Songul Ozan, ambasadorja e porsaemëruar e Turqisë në Mal të Zi

Në takimin e shefit te diplomacisë malazeze, Srgjan Darmanoviq me ambasadores se porsaemëruar të Turqisë, Songul Ozan janë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë.

Srgjan Darmanoviq_Songül Özan.jpg
tika-dan karadağ-daki bijelo polje kültür merkezine donanım desteği.jpg
Karadağ ücretsiz yemek2.jpg
Karadağ ücretsiz yemek.jpg
Viyana turizm fuaronda Ülgün_Ulqin tanıtımı.jpg
Karadağ_Ülgün_Ulqin_zeytinlikler.jpg

Songul Ozan emërohet Ambasadore e Turqisë në Mal të Zi

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq ka pritur në një takim Ambasadoren e porsaemëruar të Republikës së Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan. Ministri Darmanoviq i uroi mision të suksesshëm diplomatik, duke veçuar marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira midis Malit të Zi dhe Turqisë. Ai i ka vlerësuar lartë përkrahjen që Turqia i ka dhënë Malit të Zi në anëtarësimin në NATO, si dhe ndihmesën e madhe që jep TIKA, e cila ka realizuar një mori projektesh në fusha të ndryshme në mbarë Malin e Zi. Nga ana tjetër Ambasadorja Ozan ka shprehur kënaqësinë e saj në marrëdhëniet partnere midis Malit të Zi dhe Republikës së Turqisë dhe theksoi gatishmërinë që gjatë mandatit do të angazhohet në avancimin e këtyre marrëdhënieve duke u fokusuar në lëmin e turizmit dhe bashkëpunimit ekonomik. Po ashtu bashkëbiseduesit kanë përshëndetur aktivitetet e qendrës kulturore turke “Yunus Emre” në Podgoricë. Të theksojmë se Ambasadorja Songul Ozan vjen në Mal të Zi, pas punës disavjeçare dhe mjaft të suksesshme të Ambasadorit Serhat Galip, i cili vlerësohet lartë për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Malit të Zi dhe që për angazhim të veçantë në prag të përfundimit të misionit të tij diplomatik u dekorua me mirënjohje të veçantë nga presidenti i malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Mali i Zi vend ideal për investitorët nga Turqia. Për një dekadë mbi 130 milion euro investime në Mal të Zi 

“Investitorët NGA Turqia vështirë se mund të gjejnë një destinacion më të mirë për zgjerimin e bizneseve të tyre se në Mal të Zi”, ka thënë Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq në një intervistë dhënë gazetarit turk dhe drejtor i televizionit turk dhe revistës “Turkomn”, Kazim Kilinç. Kryeministri ka nënvizuar që interesimi i kompanive turke për të investuar në Mal të Zi është gjithnjë e më i madh dhe se nuk ka ditë që dikaster të rëndësishëm ekonomik mos të takohen me investitorë potencialë nga Turqia që tregojnë interesim për të investuar. Po ashtu kryeministri ka thënë se Turqia është partner i rëndësishëm ekonomik i Malit të Zi me investime rreth 130 milionë euro në dekadën e fundit. Markoviq investitorëve u ka thënë se Mali i Zi është destinacion prestigjoz me rritje nga dita në ditë, veçmas pas anëtarësimit në NATO. Klima investuese në Mal të Zi për investitorët turq ishte temë e emisionit të transmetuar “Tregu global”, ku gazetari Kilinç, përveç kryeministrit bisedoi edhe me afaristë të njohur nga Turqia që punojnë dhe zhvillojnë bizneset e tyre në Mal të Zi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama angazhohet për kufi fluid me Malin e Zi dhe Maqedoninë

Mediat në Mal të Zi i kanë kushtuar vend të veçantë, ceremonisë së zhvilluar, ku është shënuar fillimi i punës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, me ç’rast është thënë se ky është hap shumë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Mediat citojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama të ketë thënë se puna për integrimin e kufijve sipas modelit Shengen ka filluar dhe do të përfundojë shumë shpejt. Ai po ashtu citohet të ketë thënë se në pranverë do të ketë një kufi fluid në mes të dyja vendeve dhe se do të donte që kjo praktikë të ndiqet edhe për Maqedoninë dhe Malin e Zi. Ai tha se nuk ka Shqipëri të madhe, por ka një komb shqiptar. “Ne duam që këtë sistem ta vendosim edhe me Maqedoninë, edhe me Malin e Zi. E derisa marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë janë shembull në rajon, për partitë proserbe në Mal të Zi, propozimi i Kryeministrit Rama është i papranueshëm.

Përgatitje për zgjedhjet lokale në Tuz 

Në Tuz zgjedhjet për Parlamentin lokal do të mbahen më 3 mars të këtij viti. Do të jenë këto zgjedhjet e para pas shpalljes së Tuzit si komunë e pavarur. Ndërkohë subjektet e atjeshme kanë filluar përgatitjet dhe angazhimet e tyre. Tashmë Alternativa Shqiptare dhe Lidhja Demokratike Shqiptare, janë dakorduar që në këto zgjedhje do të dalin në koalicion. Deri vonë është pritur se këtij koalicioni shqiptar do ti bashkohet edhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, por siç duket marrëveshja nuk është arritur. Pritet se çfarë qëndrimi do të marrë Partia Demokratike e Socialistëve, e Presidentit Gjukanoviq dhe Forumi Shqiptar.

Aktivistë dhe bamirës ndihmojnë të vobektit në komunën e Ulqinit

Në fillim të janarit, kur temperaturat gjithnjë e më shumë kanë shënuar rënie një grup të rinjsh entuziastë në komunën e Ulqinit nisën aksionin “Porcion falas”, i cili ka për qëllim që në këto ditë të ftohta dimri t’u vijë në ndihmë të vobektëve dhe skamnorëve duke i siguruar një porcion ushqimi. Në ditët e para falë mbështetjes se bamirëseve u siguruan vetëm disa racione, ndërkohe që sot ushqimi falas ofrohet për një numër të konsideruar të personave në nevojë. I tërë ky aktivitet mbështetet nga donatorë të ndryshëm. Përveç ushqimit vullnetarët ndihmojnë të vobektit edhe me dru zjarri. Ata thonë se nisur nga situata në terren, gjithnjë e më shume është kërkesë e kohës hapja e një kuzhine, ku do të ushqeheshin të vobektit. Të shtojmë se në disa qytete të Malit te Zi, veprojnë kuzhina ku njerëzve në nevojë u ofrohet ushqime falas.

Ulqini dhe resurset turistike të tij prezantohen në panairet e turizmit 

Organizata turistike e Ulqinit, komuna dhe një grup afaristësh bënë prezantimin e resurseve turistike të qytetit në panairin tradicional të turizmit në Vjenë të Austrisë. Pjesëmarrësit e panairit thanë se ai do të shërbejë si një mundësi e mirë për turizmin e Ulqinit, i cili po njeh ngritje nga viti në vit. Në Vjenë kryetari i Ulqinit Loro Nrekiqi dhe Drejtori i Organizatës Turistike Fatmir Gjeka, patën një sërë takimesh me personalitete të ndryshme të Vjenës dhe atë kur kemi parasysh dhe binjakëzimin që Ulqini ka me Distriktin e 23-të të Vjenës. Gjatë qëndrimit atje, ata u takuan dhe me Ambasadorin e Malit të Zi në Vjenë, Zhelko Peroviq. Përndryshe gjatë muajit janar dhe në vazhdim Organizata Turistike e Ulqinit merr pjesë rregullisht në panairet e shumta ndërkombëtare që realizohen në qendra të ndryshme.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme