Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Kosova garanton borxhet e kompanisë private që ndërton Termocentralin e Ri

Sivjet pritet të fillojë ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re, kurse kompania ndërtuese Countour Global thotë se ka siguruar mjetet për këtë project.

Kosova yeni termik santrali.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı Hashim Thaçi_Sırbistan-la müzakereler hakkında.jpg
Mithat Saliq_Bosna heyeti Kosova temasları.jpg
Majlinda Kelmendi _Tel Aviv.jpg
Nehat Idrizi_Kosova arabuluculuk kanun tanıtımı.jpg
Kosova Telekom binası_özelleştirme süreci.jpg

Kosova garanton borxhet e kompanisë private që ndërton Termocentralin e Ri

Në mars të këtij viti fillojnë punët parapërgatitore për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, ka bërë të ditur përfaqësuesi i Contour Global.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj ia dha fjalën drejtorit të projektit për ndërtimin e TC Kosova e Re, Bernard Haider. Ai tha se në garë për ndërtimin e Termocentralit kanë mbetur 3 kompani me renome botërore. Në fund të janarit do të pranohen propozimet finale teknike dhe komerciale nga kompanitë, kurse në muajin shkurt do të përzgjedhet kompania fituese e cila do të ndërtojë dhe konstruktojë Termocentralin, ka thënë Haider.

“Ne jemi të sigurt se mund të startojmë me punët ndërtuese në muajin qershor, por në mars do të fillojnë të gjitha punimet para-ndërtimore”, tha ai.

E ministri i Financave Bedri Hamza, duke e pasur për bazë kompleksitetin e ligjit të Kosovës sa i përket borxhit publik, prej ministrisë së zhvillimit ekonomik pret që me kohë të prezantohet se cili do të jetë niveli i garancive që Kosova si shtet është e detyruar të ofrojë.

“Cili do të jetë tipi i garancive, çfarë garancish, kohëzgjatja e këtyre garancive, e implikon edhe këtë pjesën tjetër sa i përket ndihmës shtetërore”, tha Hamza.

Ministri Hamza tha se garancitë shtetërore trajtohen si borxh dhe se çdo borxh publik i jashtëm kërkon ratifikimin me 2/3 të votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurse ministri Lluka tha se në lidhje me garancinë shtetërore, tash është kontraktuar një ekspert për hartimin e një studimi rreth borxhit publik.

“Besojmë se brenda dy muajsh do të vije një studim që saktëson pjesën e borxhit publik që do ta merë pjesa e Kosovës. Presim që do të jetë diku rreth 350 milionë euro, si total si garanci shtetërore që duhet të sillet për të gjithë projektin, mirëpo prapë studimi në fund do të sjellë fjalën finale”, tha Lluka.

E kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh krenar me projektin për të cilin tha se kanë kontribuar edhe qeveritë e mëparshme.

“Ne jemi krenar për këtë investim, është investimi më i madh i pasluftës, është investimi më i madh i pasluftës. Dhe unë duke iu kontribuar të gjithë që kanë kontribuar që të vijmë te kjo ditë. Ju ftoj edhe juve që të ecim në etapa të ardhshme”, tha Haradinaj.

Kostoja e projektit pritet të jetë deri 1.4 miliardë euro. Contour Global ka rreth 400 milionë euro mjete, kurse pjesa tjetër thotë se i ka siguruar nga burimet e tjera.

*

Synohet privatizimi i Telekomit

Qeveria e Kosovës  ka vendosur për ti filluar përgatitjet për privatizimin e Telekomit të Kosovës. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se ka kërkuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të ndihmojë Qeverinë në ristrukturimin e Telekomit, me qëllim të përmirësimit të performancës së kësaj ndërmarrje.

“Më 18 tetor 2018 kam pranuar një shkresë nga zyra e BERZH në të cilën shprehet gatishmëria e tyre për të ofruar një kredi deri 25 milionë euro si dhe hartimin e një dokumenti mbi hapat që duhet të ndjekë qeveria e Kosovës për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje”, tha LLuka.

Lluka tha se ka interesim nga të paktën katër kompani nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të, për marrjen pjesërisht ose në tërësi në pronësi Telekomin e Kosovës. Qeveria miratoi edhe marrëveshjen me Shqipërinë për heqjen e kontrollove në kufirin e përbashkët  Kosovë Shqipëri. Qeveria ka ndarë edhe 35 mijë euro për klubin e prodhuesve e cila do të nis fushatën për promovimin e produkteve vendore.

