Zhvillimet më të rëndësishme të 2018 në Kosovë

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës më 14 dhjetor konsiderohet e arritura më e madhe e Kosovës gjatë vitit 2018.

kosova ordusunu devlet töreni 2.jpg
Kosova Güvenlik Gücü - Kosova ordusu.jpg
kosova ordusuU.jpg
kosova.jpg
Kosova Meclisi - Kosova ordusu kuruluyor.jpg

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës më 14 dhjetor konsiderohet e arritura më e madhe e Kosovës gjatë vitit 2018. Projektligjet në Kuvendin e Kosovës u votuan pavarësisht shqetësimeve të NATO-s e të BE-së. Atë ditë u votuan projektligjet për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Pro miratimit të tyre u deklaruan të gjitha grupet parlamentare shqiptare dhe komunitetet pakicë, me përjashtim të Listës Serbe. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u uroi të gjithëve Ditën e Ushtrisë:

“Nga ky moment, zyrtarisht e kemi ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e FSK-së, që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës, të cilëve ua uroj Ushtrinë e Kosovës. Urime ushtarë, prej sot, gatitu!”

E komandanti supreme i ushtrisë, Presidenti Hashim Thaçi, tha se ushtria do të jetë forcë multi-etnike.

 “Ju sigurojmë se Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbetet forcë shumë-etnike që do ti shërbejë çdo qytetari të Kosovës pa dallim feje, e etnie”,- tha Thaçi.

Kurse kryeministri Ramush Haradinaj tha se Amerika do ti prin ushtrisë së Kosovës.

“Paqen e kemi fituar me shumë dhimbje. Për paqe na kanë ndihmuar aleatët tanë. Jemi të fundit që kemi mbërri në paqe. Të fundit kemi me e lënë paqen. Nuk mund të na hequr më askush prej rreshtit të ushtrive të paqes."

Serbët nuk u ndanë të kënaqur me krijimin e ushtrisë. Për këtë arsye, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq paralajmëroi ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndërkohë ishte Serbia e cila përmes kryeministrit Aleksandër Vuçiç dhe Federatën Ruse, thirrën mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Atje Vuçiç tha se krijimi I ushtrisë bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, përkatësisht Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por presidenti Thaçi theksoi se ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për askënd përkundrazi do ti shërbejë paqes. Dhe për këtë Kosova është vonuar.

Për ushtrinë ka folur edhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha duke bërë të ditur se Ushtria e Kosovës do të ketë katër komanda dhe se transformimi do të bëhet në tri faza dhe gjithsejtë do të zgjasin maksimum 10 vite.

Përveç suksesit në votimin e ushtrisë, viti 2018 karakterizohet më shumë me dështimin e seancave për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje. Nga muaji prill deri në muajin qershor, ishin rreth 60 pika të rendit të ditës, që nuk kanë arritur të shqyrtohen në mungesë të kuorumit. Instituti Demokratik i Kosovës, që merret me monitorimin e punës së Kuvendit, konsideron se si rrjedhojë, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vazhdon ta ketë të vështirë votimin e ligjeve edhe kur kërkohet shumica e thjeshtë. Së fundi është partia e re e ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, PSD që është duke I krijuar kuorumin dhe votuar projektligjet. Partia Socialdemokrate, e cila, për dallim nga dy subjektet tjera opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, nuk po i bojkoton seancat e rregullta, ashtu siç ndodhi edhe me miratimin e buxhetit për vitin 2019.

Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor 2018, miratoi Projekt-Rezolutën mbi Procesin e Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. E, pas votimit shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, u bëri thirrje edhe dy subjekteve tjera opozitare, LDK-së dhe Vetëvendosjes, që t`i bashkohen ekipit negociator për bisedime me Serbinë. Thirrjet kanë vazhduar deri në fund të vitit, por LDK dhe Vetëvendosje nuk iu bashkuan ekipit. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se dialogu nuk udhëhiqet me platformë apo ligj që tejkalon Kushtetutën e vendit.

Megjithëse qeveria Haradinaj arriti ta kalonte Demarkacionin e shumë-përfolur me Malin e Zi, që nga Europa u theksua si kushti i fundit për liberalizim të vizave, kjo gjë nuk  ndodhi. Kjo gjë e bëri shumë nervoz kryeministrin Haradinaj, por edhe zyrtarët e tjerë të cilët filluan gjithnjë e më tepër të kritikojnë Bashkimin Europian për mos-trajtim të barabartë të qytetarëve të Kosovës me qytetarët e vendeve të tjera. Lufta kundër korrupsionit ishte po ashtu një kusht për liberalizimin e vizave.
Ndonëse Haradinaj nuk merrej shumë me temën e dialogut, nga vera nisi të tregojë se ky dialog duhet të ketë vija të kuqe. Kjo qasje e tij nisi pasi Presidenti Hashim Thaçi filloi ta përmendte çështjen e kufijve me Serbinë. Haradinaj disa herë përsëriti që kufijtë janë caktuar me luftë dhe vetëm lufta mund t’i ndryshojë. Ndërsa uniteti i pritur për dialogun, u pa në dhjetor që mungon, kur pjesë e delegacionit u bë vetëm PSD-ja e Shpend Ahmetit, jo edhe dy partitë tjera opozitare, LDK e Vetëvendosje. Qeveria në njërën nga mbledhjet e fundit të vitit prezantoi edhe draft-marrëveshjen me Serbinë, e cila pritet të plotësohet edhe me sugjerimet e mundshme që mund të dalin gjatë debatit të hapur.
Një veprim që bëri jehonë ndërkombëtare ishte vendosja e taksës 100% ndaj produkteve Serbe dhe Boshnjake më 20 nëntor. Megjithë kërkesat e lutjet nga Serbia, përkatësisht kryeministri Vuciq, kjo taksë ka mbetur në fuqi. Taksa nuk është anuluar as pas presioneve të mëdha ndërkombëtare, posaçërisht të Bashkimit Europian (BE). Bile Haradinaj nuk u zmbraps as pas ofertës së Be-së që përfaqësimi i Kosovës në CEFTA të jetë me emërtimin Kosovo me fusnotë, në vend të UNMIK-Kosovo. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se bazuar në analizat e bëra, ka dalë që prej që ekziston marrëveshja e CEFTA-s, Serbia asnjëherë nuk e ka respektuar atë, por madje ka vendosur barriera për mallrat nga Kosova, ka penguar transportin, ka përdorur vula të dyfishta.

“Ju siguroj se rritja e takës 100 për qind, është bërë prej zorit, nuk e kemi bërë prej qejfit. Nuk është bërë nga qejfi, por prej zorit. Sikur të kishim mbërri një marrëveshje për njohje pa këto trauma që po i hasim, territore, kufij e kush e di unë, me siguri sot do të ishte një situatë tjetër”, tha ai. 

Mbështetje këtij vendimi i kishte dhënë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, në mbledhjen e të dy qeverive që u mbajt në Pejë më 26 nëntor. Rama kishte deklaruar se brenda një kohe të shkurtër, Kosova dhe Shqipëria do të kenë tarifa zero si dhe unifikim të plotë të doganave, si pjesë e marrëveshjeve që janë nënshkruar.

“Kush e sheh tarifën 100 për qind si vendim ekonomik, gabon. Jo, tarifa 100 për qind është reagim politik. Reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme të një sjelljeje supermatiste të Serbisë ndaj Kosovës. Zero tarifa dhe zero barrierë jo-tarifore brenda gjashtë mujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, transit më 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapat e tjerë brenda gjashtë mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor”, ka thënë Rama.

Mbledhja e dy qeverive në mes të Kosovë dhe Shqipërisë, kishte rezultuar me nëntë marrëveshje bashkëpunimi, ku ndër marrëveshjet e nënshkruara janë ajo për  nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës, ajo për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming, marrëveshja për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë e të tjera.

Vitin 2018 e ka karakterizuar edhe rënia e investimeve. Këtë e ka konfirmuar edhe Banka Qendrore e Kosovës, përmes zëdhënësit Kushtrim Ahmeti.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, i cili ka qenë dikur edhe udhëheqës i Agjencisë për Promovim të Investimeve, Valdrin Lluka kërkon të përmirësohen kushtet për investitorë të huaj, sepse vendet rajonale ofrojnë kushte të mira.

E sa i përket vitit 2019, ministri i Financave, Bedri Hamza shprehet optimist. Ai ka deklaruar se rritja ekonomike për vitin 2019 do të jetë 4,7 për qind, kurse të hyrat totale buxhetore pritet të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë euro. E sa i përket politikës, koalicioni i udhëhequr nga tri partitë kryesore, PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate, mund të përballet me të njëjtën situatë në Kuvend edhe gjatë vitit 2019, nëse ky koalicion nuk do t`i ketë, të paktën edhe votat e Partisë Socialdemokrate. Në anën tjetër, lista serbe, ndonëse ende nuk e ka bërë të qartë largimin nga koalicioni, është shprehur e gatshme që votën e saj ta japë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. E, në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2019, ashtu edhe siç po paralajmërohet, atëherë Kuvendi mund të hyjë në një krizë edhe më të thellë, meqë për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, koalicionit qeverisës i duhen të paktën 80 vota.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI

 


Lajme të ngjashme