Miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2019, Haradinaj e quan zhvillimor

Kuvendi i Kosovës ka votuar Ligjin për buxhetin e vitit 2019, i cili është më i larti deri më tani.

Miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2019, Haradinaj e quan zhvillimor

Miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2019, Haradinaj e quan zhvillimor

Pas miratimit të Buxhetit, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore.

“E përshëndes miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për Buxhetin 2019 të Republikës së Kosovës. Me 2 miliardë e 370 milionë euro, ky është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 për qind.

Arsimi me rreth 300 milionë euro dhe shëndetësia me 234 milionë, janë sektorët që përfitojnë më së shumti.

Institucionet e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes marrin mbështetje të shtuar financiare prej 6% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Më shumë siguri dhe më shumë mbrojtje, edhe për qytetarët por edhe për investimet.

Investimet kapitale rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat.

Janë akomoduar mjetet për rritjen e pensioneve bazike 20%, për ato kontribut-dhënëse 15%, si dhe pensionet mujore prej 230 euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Urime Kosovë viti i kthesës ekonomike!”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social.

Veseli thotë se buxheti i hap rrugë zhvillimore vendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar se Buxheti për vitin 2019 prej 2.3 miliardë eurosh, i hap rrugë zhvillimore sektorëve më jetikë të dekadës së re, ekonomisë e ndërmarrësisë, arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, sportit, kulturës e inovacionit.

“Edhe një vendim i rëndësishëm për vendin nga Kuvendi i Kosovës. Buxheti për vitin 2019 prej 2.3 miliardë eurosh, i hap rrugë zhvillimore sektorëve më jetikë të dekadës së re, ekonomisë e ndërmarrësisë, arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, sportit, kulturës e inovacionit. Faleminderit të gjithë deputetëve. Urime të gjithë qytetarëve!” ka shkruar Veseli në Facebook.

Mjekët kosovarë me paga më të larta në rajon, thotë ministri Ismaili

Kuvendi i Kosovës me shumicë e ka votuar Ligjin e ri për Paga në bazë të propozimeve të dala nga grupet punuese. E, një nga kategoritë që ka përfituar më së shumti janë profesionistët shëndetësorë. Sipas Ligjit të Ri për pagat, mjekët specialistë do të paguhen tani plot 1,200 euro në muaj pagë standarde bruto.

Paga e mëhershme e tyre ishte rreth 600 euro. Këtij lajmi iu gëzua Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“U kry. Pagat më të larta në rajon për mjekët dhe infermierët tanë. Dekada e re për shëndetësinë tashmë ka nisur. I gëzofshi. Tani, e gjithë vëmendja te pacienti”, ka postuar në rrjetin social ministri.

Analistët kundër rritjes së hendekut në paga

Analisti Dukagjin Popovci ka deklaruar se me rritje të pagave në sektorin publik, po zgjerohet hendeku me sektorin privat.

“Nga Ligji për pagat përfitojnë rreth 80,000 punonjës të sektorit publik, ndërsa rreth 270,000 të tjerë që punojnë në sektorin privat mbeten aty ku kanë qenë. 

Në vitin 2012 paga mesatare në sektorin publik ka qenë 407 EUR, ndërsa në sektorin privat 367 EUR. Brenda 5 vitesh, paga mesatare në sektorin publik është rritur për 25% duke arritur në 509 EUR , ndërsa në atë privat vetëm për 4.6%, në 384 EUR. Pra, në vitin 2017, paga mesatare në sektorin publik ka qenë për 1/3 më e madhe se në sektorin privat. Me rritjen e sotme të pagave, hendeku në mes të dy kategorive po zgjerohet, ende nuk e dimë sa. 

A po mendon dikush për këta 270,000 qytetarë që përbëjnë ¾ e të punësuarve në Kosovë? Si do ta përballojnë rritjen e pritshme të çmimeve ata dhe familjet e tyre?

Prandaj, nuk ka vend për mburrje se kush është me meritori për Ligjin e pagave. 

Sfidat tek po fillojnë”, ka shkruar Pupovci.

Trepça bëhet me statut

Kuvendi i Kosovës ka votuar edhe pikën e fundit të rendit të ditës në një seancë të gjatë mbi 14 orë.

“Shqyrtimi i Propozim-Statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A.”, ka qenë pika e fundit në votim që ka marrë 80 vota të deputetëve.

85 veta kanë marrë pjesë në votim, dy prej tyre kanë votuar kundër dhe tre kanë qenë abstenime.

Haradinaj thotë se kanë zgjuar gjigantin kosovar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se me votimin e Statutit të “Trepçës” kanë zgjuar gjigantin kosovar.Haradinaj ka shkruar në Facebook se ky është hapi kryesor për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave dhe punësim.“Votimi i Statutit me 2/3 e votave të Kuvendit dëshmoi unitet të spektrit politik. Ky statut i jep Trepçës legjitimitetin e nevojshëm për të operuar me të gjitha kapacitetet e saja dhe duke e rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”, ka shkruar ai.

