radhës sepse pjesëmarrësit kanë nënshkruar dhe një memorandum bashkëpunimi. Në memorandum thuhet: “Ne kryetarët e Bashkive të këtyre qyteteve të mbledhur me vullnetin dhe dëshirën e mirë për të hedhur themelet e një bashkëpunimi të fortë, efikas, të qëndrueshëm e afatgjatë mes kryeqendrave urbane të hapësirës, ku jetojnë një e treta e popullsisë shqiptare të rajonit, kemi shpresë të pa lëkundur tek ndjenja e solidaritetit dhe vëllazërisë që ekziston mes shqiptarëve kudo ata ndodhen. Të vetëdijshëm që sfida më e madhe me të cilën sot përballen shqiptarët është sfida e progresit, zhvillimit dhe një jete më të mirë; të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka suksesi i bashkëpunimit mes nesh për avancimin e kauzës së shqiptarëve në rajon kemi shpresë që modeli që ne po krijojmë do të zgjerohet duke përfshirë çdo qendër të banuar me shqiptarë në rajon”, thuhet në memorandum.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme