Presidenti dhe kryeministri i Kosovës u japin mbështetje ish-komandantëve të UÇK-së

Ish komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa -Remi janë nisur për në Hagë nga Aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku do të intervistohen nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës u japin mbështetje ish-komandantëve të UÇK-së

Ish komandantët e UÇK-së, Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa do të intervistohen nga Gjykata Speciale. Këta të dy të dielën janë nisur për në Hagë nga Aeroporti i Prishtinës. I pari që do të intervistohet nga Prokuroria Speciale, është Rrustem Berisha, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për Zonën Operative të Llapit. Ai para nisjes, ka dhënë përgjigje të shkurta për gazetarët.

“Unë po shkoj tí përgjigjem normalisht drejtësisë”, ka thënë ai.

Komandant Rremi ka thënë se ndihet i pafajshëm.

“Normalisht që ne jemi të pafajshëm”, tha ai.

Kurse sa i përket ftesave, ai ka thënë se ato janë normale.

“Ftesat janë normale, pas gjithë propagandës edhe raportit të Dik Martit që ka dalë, janë ftesa normale”, tha ai.

Komandant Rremi tha së në ftesë i shkruan se është dëshmitar i dyshuar. E komandanti tjetër i UÇK-së, Sami Lushtaku nuk e dinte se në çfarë cilësie ishte ftuar për intervistë. Edhe avokati i tij, Arianit Koci, nuk tregoi nëse Lushtaku është ftuar për intervistë si dëshmitarë apo si i akuzuar.

“Mirë po shkojnë, mirë do të kthehemi. Zotëri Lushtaku fluturoi tash, ai do të intervistohet me 16 janar, dhe këtë kohë e ka shfrytëzuar për një vizitë familjare. Ndërsa zotëri Mustafa Mustafa do të intervistohet më 14 janar. Data për zotëri Lushtakun është shtyrë, për shkak se të dytë e kanë pasur të njëjtin avokat dhe është dashur të koordinohet koha”, tha Koci.

Në mbështetje të Lushtakut, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, dolën deputetë të Kuvendit dhe familjarë të tij.

*

Thaçi takoi Lushtakun dhe Mustafën para se të nisen në Hagë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka takuar dy komandantët të cilët të dielën janë nisur për në Hagë. Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka besim të plotë në pastërtinë e luftës së UCK-së.

“Jam i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen, as nga drejtësia vendore, e as nga ajo ndërkombëtare: si vrasja nga shteti serb e 13,500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20 mijë grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve.

Por, e them me bindje të plotë se krimet nuk vjetrohen dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.

Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi.

Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës.

Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

*

Haradinaj vizitoi Lushtakun e Mustafën, para nisjes së tyre për në Hagë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka vizituar të dielën dy ish-bashkëluftëtarë të tij, të cilët janë thirrur për intervistë nga Gjykata Speciale në Hagë. Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë e pastër dhe e shenjtë.

“Sot, kam vizituar dy komandantët e UÇK-së, Sami Lushtakun dhe Rrustem Mustafën. Se lufta jonë çlirimtare ishte e pastër dhe e shenjtë do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë! Së bashku do të dalim faqebardhë edhe në këtë sfidë!”, ka shkruar Hardinaj. 

*

Avokati i famshëm i Sami Lushtakut

Geoffrey Nice, prokurori që ishte bërë i famshëm në Hagë në betejën e tij ndaj Sllobodan Millosheviqit, është avokat i Sami Lushtakut në Hagë. Ai ka kërkuar nga ekipi kosovar që të paguhet 2 mijë e 200 euro për një ditë, duke shtuar këtu edhe biletën e udhëtimit.

Goeffrey Nice, tash e tutje do të jetë në ekipin kosovarë dhe jo vetëm në mbrojtjen e Lushtakut. Këtë e ka konfirmuar edhe Driton Laçji që drejton zyrën e të akuzuarve potencial.

“Geoffrey Nice, është i angazhuar tash që të jetë pjesë e mbrojtjes së komandantin të Zonës së Drenicës, z. Sami Lushtaku”, ka thënë Lajçi në një intervistë të shkurtër për T7.

Sa i përket financave për të paguar një avokat siç është Nice, kjo bëhet me paratë e buxhetit të shtetit.

*

Selimi ironizon me ata që e votuan krijimin e Gjykatës Speciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka reaguar pas nisjes për në Hagë të Sami Lushtakut e Rrustem Mustafës. Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ai ka publikuar një fotografi ku shihet votimi i 82 deputetëve pro Gjykatës Speciale në vitin 2015.

Në mbishkrimin e kësaj fotografie, Selimi i ka pyetur këta deputet.

“Çka keni për të thënë sot ju 82 deputetët që e votuat Specialen më 3 gusht 2015?

p.s. Sami e Rem – dalshi e ardhshi faqebardhë!”, ka shkruar Selimi. 

*

Sistemi arsimor në grevë, kërkojnë paga më të larta

Nga e hëna më 14 janar, me ftesë së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës SBASHK, i gjithë sistemi arsimorë në Kosovë është në grevë. Kryetari i Sindikatës në fjalë Rrahman Jashari, tha se greva është e përgjithshme dhe në afat të pa caktuar, përderisa të rritet koeficienti për së paku 30 për qind për punëtorët arsimor. Ai thotë se përderisa qeveria ka gjetur mjetë për rritjen e pagave të tyre dhe të institucioneve tjera, duhet të gjejë mjete edhe për sektorin e arsimit:

“Shteti ynë duhet të gjejë mjete edhe për sektorin më të rëndësishëm dhe ti përmirësojë koeficientet. Ne nuk po kërkojmë as më pak e as më shumë se të tjerët, po kërkojmë vend meritor dhe të dinjitetshëm në projektligjin e pagave”, tha ai.

