Shqipëri - Ende i padekretuar ministri i Jashtëm

Kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e disa ministrave të rinj të kabinetit qeveritar të Shqipërisë të propozuar nga kryeministri Edi Rama, por nuk ka dekretuar ende ministrin i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Arnavutluk_Gent Caka.jpg
Arnavutluk Futbol Federasyonu (FSHF) Başkanı Armand Duka.jpg
Arnavutluk_Türkiye futbol maçı.jpg
İşkodra Valisi Çesk Millja_Yunus Emre ziyareti_1.jpg
İşkodra Valisi Çesk Millja_Yunus Emre ziyareti_3.jpg

-Presidenti i Shqipërisë dekreton emërimin e disa ministrave

Kreu i shteti shqiptar, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e disa ministrave të rinj të kabinetit qeveritar të Shqipërisë të propozuar nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa ende nuk ka dekretuar propozimin për ministrin i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë ka njoftuar se në postin e ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sportit është emëruar Besa Shahini, në vend të Lindita Nikollës, që është shkarkuar.

Presidenti Meta ka dekretuar emërimin Anila Denaj në postin e ministres së Financave dhe të Ekonomisë, në vend të Arben Ahmetajt që është shkarkuar, ndërsa në postin e ministres së Kulturës është ëmëruar Elva Margariti, në vend të Mirela Kumbaro, e cila po ashtu është shkarkuar më parë.

Belinda Balluku është emëruar në postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në vend të Damian Gjiknurit, i cili tashmë është shkarkuar.

Gent Caka që është nga Kosova, është propozuar si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, post që e mban aktualisht Ditmir Bushati që nuk ka dekret për shkarkimin e tij, ndërsa ende nuk ka dekret edhe për emërimin e kryediplomatit të ri të Shqipërisë të propozuar nga kryeministri Rama.

Presidenti Meta dekretoi disa ditë më parë emërimin e zëvendëskryeministrit të ri, Erion Braçe, post që e mbante Senida Mesi. Gjithashtu Meta në postin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dekretoi Bledi Çuçi, në vend të Niko Peleshit. Eduard Shalsi është emëruar ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, post të cilin e mbante Sonila Qato. Gjithashtu Meta më parë ka dekretuar edhe emërimin e ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, e cila do të jetë Elisa Spiropali.

Dekretet për emërimin dhe shkarkimin e ministrave pritet të votohen në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa pas betimit në Presidencën e Shqipërisë ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.

***

-Dialogu Kosovë-Serbi, t’i shërbejë të ardhmes evropiane të të dy shteteve

Dialogu Kosovë-Serbi duhet t’i shërbejë të ardhmes evropiane të të dy vendeve dhe konsolidimit të bashkëjetesës e paqes në rajon.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur në një takim liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona në interes të përbashkët dhe të forcimit të perspektivës evropiane jo vetëm të Shqipërisë e të Kosovës, por të gjithë rajonit tonë ishte temë kryesore, thekson Presidenti Meta.

Në këtë drejtim, shton ai, “theksova rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi që t’i shërbejë të ardhmes evropiane të të dy vendeve dhe konsolidimit të bashkëjetesës e paqes në rajon”.

Meta vlerësoi se, “Vetëvendosja si forcë kryesore politike duhet të luajë rol të rëndësishëm për forcimin e shtetit të Kosovës dhe arritjen e konsensusit të plotë për një dialog të suksesshëm dhe të qëndrueshëm me Serbinë”.