*

Thaçi: Ua kemi borxh një marrëveshje të paqes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se një marrëveshje të paqes me Serbinë ua kanë borxh gjeneratave të reja. Ai ka folur në RTK nga Davos, ku merrte pjesë në forum. Thaçi ka thënë se nuk e harrojmë të kaluarën, por duhet të mendojmë për të ardhmen. 

"Unë shoh me shpresë dhe optimizëm se gjërat do të shkojnë në drejtim të duhur, do të shkojnë drejt një vazhdimësie të dialogut mes shtetit tonë dhe Serbisë. Është inkurajuese konfirmimi i takimit të Delegacionit shtetëror dhe të autoriteteve të BE-së për të martën e ardhshme në Bruksel. Mendoj se ky është një hap serioz dhe ky delegacion do ta ketë mbështetjen time të plotë. Unë shpresoj dhe punoj që të arrihet marrëveshje në të ardhmen jo të largët mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje kjo gjithëpërfshirëse, që do të përfundojë me ulëse në OKB të Kosovës dhe me njohje të Kosovës nga Serbia", ka thënë ai.

"Mendoj që pastaj do të hapen mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, për sjelljen e investitorëve të fuqishëm dhe serioz nga bota në Kosovë, sepse do të vazhdojmë për të krijuar një klimë edhe më të mirë për investime, legjislacion edhe më të sigurt", tha Thaçi.  

Presidenti ka theksuar se asnjë rrethanë s'duhet të cenohen raportet me SHBA-në dhe BE-në. Sipas tij, Kosova s'ka alternativë tjetër pos të ardhmes euro-atlantike. 

*

Haradinaj thotë se taksa 100% mund të mbetet përherë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa 100% ndaj Serbisë mund të mbetet përgjithmonë. As takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett për këtë temë, nuk e ka bindur Haradinajn për tërheqjen e vendimit të tij.

"Ne kemi dëshirë edhe synojmë sa më shpejt me e heq taksën, e kishim hequr sot, ju siguroj sikur të kishim një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke. Pra, vendimi I taksës nuk është marrë në konsult me askënd, është vetëm i Kosovës, mund të mbetet përgjithmonë”, tha kryeministri.

Në takim ka qenë edhe krye-parlamentari Kadri Veseli, i cili në një postim në “Facebook” ka shkruar se vendimet e institucioneve të Kosovës për procese të rëndësishme do të jenë në interes të qytetarëve dhe në koordinim të plotë me SHBA-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

*

Pranimi i dokumenteve dhe heqja e vizave nga Bosnja, kusht për taksën 100%

Një delegacion nga Kosova ka qëndruar në Bosnjë-Hercegovinë, pas kërkesës së kësaj të fundit për të biseduar për mundësinë e largimit të taksës nga ana e Kosovës. Ndihmës-ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë dhe Hercegovinës, Mithat Saliq, ka deklaruar se pasi kanë parë se nuk mund të arrihet deri te heqja e pakusht e taksës për Bosnjën, kanë propozuar që Kosova të suspendojë për gjashtë muaj taksën 100 për qind për mallrat nga BeH dhe ndërkohë që institucionet përgjegjëse të bisedojnë për çështje kontestuese. Ky propozim nuk u pranua nga pala kosovare.

Durim Limaj, shefi i Kabinetit i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë ndërkaq ka propozuar si pikë të parë njohjen nga Bosnja e pasaportave të Kosovës, njohjen e targave, heqjen e vizave si dhe njohjen e certifikatave të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Pala boshnjake ka qenë e interesuar të dijë se cila mund të ishte mënyra më e shpejtë të hiqet kjo taksë, ndërsa Limaj ka thënë se taksa hiqet brenda orës nëse e njohin Republikën e Kosovës si shtet.

Por të dyja palët janë pajtuar se situata politike në Bosnjë e Hercegovinë është shumë e komplikuar që të realizohet kjo gjë.

*

Kryeministri Haradinaj ndjehet komod në pozitën e tij

Megjithë zhvillimet e fundit, përkatësisht presionet e BE-së dhe të SHBA-së për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë e Bosnjë e Hercegovinës, sipas kryeministrit Haradinaj nuk ka dobësim të koalicionit.