Kryetari SBASHK-ut, Rrahman Jashari tha se mësimdhënësve iu bë e pa drejtë, me koeficientin që iu nda në projektligjin për pagat. Ai tha se në grevë u detyruan të hyjnë në mungesë të gatishmërisë për t’u arritur marrëveshje në tavolinë. Gjatë kohës sa do të vazhdoj greva, mësimdhënësit do të jenë në punë, çdo ditë, nga ora 9:00 deri në 12:00.

*

Deputeti i VV-së thotë se kryeministri duhet t’ia zvogëlojë pagën vetes, ose t’ua rris mësuesve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka reaguar pas vendimit për grevë të përgjithshme në sistemin arsimor.

“Ramushi ose duhet t’ia zvogëlojë pagën vetes, kabinetit dhe qeverisë së tij, ose duhet t’ua rrisë pagat edhe mjekëve, mësuesve e të tjerëve”, ka shkruar Aliu në Facebook. 

Njëjtë ka reaguar edhe deputetja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

“Në një vend ku numri i ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve, nuk ka tavan dhe ku paga e një këshilltari është disa fish më e lartë se e punëtorëve shëndetësor dhe në këtë rast edhe punëtorëve të arsimit, pakënaqësitë vetëm sa vijnë e shtohen. Një Qeverie që nuk e qan kokën për dinjitetin dhe mirëqenien e mjekut, mësuesit por vetëm ka hallin e interesit personal, duhet përgjigjur me grevë!”, ka shkruar ajo.

*

Kryetari i LDK-së pyet qeverinë se a po ushtrohet sovranitet në 10%-in e territorit

Kryetari I LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e Kosovës s’po i shpallë zgjedhjet e reja dhe po e lë  pjesën e veriut jashtë ligjit. Ka thënë se një situatë e tillë po lihet qëllimshëm për të përgatitur pazare territoriale me Serbinë.

“Konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, frikësohem se është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”, ka shkruar ai në Facebook.

Ish-Shefi i qeverisë ka thënë se mungesa e komunikimit të komunave me institucionet qendrore përbën shkelje ligjore e kushtetuese.

“Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprenë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore)”, ka shtuar ai.

Lideri i LDK’së ka pyetur Qeverinë nëse këto komuna po vazhdojnë të financohen nga Qeveria, kush po i mbikëqyr si dhe si po funksionojnë prokuroritë e gjykatat në Veri.

“Pse nuk po shpallen zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave”’, ka pyetur Shefi i LDK’së.

Mustafa ka thënë se arsyetimi i Qeverisë se komunat nuk iu kanë referuar Kosovës si Republikë nuk është arsyetim për mos t’u shpallur zgjedhjet e reja.

“Arsyetimi se kryetarët e këtyre komunave iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës me Kosovë e Metohi, nuk justifikon heshtjen e Qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse. Në të kundërtën, ata do të duhej të shkarkohen për faktin se nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave. Në këtë rast institucionet po e shkelin ligji.”, ka shtuar ai.

*

Haradinaj sërish fton LDK-në dhe VV-në ti bashkohen ekipit negociator

Kryeministri Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje sërish LDK-së dhe Vetëvendosjes që t`i bashkohen ekipit shtetëror në negociata me Serbinë. Pas mbledhjes së qeverisë, ai ka thënë se integrimi i dy subjekteve opozitare, do ta fuqizonte edhe më tej pozicionin e Kosovës në procesin përfundimtar të dialogut me Serbinë. Haradinaj ka folur edhe për takës 100%. Pavarësisht kërkesave nga BE-ja për heqjen e taksës për produktet serbe dhe kushtëzimit të Beogradit për vazhdimin e dialogut, kryeministri Haradinaj mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij. Ai theksoi se vendimi për taksën 100% mund të shfuqizohet vetëm më njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Kabineti qeveritar shqyrtoi edhe propozim-vendimin për lirimin nga taksa 100 për qind, për mallrat që janë importuar para hyrjes në fuqi të kësaj takse. Përveç shqyrtimit të disa projektligjeve, qeveria gjithashtu emëroi Eset Berishën, drejtor të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, me mandat 5 vjeçar.

*

Haradinaj e ka prioritet zhvillimin e ekonomisë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar Ministrinë e Inovacionit, ku është pritur nga ministri Besim Beqaj. Aty, kryeministri tha se prioritet i qeverisë për këtë vit është zhvillimi i ekonomik dhe kjo ministri, ka rol kyç në këtë fushë. Ai theksoi se Ministria e Inovacionit ka arritur të jetë partner i bizneseve inovative. Haradinaj tha se në sport janë arritur nivelet botërore, duke shpresuar që edhe me kompani të tjera të arrihen trende të tilla. Ai theksoi se Kosova eksporton 30 milionë euro shërbime inovative. E ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha se vizita e kryeministrit është një ndihmesë për ministrinë që ka rol kaq të rëndësishëm për Kosovën. Ai tha se kanë biseduar për rritjen ekonomike të shpallur nga kryeministri dhe për bashkërendimin e aktiviteteve.



Lajme të ngjashme