***

-Viti i NATO-s në Kosovë, Kryeminstri Rama: Le ta kulmojmë me ditën e kufirit “Shengen” 

Shpallja e vitit 2019- si vitit i NATO-s në Kosovë është përshëndetur nga kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri Rama e ka cilësuar idenë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi si një ide mjaft e mirë, e cila përkon edhe me 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

E përshëndes idenë e goditur të Hashim Thaçit për shpalljen e Vitit të NATO-s, 20 vjet pas ndërhyrjes historike të Aleancës në Kosovë. Ky vit përkon me 10-të vjetorin e Shqipërisë në NATO. Le ta bëjmë ditën e kufirit “Shengen” në Morinë një moment kulmor të këtij Viti të NATO-s”, thotë kryeministri Rama.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e shpalli 2019-ën, Vit të NATO-s, datë e cila përkon me 20-të vjetorin e ndërhyrjes së kësaj organizate në Kosovë, duke i dhënë fund gjenocidit serb mbi popullin e Kosovës.

***

-Dolën nga shtypi katër botimet e reja të Fondacionit “ALSAR”

Dolën nga shtypi katër botimet e reja të Fondacionit “ALSAR”, në vijimësi të përpjekjeve të tij modeste për pasurimin kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare, si dhe për lënien e një trashëgimie të rëndësishme për brezat që do të vijnë.

Titujt e materialeve të botuar janë si vijon:

1. “Mendimi politik dhe shoqëror në Lindjen e Mesme bashkëkohore”

2. Kumtesat e ceremonisë së promovimit të “Kalendarit Kombiar” të mbajtur në Prishtinë

3. “Maqedonia 1900”

4. Kumtesat e simpoziumit “Marrëdhëniet shqiptaro-turke”.

***

-Prefekti i Qarkut Shkodër vizitë në institutin turk “Yunus Emre”

Prefekti i Qarkut Shkodër, Çesk Millja dhe drejtori i Qendrës së Koordinimit të Emergjencave, pranë Prefekturës Shkodër, Pëllumb Dani zhvilluan një vizitë kortezie në institutin turk “Yunus Emre”, të cilët u pritën nga drejtori Zafer Kiyici.

Z. Kiyici e njohu përfaqësuesin e qeverisë shqiptare për qarkun Shkodër me veprimtaritë kulturore dhe artistike që zhvillon qendra turke, të cilat përveç se ofrojnë një kontribut të gjithanshëm për qytetarët shkodranë dhe jo vetëm, por edhe forcojnë gjithnjë e më tepër lidhjet historike shekullore midis dy popujve miq e vëlllezër, shqiptaro-turke.

Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja shprehu kënaqësinë dhe falënderimin e tij për institutin “Yunus Emre”, i cili po i dhuron qytetit të Shkodrës e më tej veprimtari të dobishme në aspekt të kulturës e  gjuhës turke si dhe për mësimin e artizanatit të llollojshëm.

Gjatë takimit u bisedua edhe mbi mundësitë e bashkëpunimit bilateral midis dy institucioneve.

***

-Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka vlerëson zhvillimet e futbollit në Turqi

Shqipëria për sa i përket futbollit vazhdon të synojë kualifikimet në kompeticionet e rëndësishme botërore dhe evropiane, ndërsa në fokus është edhe zhvillimi dhe përmirësimi i infrastrukturës. Në vitet e fundit Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll është përballur me shumë sfida dhe rezultate të ndryshme në favor dhe jo në favor të saj, ndërsa për vitin 2019, e presin sfida të reja, sidomos ndeshjet e fazës eliminatore të "EURO 2020".

Në një intervistë mediatike presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, flet për ndeshjet e fazës eliminatore të "EURO 2020", bashkëpunimin mes federatave të Ballkanit, për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci, vlerësimet për Turqinë, si dhe projektet e mandatit të tij në krye të FSHF-së.

Duka, i cili e mban postin e kreut të FSHF-së që nga viti 2002, për grupet e fazës eliminatore për "EURO 2020" shprehet se janë në një lloj mënyre të baraspeshuara nga vetë procedura që ka shorti, duke ja lënë fushës rezultatet. Ai shton se diferencat e skuadrave sot në Evropë janë zvogëluar shumë dhe nuk është e lehtë të parashikosh rezultatet.

