Greqi – Bombë me sahat në televizionin “SKAI”, vetëm dëme materiale

Një sulm me bombë me sahat është kryer në orët e para të së hënës ndaj selisë së televizionit “SKAI” në Greqi duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme, por, fatmirësisht, pa humbje jetësh...

Greqi – Bombë me sahat në televizionin “SKAI”, vetëm dëme materiale

Një sulm me bombë me sahat është kryer në orët e para të së hënës ndaj selisë së televizionit “SKAI” në Greqi duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme, por, fatmirësisht, pa humbje jetësh.

Bëhet e ditur se sulmi është denoncuar rreth 45 minuta përpara shpërthimit në një tjetër kanal televiziv dhe në një portal informativ.

Policia greke ka evakuuar menjëherë objektin e televizionit duke marrë në konsideratë informacionet në fjalë. Bulevardi “Poseidonos”, i cili kalon përpara selisë së televizionit “SKAI” në Athinë, është mbyllur për trafikun automobilistik dhe këmbësor nga forcat e rendit.

Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi panik te qytetarët, por jo të plagosur.

Akti nuk është marrë përsipër ende nga ndonjë grup, por dyshimet e para bien mbi organizatat e ekstremit të majtë dhe anarkistët, të cilët edhe më parë kanë kryer sulme të ngjashme mbi mediat.

Dhjetëra hetues të policisë po mbledhin prova nga vendi i ngjarjes, i cili është rrethuar me perimetër sigurie.

Shpërthimi shkatërroi dritaret dhe dëmtoi pjesën e përparme të ndërtesës, ndërsa dëmtime ka pasur dhe në banesat dhe në makinat që ndodheshin pranë godinës së televizionit.



Lajme të ngjashme