Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Viti i Ri në Kosovë fillon me akuza të ndërsjella pozitë-opozitë

Fillimi i Vitit të ri në Kosovë ka qenë i qetë në aspektin e aktiviteteve zyrtare të institucioneve të vendit, por jo i qetë në aspektin e kritikave dhe akuzave të ndërsjella, kryesisht përmes rrjeteve sociale, të liderëve partiakë.

Viti i Ri në Kosovë fillon me akuza të ndërsjella pozitë-opozitë

“Provokatorë, si Serbia si Kadria”, thotë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke e akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselin, se po udhëheq fushatë të ndyrë kundër LDK-së. Në postimin në Facebook Mustafa veç tjerash shkruan:

“Në situatën kur, edhe përkundër diferencave të mëdha të skenës politike, Kosovës i nevojiten përpjekje e brendshme për të gjetur rrugën më të mirë për ta përballuar dialogun me Serbinë, ka filluar një fushatë e ndyrë e udhëhequr nga Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së. Nuk e kanë mirë, sepse nuk mund të kryejnë punë duke e provokuar LDK-në. Më mirë do të ishte që z. Veseli të merret me drejtimin e Kuvendit por edhe me koalicionin qeverisës, sepse problemi është tek ta e jo tek LDK-ja. Ata kanë problem me BE-në dhe me SHBA-të që të përmbushin kushtet për dialog. Ata nuk po munden me e bindë kryeministrin ta bëjë punën e tij në dialog e po merren me LDK-në. Ata veprojnë publikisht me tre platforma për dialog, një të Presidentit, një të Qeverisë dhe një të Komisionit të Kuvendit. Kosovës nuk i nevojitet kurrfarë ekipi i unitetit në kohën kur i ka të gjitha institucionet kushtetuese. Nëse këto institucione janë të paafta, duhet të themelohen institucione tjera përfaqësuese e jo ekipe që u shërbejnë institucioneve pa legjitimitet. LDK e peshon rëndësinë e këtij dialogu dhe përkrahjen nga SHBA dhe BE. Prandaj angazhohet që për këtë dialog të kemi një qeveri që përfaqëson shumicën meritore dhe që ka legjitimitet politik”, ka shkruar Mustafa. 

***

Hoxhaj i reagon Mustafës, kërkon që LDK të mos jete bisht i proceseve politike 

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i është përgjigjur sulmeve të Isa Mustafës së LDK-së që i bëri kundër Partisë Demokratike. Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook tha se asnjëherë nuk është vonë për LDK-në që ta japë kontributin e saj për përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës.

“Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike. Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë. E mbi të gjitha kjo parti herë synon të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane e herë të sillet si ekstreme duke i ngjarë VV-së”, ka shkruar Hoxhaj.

***

Haradinaj thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të vendit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë vit nuk është në interes të vendit. Ai ka thënë se viti 2019 nuk do të jetë i lehtë për Kosovën pasi do të përballet me procesin e dialogut me Serbinë dhe Gjykatën Speciale. Haradinaj ka thënë se partia të cilën e udhëheq, AAK-ja, kurrë nuk ka qenë më e fortë për zgjedhje të reja.

“Si Aleancë besoj se kurrë punët më mirë për zgjedhje nuk i kemi pasur, por nuk e di sa është në interes të vendit shkuarja në zgjedhje të reja në proceset që është Kosova”, ka thënë Haradinaj.

Ai i ka ftuar dy subjektet më të mëdha opozitare, LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që të bashkohen në procesin e dialogut, duke thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga ky proces.

“LDK-ja është mirë të vijë në tavolinë, t’i marrë materialet dhe pastaj të shkojë t’i diskutojë ato me strukturat e partisë dhe në fund le të votojë. Nuk ka rrezik të ndodhë diçka që do t’i mbesë në derë. Mosardhja në tavolinë është frikë, është ikje prej përgjegjësisë. Vetëvendosja ka një pozicion tjetër, por edhe ajo si vëzhguese ka mundësi të vijë”, është shprehur Haradinaj.

