Belgjikë – Nënshkruhet protokolli i aderimit të Maqedonisë në NATO

Protokolli për aderimin e Maqedonisë në NATO u nënshkrua të mërkurën në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës.

Belgjikë – Nënshkruhet protokolli i aderimit të Maqedonisë në NATO

Ceremonia e nënshkrimit të protokollit u organizua në shtabin qendror të Aleancës në Bruksel, ku në emër të Maqedonisë firmosi ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov.

Në ceremoni morën pjesë gjithashtu sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe përfaqësuesit e përhershëm të 29 shteteve aleate.

Stoltenbergu i dhuroi ministrit Dimitrov stilografin me të cilin të gjithë përfaqësuesit e përhershëm nënshkruan protokollin.

Për anëtarësim e plotë të Maqedonisë në NATO, të gjitha parlamentet e shteteve anëtare duhet të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit dhe të përfundojnë disa procese zyrtare.

Gjatë kësaj periudhe, Maqedonia do të marrë pjesë në mbledhjet e NATO-s si vend i ftuar.

Nga ana tjetër, sipas Marrëveshjes së Prespës, nënshkruar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit 28-vjeçar të emrit, emri i vendit do të ndryshohet zyrtarisht në Republika e Maqedonisë së Veriut pasi Athina të nënshkruajë dhe ratifikojë protokollin e anëtarësimit.

Në samitin e vitit të kaluar në Bruksel, NATO-ja i dërgoi Maqedonisë ftesë për aderim.

Kreu i Aleancës, Stoltenberg, deklaroi gjatë fjalës së rastit përpara ceremonisë se ky është “një moment historik”.

“Pritëm një kohë të gjatë që ju të jeni pjesë e familjes sonë”, shtoi ai.

Kurse ministri Dimitrov falënderoi kryeministrat Zoran Zaev të Maqedonisë dhe Alexis Tsipras të Greqisë për mundin e tyre në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit.

Kontesti i emrit

Problemi i emrit, i cili vijon me Greqinë që prej shkëputjes dhe pavarësimit të Maqedonisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës, nënshkruar më 17 qershor 2018 nga kryeministrat e të dyja vendeve.

Zgjidhja e kësaj çështjeje historike përfundoi me përmbylljen e proceseve ligjore të nevojshme fillimisht në Maqedoni, më pas edhe në Greqi, lidhur me këtë marrëveshje që parashikon ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.



Lajme të ngjashme