“Veç po bëhet më i fortë koalicioni. Koalicioni rrezikohet mos me pas sukses kompania këtu, mos me ndodhë puna, mos me ndodhë zhvillimi. Përderisa fokusohemi në punë, edhe ajo që kemi deklaruar që ky vit është vit i ekonomisë është shumë me rëndësi”, tha ai.

E në lidhje me grevën e vazhdueshme të sektorit të Edukimit, kryeministri Haradinaj tha se qeveria e ka kryer me përgjegjësi detyrën e vet.

“Me sinqeritetin më të madh, e nuk di si të jap përgjigje tjetër, tani është vendimi tek sindikata, tek këshilli i grevistëve, e vërteta është që orët duhet të kompensohen”, tha Haradinaj.

Kurse për kërkesën e PSD-së për shkarkimin e ministrit të bujqësisë Nenad Rikallo, Haradinaj tha se kërkesat e PSD-së janë legjitime dh do ti respektojë. Këto komente kryeministri i bëri gjatë vizitës në ndërmarrjen “Fox Marble”, që përpunon dhe eksporton mermer. Kjo kompani vitin e kaluar ka pasur qarkullim vjetor prej rreth 1,2 milion eurosh dhe pjesën më të madhe të prodhimit e ka eksportuar.

*

Negociatat në fazën fillestare 

Numër i madh i shteteve të BE-së dhe ShBA presin, që një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti. Megjithatë, bashkë-kryesuesi i negociatave me palën serbe, Shpend Ahmeti konsideron se këto bisedime janë në fazën fillestare, meqë sipas tij, ende nuk ka asnjë dakordim të arritur mes dy palëve. Ai shtoi se nuk do të bëjnë asnjë marrëveshje që do të ishte e dëmshme për Kosovën, edhe nëse Serbia premton njohje.

Ndërkaq, duke folur për taksën prej 100 përqind të vendosur nga qeveria ndaj mallërave serbe, Ahmeti u shpreh se kjo taksë nuk duhet të hiqet.

Ahmeti foli edhe për kundër-kandidatin e tij në zgjedhjet e fundit lokale, Arban Abrashi nga LDK me ç’rast tha se ai ka humbur dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese do tu japë fund spekulimeve.

*

Ligji për ndërmjetësim, alternativë e gjykatave

Ligji për ndërmjetësim do të zvogëlojë numrin e lëndëve nëpër gjykata. Kështu ka thënë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, gjatë lansimit të projektit ‘Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi dhe Reformës së Sundimit të Ligjit”.

"Këshilli Gjyqësor i Kosovës mirëpret bashkëpunimin me UNDP-në dhe ambasadën norvegjeze, për të punuar ngushtë gjatë muajve në vijim, në arritjen e rezultateve të reja në fushën e sundimit të ligjit”, tha Idrizi.

E kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka treguar veprimet që kanë ndërmarrë pas hyrjes në fuqi të ligjit për ndërmjetësim.

"Pas hyrjes në fuqi të ligjit bazik për ndërmjetësim si Këshill kemi bërë hapat konkret dhe jemi takuar me përfaqësuesit e UNDP-së, kemi caktuar një prokuror nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, i cili ka pasur për obligim të organizojë tryeza të përbashkëta në disa rajone të Kosovës, me qëllim të vetëdijesimit të prokurorëve e gjyqtarëve”, tha Hyseni.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo është shprehur se muajt në vazhdim do të punojnë për të bërë progres në ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit.

*

Majlinda e fillon vitin me medalje të artë 

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi në mënyrën më të mirë të mundshme e ka nisur vitin 2019. Ajo ka fituar medaljen e artë në turneun e xhudos Grand Prix që u mbajt në Tel-Aviv të Izraelit. Xhudistja pejane në finalen e madhe të këtij evenimenti, e mposhti me Ippon, xhudisten vendase Gili Cohen. Majlinda ka treguar performancë të madh në këtë turne që nga dueli i parë, dhe më plot meritë në fund iu gëzua medaljes se artë. Me medaljen e artë ajo shtoi në llogarinë e saj edhe 700 pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokyo 2020

Driton Kuka, trajner i Majlinda Kelmendit është shprehur i ngazëllyer me performancën e saj.

“E arta e Kombit! Grand Prix Tel-Aviv një finale e çmendur e Majlindes! I lumtur shumë me performansën e saj”, nënvizon ai. 

Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI



Lajme të ngjashme