Ambasadori i Turqisë në Tiranë uron shqiptarët për vitin e ri 2019

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük uroi që viti 2019 të sjellë paqe, begati, stabilitet, shëndet dhe lumturi për popullin shqiptar, me të cilin kanë marrëdhënie të përjetshme miqësore dhe vëllazërore.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë uron shqiptarët për vitin e ri 2019
Türiye Tiran B.Elçisi_Murat Ahmet Yörük_ilir meta.jpg
Arnavutluk_Yunus Emre_Kardeşlik Tarihi_Historia e Vellazerise.jpg
Arnavutluk Deniz Kuvvetleri kuruluş yıldönümü_1.jpg
Edi Rama_yeni kabine.jpg
Arnavutluk_ALSAR_Kışlık Yardım Projesi_4.jpg
Türiye Tiran B.Elçisi_Murat Ahmet Yörük_15 Temmuz.jpg

-Ambasadori i Turqisë në Tiranë uron shqiptarët për vitin e ri 2019

Ai uron që viti 2019 të sjellë paqe, begati, stabilitet, shëndet dhe lumturi për popullin shqiptar, me të cilin kanë marrëdhënie të përjetshme miqësore dhe vëllazërore.

Shpresoj përzemërsisht që në vitin 2019, marrëdhëniet tona bilaterale në nivel të shkëlqyer, të zhvillohen edhe më shumë ashtu që të përfitojnë popujt vëllezër të të dyja vendeve”, tha Yörük.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, është bërë pjesë e votimit për zgjedhjen e fotografive të vitit, ku do të zgjidhet fotografia më e mirë e fotoreporterëve të Anadolu Agency (AA) për vitin 2018 në tre kategori të ndryshme.

Ambasadori turk, në kategorinë e “lajmit”, ka zgjedhur foton “Flamuri turk në malin Burseya” të fotografit Emin Sansar, në kategorinë "jetë" ka votuar për foton “Zjarri në Bolu-Turqi”, të fotografit Ilhami Çetin, ndërsa në kategorinë e fotografive të "sportit" ka votuar për foton e Ali İhsan Öztürk, për “947 vjetorin e Betejës së Malazgirtit”.

Ambasadori Yörük, në deklaratën e tij tha se kontestin e fotografisë të cilën AA e organizon çdo vit e ndjek me dashuri dhe prej afër.

Ai duke treguar se mes hobive të tij gjendet edhe fotografia, tha se është tejet e vështirë që të zgjidhet në mesin e fotografive me teknikë dhe përbërje cilësore.

Yörük shprehu besimin që edhe këtë vit janë zgjedhur fotografitë që do të preferohen nga publiku i gjerë. “Për arsye se Anadolu Agency organizon një aktivitet të tillë në mbarë botën dhe në Turqi, si përfundim dalin albume, kataloge shumë të mira. E përgëzoj kryesinë e Anadolu Agency”, u shpreh ai.

Në votimin tradicional për zgjedhjen e fotografive të vitit kanë marrë pjesë Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Binali Yıldırım, ministra, sportistë si dhe një numër i madh i artistëve.

***

-Në Shqipëri viti i ri 2019 fillon me ligje dhe vendime të reja 

Viti i ri 2019 që sapo nisi është i rëndësishëm për ata që kanë pritur hyrjen në fuqi të disa ligjeve të rëndësishme nga qeveria shqiptare. I pari në listën e kryeministrit, Edi Rama është shumëfishimi i çekut të bebeve, pas të cilit rendit fermerët.

“…Për të gjithë fermerët e Republikës sonë taksa 20 për qind mbi imputet bujqësore bëhet më në fund zero…”.

Kryeministri shqiptar deklaron se ky vit i gjen studentët me vendime të reja qeverie.

“…Studentët tanë do të përfitojnë përgjysmimin e tarifës së regjistrimit në universitet, ndërkohë që më të mirët, ata me mesatare nga 9 deri në 10 si dhe ata me familje në ndihmë ekonomike, me aftësi të kufizuar jo vetëm do të përfitojnë zerimin e tarifës, por do të marrin edhe një bursë 10 mijë lekë të reja në muaj…”.

Rama gjatë konferencës rikujtoi edhe ndihmën e ofruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) , e cila ka filluar punimet për rikonstruksionin dhe mobilimin e godinës së konviktit numër 6 në Qytetin Studenti në Tiranë. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se brenda mandatit qeverisës konviktet në Shqipëri do të jenë të rindërtuara…

Sipas kreut të qeverisë shqiptare viti 2019 nis edhe me një qeveri të rinovuar.

“…Me një fillim të ri për të gjithë organizmin e shumicës sonë qeverisëse. Ashtu sikundër edhe studentët e thanë në mënyrën më kuptimplotë, ne mund të kemi shumë kusure. Por padyshim jemi të vetmit, që mund t’u japim dhe do t’u japim zgjidhje problemeve të këtij vendi…”.

Përmendim se qeveria e propozuar për rinovim të pjesshëm nga kryeministri për tu dekretuar te presidenti i Republikës dhe më pas për miratim te parlamenti shqiptar është si vijon:

1. Ministria e Arsimit, ikën Lindita Nikolla, vjen Besa Shahini

2. Ministria e Ekonomisë dhe financave, ikën Arben Ahmetaj, vjen Anila Denaj

3. Ministria e Jashtme, ikën Ditmir Bushati, vjen Gent Caka

4. Ministria e Infrastruktures, ikën Damian Gjiknuri, vjen Belinda Balluku

5. Ministria e Bujqësisë, ikën Niko Peleshi, vjen Bledi Çuçi

6. Ministria e Kulturës, ikën Mirela Kumbaro, vjen Eva Margariti

7. Ministria e Sipërmarrjes, ikën Sonila Qato, vjen Eduard Shalsi

8. Ministër për parlamentin, vjen Elisa Spiropali

9. Zv.Kryeministër, ikën Senida Mesi, vjen Erion Braçe.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto të një pike basti të mbyllur. Krahas fotos, Rama komenton se vit si ky nuk ishte parë prej kohësh, duke iu referuar kapsollave dhe lojërave të fatit.

“…Vit i Ri si ky pa kumar e pa kapsollas’ishte parë prej shumë kohësh. E pastë këmbën e mbarë deri në fund…”, shkruan Rama.

Pas mbylljes së basteve sportive qeveria është shprehur se do të marrë përsipër që të kryejë një program rikualifikimi për ata që do të mbeten të papunë.

***

- 93-vjetori i krijimit të Forcës Detare Shqiptare, Ministrja Xhaçka: Zgjasim edhe një vit qëndrimin tonë në detin Egje

 93 vjet nga krijimi i saj, Forca Detare shqiptare ashtu si gjithë Forca e Armatosura, ka pësuar transformime të thella që u janë përgjigjur kërkesave dhe sfidave të kohës.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se sot kjo forcë është rikonceptuar, ristrukturuar dhe integruar natyrshëm me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura, duke u bërë pjesë e sistemit të mbrojtjes së hapësirës detare të NATO-s.Në planet tona afatgjata ne kemi parashikuar zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës Detare dhe modernizimin e saj me pajisje dhe mjete lundruese moderne, trajnimin e personelit me standardet e Aleancës, që t’i përgjigjemi jo vetëm kërkesave tona, por edhe atyre të NATO-s”, - tha ministrja Xhaçka. 
Ajo gjithashtu bëri të ditur se falë profesionalizimit të treguar nga efektivët shqiptarë në 24 muajt e operacionit të NATO-s “Sea Guardian”, misioni do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019. 
Tashmë u mbushën dy vjet që nga fillimi i këtij misioni jo të lehtë dhe prezenca jonë atje është tepër e vlerësuar dhe e kërkuar nga drejtuesit e operacionit. Marinarët tanë janë kthyer në heronj dhe kanë shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga mbytja e sigurt në det. Ne jemi të vendosur që të vijojmë edhe vitin që vjen do të jemi sërish prezent në këtë rajon, së bashku me Aleatët tanë”,

-“Dora e ngrohtë, në acar të ftohtë”

Me synimin për të vijuar sigurimin e ndihmës për familjet e fëmijëve jetimë, edhe në këto ditë të acarta të stinës së dimrit, Fondacioni “ALSAR”me mbështetjen e partnerëve turq në kuadër të zhvillimit të veprimtarive të tij humanitare, përzgjodhi një ndër zonat veriore të Shqipërisë me përqendrimin më të madh të tyre, atë të qytetit të Kukësit, për të realizuar projektin “Solidariteti human në ndihmë të fëmijëve jetimë gjatë stinës së dimrit”, nëpërmjet të cilit u realizua dhurimi i një kontingjenti ndihmash me lëndë drusore për ngrohje, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.

Falë mbështetjes së ofruar nga organizata e “Ndihmave Humanitare” me qendër në Belgjikë, nga ky projekt përfituan, 50 familje të fëmijëve jetimë.

***

-Kurse Profesionale në institutin turk “Yunus Emre” në Tiranë 

Në qendrën kulturore pranë institutit turk “Yunus Emre” vazhdojnë Kurset e Formimit Profesional. 
‪Kursantët në kursin e Përgatitjes së Ëmbëlsirave për Dasma dhe Ditë të Veçanta, kanë arritur të bëjnë zbukurimin e tabakave dhe kutive për fejesë, kurse në kursin e Thurjes së Shportave, bëjnë shporta prej bambusë së sheshtë. Pas formimit të bazës duke i vendosur njëra mbi tjetrën bambutë e sheshta, dhe duke u ngritur anësoret me penj prej litari shporta arrin të përfundohet.

Gjithashtu në institutin turk vazhdojnë Kurset e Formimit Profesional të Lyerjes së Drurit, ku lyen objekte të ndryshme dhe gjithashtu mësohen nga mjeshtrit dhe mësuesit turq teknikat e vizatimit, të dizenjmit dhe zbukurimit...

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

 



Lajme të ngjashme