Kryeministri ka folur edhe për raportet që Qeveria ka krijuar me PSD-në. Ai ka treguar se do të kishte dëshirë ta përfshinte këtë subjekt politik në Qeveri por, sipas tij, zyrtarët e PSD-së ia kanë bërë të qartë se në këtë mandat nuk do të përfshihen në Qeveri.

***

Kadri Veseli: LDK e VV po frikësohen nga zgjedhjet

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka folur për kërkesën e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje. Por, ka thënë se ato kanë frikë nga zgjedhjet.

“Vetëvendosje, e në mënyrë të veçantë LDK, nuk po bëjnë gjë tjetër pos aspektit deklarativ. Realisht, kanë frikë nga zgjedhjet”, tha ai.

Veseli, për Koha.net, ka folur edhe për idenë e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, ide kjo e cila kohët e fundit, nuk është përmendur nga kreu i shtetit.

***

Hoti i LDK-së tregon kush po frikësohet nga zgjedhjet

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, insiston se në Kosovë duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Hoti, përmes një postimi në Facebook, thotë se dikush po frikësohet nga zgjedhjet, duke iu referuar kështu pozitës.

“Nga zgjedhjet frikësohen ata qe bëjnë një vit përpara fushate, ndërsa kur te vijnë zgjedhjet dorëzohen sepse nuk guxojnë te marrin përgjegjësinë”(siç.), ka shkruar Hoti.

***

Abazi: PDK në rënie frikohet nga zgjedhjet

Boiken Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se Vetëvendosja e LDK-ja, kanë frikë nga zgjedhjet.

“Kadri Veseli paska thënë sot se LV ka frikë nga zgjedhjet, pasi ka parë se në sondazhe PDK ka kaluar në vendin e tretë dhe vazhdon rënien, ndërsa LV vetëm rritet drejt vendit të parë. Veseli, si Thaçi, është gënjeshtra e madhe ndaj popullit. Por populli thotë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, siç del edhe nga sondazhet”, ka shkruar Abazi.

***

Sipas sondazhit, LDK e para, Albin Kurti i pari

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një konference për media, ka prezantuar rezultatet e një anketimi  të realizuar në dhjetor, Albin Kurti ka dalë të jetë lideri më i përshtatshëm për kryeministër të Kosovës. Në bazë të kësaj ankete, në qoftë zgjedhjet se do të mbaheshin tash, LDK do të dilte e para me 27% të votave, pasuar nga VV me 22%, PDK 20%, AAK 12% si dhe NISMA që do e kalonte pragun.

Sipas rezultateve të prezantuara nga nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, afro 20% e të anketuarve preferojnë Kurtin për kryeministër, i cili pasohet nga Kadri Veseli me afro 16%, Ramush Haradinaj me 15% dhe Isa Mustafa me 13%. Në katërshin e fundit radhiten Shpend Ahmeti me 4%,  Fatmir Limaj poashtu 4%, Mimoza Kusari me 2% si dhe krejt në fund Behgjet Pacolli me 1%.

Liderët politikë që janë në krye të dialogut me Serbinë nga qytetarët konsiderohen më së paku të përshtatshëm për të udhëhequr me ekzekutivin.

Sipas Bislimit, ky anketim është realizuar në muajin dhjetor, i kontraqtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe është implementuar nga UBO Consulting.

***

Thaçi uron Eliot Engel për postin e ri

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, e ka uruar Eliot Engel për mandatin e ri si kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan. Përmes një statusi në Tëitter, Thaçi tha se Engel ka qenë njëri ndër personalitetet kyçe të lirisë, pavarësisë dhe njohjes së Kosovës.

“I dashur Eliot Engel, urime për mandatin e ri si Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me jashtë në Kongresin Amerikan. Ju keni qenë njëri ndër personat kyç për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Presim bashkëpunim të mëtejmë për marrëveshjen përfundimtare të paqes”, ka shkruar më tej Thaçi.