"Grupe të lehta apo shumë të vështira nuk ka. Në grupin tonë (grupi H) kuptohet që Franca është ekip i mirë, jo vetëm se është kampion bote, por ka futbollistë shumë të mirë dhe në gjendje shumë të mirë aktuale, gjithashtu dhe Turqia. Ne mund të arrijmë diçka të mirë kundër të gjitha skuadrave të grupit. Kemi arritur rezultate pozitive dhe negative edhe me Francën, edhe me Turqinë dhe me Islandën. Është një grup i hapur dhe për t'u luajtur me favorit në letër Francën, Turqinë, Islandën dhe pastaj Shqipërinë", thekson kreu i FSHF-së.

Ai në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Turqi, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, që do të luhet në mars të këtij viti  në Shkodër, shprehet se:

"Kanë vlerësimin maksimal të gjithë kundërshtarët, ku çdo ndeshje është e rëndësishme dhe 3 pikët janë njësoj si t'i marrësh me Francën dhe si t’i marrësh me Andorrën, aq më shumë kur t'i marrësh kundër Turqisë, patjetër që duhet të djersitësh shumë, duhet ta vlerësosh dhe punosh shumë. Ne do të luajmë në shtëpi dhe i vetmi objektiv i jonë është që ta fitojmë ndeshjen me Turqinë, pavarësisht se është një kundërshtar për t'u respektuar për nga skuadra që ka, për nga përbërja e futbollistëve dhe gjithçka".

Në lidhje me bashkëpunimin mes federatave të Ballkanit, ai theksoi se kanë një lloj organizimi të federatave rajonale që janë 15 federata, ku bën pjesë edhe Turqia, duke realizuar vazhdimisht takime, shkëmbime eksperiencash dhe propozime konkrete për mbrojtjen e interesave të rajonit qoftë në UEFA dhe FIFA, por gjithashtu vazhdojnë edhe bashkëpunimet sportive.

"Kemi filluar një aktivitet konkret që do të fillojë me moshat U 15 dhe U17, që do të fillojë në Turqi dhe do të jetë i përvitshëm si aktivitet rajonal. Është një lloj kampionati për moshat e reja dhe është një nismë e përbashkët e federatave. Kemi goxha shkëmbime të tjera dhe marrëveshje të përbashkëta për të mbrojtur interesat e rajonit dhe zhvilluar futbollin në rajon.

Me Kosovën ne kemi marrëdhënie shumë të mira, ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyrë reciproke. Pothuajse gjithë trajnerët e Kosovës janë përgatit në Shqipëri, kanë përfunduar kurset në Shqipëri, arbritrat gjithashtu, si dhe kemi dhe shkëmbime eksperiencash", tha Duka.

Duka vlerëson edhe infrastrukturën dhe zhvillimet rreth futbollit në Turqi, duke theksuar se ekipi kombëtar turk meriton më shumë.

Në të gjitha këndvështrimet Turqia është zhvilluar shumë dhe ka një zhvillim të jashtëzakonshëm. Nëse do shikosh infrastrukturën është fantastike në të gjithë Turqinë, për të gjitha klubet turke dhe organizimi gjithashtu. Vetëm nëse shikohen shifrat me të cilat shitet e drejta televizive e kampionatit turk janë rekord në tre vitet e fundit. Ka shumë futbollistë turq që luajnë në ekipe të mira, gjithashtu futbollistë të mirë të Evropës që luajnë Turqi. Ekipi kombëtar turk meriton akoma më shumë në klasifikimet apo paraqitjet ndërkombëtare", u shpreh Duka.

Për fazën eliminatore të Kampionatit Evropian në Futboll "EURO 2020", kombëtarja e Shqipërisë dhe kombëtarja e Turqisë do të jenë në grupin H, së bashku me Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.

Ndeshja e parë të cilën Shqipëria do ta zhvillojë përballë Turqisë, do të luhet më 22 mars 2019 në stadiumin "Loro Boriçi", në qytetin e Shkodrës.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme