Cipras merr mbështetjen e shumicës në Parlament

Parlamenti grek dje i dha votëbesimin qeverisë së Kryeministrit Aleksis Cipras.

Cipras merr mbështetjen e shumicës në Parlament

Qeveria greke e udhëhequr nga Kryeministri Aleksis Cipras mori votëbesimin.

Pas ndarjes së partnerit të koalicionit, Parlamenti i Greqisë mori në shqyrtim kërkesën e SYRIZA-së për votëbesim.

Cipras mori 151 vota të Parlamentit me 300 karrige dhe kështu fitoi votëbesimin.

Ndërkohë që gjatë votimit 148 deputetë votuan kundër, një prej tyre nuk mori pjesë në votim.

Krahas 145 deputetëve të SYRIZA-s, Cipras gjatë votimit u mbështet nga 4 deputetë të Partisë së Grekëve të Pavarur (ANEL), që ka qenë partnere e koalicionit qeverisës, 1 deputet i pavarur dhe 1 deputet i Partisë Potami e qendrës së djathtë.

Kryetari i Partisë ANEL, Kammenos, i cili dha dorëheqje nga posti i ministrit të Mbrotjes, u largua nga qeveria duke e paraqitur si arsyetim marrëveshjen e arritur me Maqedoninë, ndërsa pas kësaj kërkoi të mbahet votimi për votëbesim ndaj Ciprasit.

Sfida më e madhe para shefit të qeverisë greke, Aleksis Cipras, i cili fitoi të drejtën për të udhëhequr me qeverinë greke deri në skadimin e mandatit të tij në tetor të këtij viti, tani është Marrëveshja e Prespës për zgjidhjen e problemit të emrit me Maqedoninë.

Pritet që pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese nga Parlamenti i Maqedonisë, edhe Parlamenti i Greqisë ta miratojë këtë marrëveshje.

Është e nevojshme që Greqia pas miratimit të ndryshimeve me të cilat emri i vendit fqinj ndryshohet në “Maqedonia e Veriut”, të heq veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Edhe pse shumica e vendeve me në krye Turqinë e kanë njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues si “Republika e Maqedonisë”, Greqia kërkonte nga ky vend ndryshimin e emrit me arsyetim se brenda kufijve të saj ndodhet një zonë me emër të njëjtë.

Për shkak të problemit me emrin që vazhdonte me fqinjin e saj jugor Greqinë prej vitit 1991 e këtej kur Maqedonia shpalli pavarësinë e saj, ajo nuk mund të anëtarësohet në BE dhe NATO.

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë konferencës për shtyp të organizuar pas takimit më 12 qershor 2018 deklaruan se kanë arritur në marrëveshje mbi emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa marrëveshja u nënshkrua më 17 qershor 2018 nga përfaqësuesit e qeverive të dy vendeve.

Pritet që “Republika e Maqedonisë së Veriut” të bëhet anëtare e 30-të e NATO-së pas përmbushjes së dispozitave që zënë vend në marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë.



Lajme të ngjashme