***

LVV tregon se si ka bërë dallavere në tender, Shpend Ahmeti

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti se ka bërë dallavere në tenderin e qumështit për fëmijët. Asamblisti i VV-së në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani, në një konferencë për media, ka thënë se në periudhën 2014-2015, në tenderin për qumësht për klasat I-V, oferta për një qumësht të vogël ka qenë 10 cent ndërsa fitues i këtij tenderi ka qenë “Devolli group”, me qumështin VITA dhe vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 200.000 EUR. Ndërsa Rrahmani thotë se për vitin 2018, i njëjti tender me të njëjtin numër të njësive, për të njëjtin numër të nxënësve i ka kushtuar Komunës afro 740 mijë EUR.

“Për të njëjtat specifikacione, i njëjti paketim dhe e njëjta kompani prodhuese, pra qumështi VITA nga ‘Devolli group’ Sh.P.K, përvec se kompania prodhuese nuk ka marrë pjesë”, ka thënë Rrahmani.

Asamblisti i VV-së ka publikuar edhe rrjedhën e ngjarjeve.

– Tenderi në periudhën 2014-2015 ka qenë me vlerën 200.000 EUR

– Në shpalljen e tenderit për vitin 2018, vlera e parashikuar e tenderit është bërë 730.000 EUR pa asnjë studim apo analizë. D.m.th 530.000 EUR më shumë.

– Kompania prodhuese nuk merr fare pjesë në tender

– Tenderin e fiton kompania “Arbazen” LTD me vendndodhje në Maltë, vend i cili njihet si një nga parajsat fiskale.

– Nga të dhënat në ARBK shihet qartë që kjo kompani është e lidhur direkt me kompaninë prodhuese “Devolli group” Shpk.

– Edhe pse në mes të dy tenderëve në fjalë, TVSH për qumështin është zvogëluar, oferta e kësaj kompanie dyfishohet në 19.4 cent

– Zyrtarët komunalë në vend që të bëjnë rrumbullakimin në vlerën më të vogël, pra në 19 cent, vlera rrumbullakohet në 20 cent.

– Si përfundim kemi dëmtim të buxhetit të Komunës prej 530,698 Eurove.

“Ani pse kryetari Ahmeti ka thënë se ‘ai nuk mund t’i tregojë asnjë kompanie se me çfarë çmimi duhet të konkurrojë’, me këtë skemë dhe me parashikimin e buxhetit prej 730.000 EUR veç kanë treguar, apo më mirë të themi kanë paracaktuar se cila kompani dhe me çfarë çmimi të marrin pjesë”, ka thënë më tej Rrahmani, ndërsa ka kërkuar nga organet hetuese dhe prokuroria që sa më shpejtë të merren me këtë çështje dhe të hetohet deri në fund ky rast.

***

Thaci uron krishtlindjet ortodokse

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, u ka uruar të gjithë besimtarëve të fesë ortodokse, ditën e Krishtlindjeve.

Ai ka uruar që të ketë më shumë paqe, lumturi dhe begati në familjet e tyre.

“Të gjithë besimtarëve ortodoksë u shpreh urimet më të mira në ditën e Krishtlindjes së tyre. Le të ketë edhe më shumë paqe, lumturi dhe begati në familjet e tyre. Gëzuar kjo ditë e shenjtë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook. 

***

Haradinaj uron krishtlindjet atyre që festojnë me kalendar Julian

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar të gjithë qytetarët që festojnë Krishtlindjen ortodokese, duke thënë se kjo festë është nxitje për promovimin e vlerave njerëzore, si mishërim i hyjnores.

“Të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtarë, të cilët shërbejnë në misione të ndryshme në vend, që festojnë sipas kalendarit julian, urime për shumë mot Krishtlindja ortodokse!

Kjo festë është nxitje për promovimin e vlerave njerëzore, si mishërim i hyjnores. Realiteti shumëfetar i shoqërisë sonë duhet të na shërbejë si motiv shtesë që ta ndërtojmē një shtet, që garanton më shumë shpresë, mirëqenie ekonomike dhe siguri për qytetarët.

Kremtofshi në paqe, me familjet Tuaja, me mirësi e begati!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI



Lajme të ngjashme