Statuti për Trepçën hap rrugën e investimeve, thotë Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se statuti i aprovuar i Trepçës në Kuvend, i hapë rrugë perspektives zhvillimore të Trepçës si dhe bënë të mundur fillimin e investimeve vendore dhe të huaja, duke rritur vlerën e aseteve. Përmes një postimi në Facebook, ai ka deklaruar se “përfundimisht mbyllëm një kapitull disa vjeçar dhe tani fokusi kryesor do të jetë që ky aset të rikthehet në motorin kryesor të zhvillimit Ekonomik, duke rritur eksportet, përmirësuar bilancin tregtar dhe duke gjeneruar vende pune për qytetarët tanë.

“Statuti i Trepçës mundëson zbatimin e Ligjit për Trepçën si dhe adreson çështjet kryesore për konstitutimin dhe funksionalizimin e ndërmarrjes, siç janë:

a. Regjistrimi formal administrativ i Trepçës si Shoqëri Aksionare,
b. Kompletimi i Bordit Mbikëqyrës siç parashihet me Ligjin mbi Trepçën,
c. Zgjedhja dhe emërimi i Bordit Menaxhues, si dhe
d. Fillimi i investimeve siç parashihet me ligjin mbi Trepçën.

Miratimi i statutit të ndërmarrjes i hapë rrugë perspektives zhvillimore të Trepçës si dhe bënë të mundur fillimin e investimeve vendore dhe të huaja, duke rritur vlerën e aseteve dhe duke përmirësuar teknologjinë, të cilat do të mundësojnë që Trepçën t’a ri-kthejmë në një nga gjigantet kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit tonë, njëkohësisht duke përmirësuar mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik”, ka shkruar ministri Lluka në Facebook.

Serbët reagojnë pas statutit për Trepçën

Pas miratimit të statutit të Trepçës në Kuvend, ndihmësi i drejtorit të Zyres së qeverisë së Serbisë për Kosovë, Petar Petkovic, ka thënë se me këtë veprim, Prishtina dëshiron ta dëbojë popullin serb. Ai ka shtuar se Serbia do të bëjë gjithçka që Trepça në veri të vazhdojë të funksionojë. Sipas tij, ekziston rreziku që do të bllokohet eksporti i prodhimeve me çka do të rrezikohej mbijetesa e vet “Trepçës” si dhe rrogat e 3000 punëtorëve. Sipas fjalëve të tij, menaxhimet që parashihet sipas statutit, nuk mund të realizohet fizikisht, pasi që Trepça-veri ndodhet në Leposavic, kurse minierat më të rëndësishme Belo bordo si dhe Crnac, janë pranë linjës administrative drejt Serbisë qendrore.

Zëvendësministrat do të marrin pagë pas përfundimit të detyrës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kaluar një amandament të propozuar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media që përpiloi Projektligjin për Pagat në sektorin publik, i cili zëvendësministrave ua mundëson pagë edhe pas përfundimit të mandatit të tyre. Me mbi 40 vota, deputetët kaluan amandamentin i cili i shpërblen me pagë kalimtare zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës. Për këtë amandament, Lëvizja Vetëvendosje, kërkoi që të hiqej pasi e konsideroi si të padrejtë. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se zëvendësministrat nuk mund të krahasohen me pozitat e presidentit, kryeministrit apo deputetëve. 

Krerët e shtetit, takim me ambasadorin amerikan

Krerët e koalicionit qeverisës dhe presidenti Hashim Thaçi u takuan me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Takimi ka përfunduar pa ndonjë deklaratë për media. Ndërkohë presidenti Thaçi, duke komentuar takimin, ka thënë se s’ka individ apo agjendë ditore që e sfidon partneritetin me SHBA-në.

Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se pak kanë rëndësi çështjet e brendshme dhe karriget e pozitave, e rëndësishme sipas tij, është partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai përsëriti se nuk do të ketë këmbim të territorit.

Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj tha se në takim është folur për zhvillimet aktuale dhe me sfidat që po ballafaqohet vendi, duke e quajtur të panevojshme ndërlidhjen e taksës me procesin e dialogut.

Këto komente krerët e vendit i bënë ndaras pas homazheve pranë shtatores së Zahir Pajazitit, në 22 vjetorin e rënies së heroit.

Presidenti Thaçi, letër Trump’it

Presidenti Hashim Thaçi, i ka shkruar letër presidentit amerikan Donald Tramp, ku është zotuar se do ta kryej pjesën e tij të punës sa i përket arritjen së marrëveshjes me Serbinë. Përmes kësaj letre, presidenti Thaçi ka shprehur zotimin e tij se është i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar. Sipas presidentit Thaçi, me anë të kësaj marrëveshje, do të përfshihen të gjitha çështjet e hapura dhe do t`i jepte fund konfliktit shekullor me Serbinë.

 

  • Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI


Lajme të ngjashme